Ultimatumi gjerman për Edi Ramën: Ngrini Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

EDITORIAL

Reforma zgjedhore u trajtua për muaj me radhë si çështja më jetike që ka vendi. Në fakt, kjo reformë hyn në kushtet e Bashkimit Europian, por nuk është e vetmja dhe as më e rëndësishmja. Bashkimi Europian ka vendosur 15 kushte për qeverinë “Rama”, nga plotësimi i të cilave do të varet fati i negociatave të integrimit. Kushte që nisin nga funksionimi i institucioneve kryesore të drejtësisë dhe deri te ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta, pa lenë mënjanë dhe dënimin e vjedhësve të votave në zgjedhjet e fundit. Reforma Zgjedhore ishte një prej këtyre kushteve që është kërkuar me forcë nga Bundestagu Gjerman, por jo si fundi i reformave. Ishte si hapi për të shkuar të çështjet e tjera shumë problematike në Shqipëri. Kjo reformë nuk zgjidh krizën politike në vend dhe as u jep fund problemeve të rënda që ka funksionimi i shtetit shqiptar. Jemi sërish pa gjykata, me institucione të sakatuara, me një pushtet qendror dhe lokal që ka ardhur si rezultat i votave të deformuara.

Si për tu kujtuar palëve, dhe kryesisht qeverisë se me marrëveshjen për kodin zgjedhor nuk marrë fund problemet, Ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf listoi sot prioritetet e Berlinit për krizën në Tiranë. Në një deklaratë ku përshëndetej ecja para me reformën, diplomati i Gjermanisë  deklaroi se Berlini pret në mënyrë të veçantë të zgjidhet problemi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë. Pavarësisht se klasa politike në Tiranë ka folur për marrëveshje historike të firmosur për kodin elektoral, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë çështje që Bundestagu Gjerman i ka vendosur në krye të listës që në fillim të vitin 2019. Në dokumentin e deputetëve gjermanë që më pas u pranua dhe nga BE thuhet se “Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE për negociatat” do të nis pasi të jenë plotësuar dy kushte kryesore; reforma zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë”. Hartimi i reformës kërkonte konsensusin e opozitës reale dhe PD, LSI dhe partitë e tjera u detyruan të lëshojnë jo pak nga kushtet e tyre për tu ulur në tavolinë. Marrëveshja edhe pse nuk është më e mira për opozitën, prodhoi një akt pozitiv duke i hequr një kusht të BE dhe Bundestagut gjerman. Në këtë pikë, opozita e ka mbaruar detyrën e saj me procesin e integrimit. Ka dhënë më shumë se ka mundur në tavolinë dhe ka bërë atë që ka pasur mundësi për integrimin e vendit. Pjesa tjetër e 14 kushteve hyn e gjitha te detyrimet e Partisë Socialiste dhe qeverisë ndaj BE dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Që pas firmosjes së marrëveshjes çfarëdo që lidhet me integrimin, institucionet dhe reformat e dështuara ka përgjegjës vetëm qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Opozita është jashtë Kuvendit dhe përgjegjësia duke nisur nga reforma në drejtësi i takon PS dhe kryeministrit Edi Rama. Thirrja e diplomatike e ambasadorit gjerman sot për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë është dhe një lloj ultimatumi ndaj qeverisë. Ngritjen e këtyre institucioneve e ka penguar qëllimisht Parlamenti dhe qeveria duke sajuar konflikte të rrezikshme me kreun e shtetit. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është një çështje që lidhet vetëm me reformën në drejtësi, por dhe me vet zgjidhjen e krizës politike. Nga kjo Gjykatë dhe nga Gjykata e Lartë varet dhe plotësimi i kushteve të tjera të BE-së për Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese do të vendos për legjitimitetin e votimeve te 30 qershorit të vitit të kaluar. Po këto dy gjykata do të shprehen dhe për krimet kushtetuese që janë kryer këto vite nga qeverisja. Vonesat e qeverisë për plotësimin e këtyre kushteve duken se janë të qëllimta dhe arsyet kuptohen. Për sa kohë nuk ka institucione të pavarura të drejtësisë dhe aq më pak s’ka fare gjykata, jo vetëm jemi larg BE-së por edhe larg zgjidhjes së krizës politike.

Gjermani foli sot prapë shumë qartë dhe hapur: Plotësoni Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

SHKARKO APP