Vatikani kujton Át Lemaître, meshtarin shkencëtar që korrigjoi Ajnshtajnin

Nga 16 deri më 21 qershor, dyzet studiues, përfshirë dy fitues të çmimit Nobel, do të diskutojnë rëndësinë e intuitave shkencore të Át George Lemaître. Drejtori, vëlla Guy Consolmagno: “Nuk duhet të ketë konfuzion ndërmjet Big Bengut dhe historisë së Krijimit në Librin e Zanafillës. Janë dy fusha të ndryshme në një udhë të vetme”.

R.SH. – Vatikan

Natyra e vërtetë e hapësirës dhe e kohës. Ky horizont magjepsës i mendimit do të jetë argumenti i konferencës shkencore të organizuar nga Observatori i Vatikanit në Albano Laziale, nga data 16 deri më 21 qershor, me titull “Vrimat e zeza, valët gravitacionale dhe singularitetet e hapësirë-kohës”. Veprimtaria – e përqendruar në rëndësinë e intuitave shkencore të Át George Lemaître (1894-1966) – u paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Vëlla Guy Consolmagno, jezuit, shkencëtar planetolog, drejtor i Observatorit të Vatikanit (Specola Vaticana), nënvizoi se ky debat përfaqëson një “terren asnjanës” konfrontimi për shkencëtarët me orientime të ndryshme. “Objektivi është e vërteta”, pohoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit të vazhdueshëm në punën kërkimore, pavarësisht nga vetëdija se jo gjithçka mund të njihet. Kjo është konferenca e dytë kushtuar meshtarit, profesorit të fizikës në Universitetin Katolik të Louvain, i cili nga viti 1960 deri në vitin 1966, ka qenë edhe kryetar i Akademisë Papnore të Shkencave. Punimet e konferencës së parë, mbajtur në vitin 2017, u publikuan nga revista “Foundation of Physics”.

Pjesëmarrje e nivelit të lartë

Në konferencën e këtij viti, mbështetur edhe nga Instituti Italian i Fizikës Bërthamore (INFN), temat në diskutim do të variojnë nga tensioni në matjet e konstantes së Hubble te natyra enigmatike e singulariteteve hapësirë-kohë (përfshirë Big Bengun dhe vrimat e zeza), deri te valët gravitacionale dhe kërkimi i gravitetit kuantik dhe lidhjet e tij me themelet e teorisë kuantike. Përveç 40 studiuesve të kozmologjisë teorike dhe vëzhguesve – përfshirë fituesit e çmimit Nobel Adam Riess dhe Roger Penrose; kozmologët dhe fizikantët teorikë Andrei Linde, Joseph Silk, Wendy Freedman, Licia Verde, Cumrun Vafa dhe fituesi i Medaljes Fields Edward Witten – të pranishëm do të jenë të paktën 150 studiues të lidhur online. Videokonferenca do të jetë në faqen e internetit të Spekolës.

Trashëgimia e madhe e Lemaître

George Lemaître ka qenë gur kilometrik në studimet mbi këto tema, duke ndërvepruar me Ajnshtajnin, madje “duke e korrigjuar shkencëtarin e madh në disa pika”. Në veçanti, At Lemaître, në kundërshtim me Ajnshtajnin, ishte mendjehapur për teorinë kuantike dhe diti të pranonte menjëherë perspektivën e dy përmasave, atë të fizikës klasike dhe atë të fizikës kuantike. Për më tepër, ai e kuptoi shpejt rëndësinë e studimeve mbi konstanten kozmologjike, e cila tani përdoret për të shpjeguar përshpejtimin e universit.

Në vitet ‘20, vrojtimet astronomike kishin zbuluar një lëvizje misterioze recesioni të galaktikave të largëta. Në vitin 1927, duke zgjidhur ekuacionet e ndërlikuara të teorisë së përgjithshme të relativitetit të Ajnshtajnit, At Lemaître shpjegoi se kjo lëvizje ishte rezultat i zgjerimit të Universit. Kjo, pak më parë se vrojtimet e Edwin Hubble të vendosnin një marrëdhënie, të quajtur “ligji i Hubble”, që lidh shpejtësinë e recesionit dhe distancën e galaktikave. Për këtë arsye, në vitin 2018, Bashkimi Ndërkombëtar Astronomik votoi për ta riemërtuar “Ligjin e Hubble” si “Ligji Hubble-Lemaître”.

Përsa i përket temës së Big Bengut, është e famshme teoria e “Atomit Primordial”, e njohur sot si teoria e Lemaître. Ai e kuptoi se zgjerimi i Universit do të thoshte se në një kohë të caktuar në të kaluarën Universi duhej të kishte kaluar nëpër një gjendje me densitet shumë të lartë energjie, si një “atom i zanafillës” nga i cili nisi gjithçka. Prandaj, studimi i tij mund të konsiderohet si pararendës i gravitetit kuantik modern.

Ndërmjet fesë dhe shkencës

Lidhur me sfidën e vazhdueshme për të kuptuar se si feja dhe shkenca, Zanafilla dhe studimet në vazhdim, nuk duhet të konceptohen “në konkurrencë”, kujtojmë se Papa Piu XII iu drejtua At Lemaître për të shprehur këndvështrimin e Kishës, që ushqehet nga feja dhe nga njohuritë shkencore. Vëlla Guy Consolmagno, drejtori i Spekolës, iu referua, gjatë konferencës për shtyp, konfuzionit që krijohet nganjëherë ndërmjet teorisë së Big Bengut dhe rrëfimit të Krijimit të universit në Librin biblik të Zanafillës për të nënvizuar se këto janë dy fusha të ndryshme, me rrugët e tyre të studimit, që janë pjesë e një udhe të vetme./vaticannews.va/

SHKARKO APP