Kurti pas takimit me Vuçiç: Erdhën me propozime të vjetra. çështja e të pagjeturve mbetet problem

Në Bruksel u mbajt takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së, Borrell dhe Lajçak. Pas takimit, kreu i qeverisë së Kosovës, u shpreh se pala serbe erdhi në këtë takim me projekte të vjetra, ndërkohë që pala kosovare bëri 4 propozime të reja, mes të cilave ishte dhe nënshkrimi i një deklarate se dy vendet nuk do ta sulmojnë njëri-tjetrin.

Albin Kurti gjithashtu shtoi se një ndër problematikat që nuk mund të anashkalohet është çështja e të pagjeturve, për të cilët ai tha se shumë zyrtarë aktualë në qeverinë serbe kanë informacione për varreza masive.

“Sot u zhvillua takimi i parë. Isha bashkë me zëvendësin Besim Bislimi që është përgjegjës për integrimin. Kjo u bë me ndërmjetësimin e zotërinjve Borrell dhe Lajçak. Takimi ishte konstruktiv. Ne do të marrim pjesë në këtë proces. Në një kohë që pala tjetër fliste për projekte të vjetra, ne dhamë 4 propozime të reja. Propozimi i parë ishte që të avancojmë marrëveshjen Cefta në marrëveshje Sefta.

Propozimi i dytë ishte që një ditë pas samitit të NATO-s, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëri-tjetrin. Dhe në këtë mënyrë kontribuojmë në paqen dhe sigurinë në rajon. Propozimi ynë tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve duhet të largohet nga delegacioni serb Velko Dallevic dhe Zoran Allenkoviç. Propozimi ynë i katërt është për sa i përket pakicave që të zbatohet reciprociteti bilateral.

Tri propozimet tona të fundit u refuzuan, ndërsa për Sefta nuk dhanë përgjigje. Takimi i radhës do të jetë përpara datës 25 korrik. Jemi të gatshëm për proces, por nuk ka dakordësi për sa i përket agjendës së takimit të ardhshëm. Nëse ka një gjë që nuk pret është çështja e të pagjeturve. Koha nuk mund t’i zbusë plagët për të zhdukurit me dhunë. Fatkeqësisht njerëzit e asaj kohe mbajnë ende pozita të larta zgjedhore”, tha Kurti.

SHKARKO APP