Kuvendi i Berishës, reagon PD-ja e Bashës: Mashtrime, pse nuk përmendi humbjen më 14 maj?

“Mashtrime ordinere për hallet e tij, për t’i ikur llogaridhënies në zgjedhjet e 14 majit“, e ka cilësuar Partia Demokratike zyrtare, Kuvendin Kombëtar të mbajtur ditën e sotme nga Berisha. Më anë të zëdhënëses, Mirela Karabina, PD-ja e Bashës pyet Berishën pse nuk përmendi zgjedhjet lokale të majit teksa risjell po ashtu, arsyet se përse ish-kryeministri është shpallur “non-grada” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Fjala e plotë

Sali Berisha vazhdon me mashtrimet ordinere për hallet e tij dhe për t’i ikur llogaridhënies për humbjen e thellë të zgjedhjeve të 14 majit, për të cilën nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse u kishte premtuar demokratëve që për 6 muaj rrëzon Edi Ramën.

Mashtrimet e dala boje të Berishës kërkojnë të fshehin pazarin e tij me Edi Ramën, që kurorëzohet me kullën më të lartë të Ballkanit në Tiranë. Sa për arsyet pse Sali Berisha u shpall non grata, sot nuk ka shqiptarë që nuk e kupton!

Argumenti i DASH për shpalljen non grata: “Në cilësinë e tij si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij, si dhe në shpenzimin e besimit të publikut shqiptar ndaj institucioneve të tyre qeveritare dhe zyrtarëve të lartë publikë”

Arsyet pse Britania e Madhe shpalli Sali Berishën non grata :
“ Në lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsion”.

Këto janë arsyet që Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, të tjerat janë përralla dëshpërimi. Sot Sali Berisha duhet t’u tregonte demokratëve që po i përdor si mburojë të halleve të tij:

-Pse nuk shkon para drejtësisë të sqarojë akuzat ndaj tij për korrupsion, por fshihet pas demokratëve? -Pse nuk tha asnjë fjale për zgjedhjet e 14 majit? Shënoi humbjen më të thellë në zgjedhje, ndëkohë që i mashtroi demokratët se me të do të largohej Rama për 6 muaj.

Sali Berisha nuk do të mund të mbrohet në përballje me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Drejtësinë duke përçarë demokratët për interesat personale të tij!”.

SHKARKO APP