10 vjet CEFTA – Marrëveshja duhet të rivitalizohet

Në Tiranë, u mbajt të hënën një konferencë në kuadër të 10-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor CEFTA, e njohur edhe si tregti pa barriera, ku u paraqitën përfitimet por edhe sfidat e së ardhmes.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi theksoi se në rrugën e gjatë e të vështirë për të konsoliduar ekonominë e tregut, po përpiqemi shumë fort të ngrejmë e të bëjmë funksionale të gjitha ato që janë instrumenta të demokracisë, të bëjmë funksionalë ekonominë e tregut, e cila lejon dhe nxit një ekonomi me një klimë të mirë biznesi.

“CEFTA në të ardhmen do të jetë një instrument që ka për t’i shërbyer ndërlidhjes ose asaj që njihet gjithashtu si strategjia e konektivitetit. Komisioni Europian do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit rajonal e ekonomik, si nga pikëpamja e politikës, ashtu edhe përmes mbështetjes financiare”, tha Ekonomi.

Ministrja vlerësoi si mjaft të rëndësishëm samitin e Italisë në 2017-ën, në të cilin, theksoi ajo, ne duhet të jemi bërë gati si vende të CEFTA-s për të miratuar të gjithë së bashku edhe një protokoll tjetër që është ai i shkëmbimit tregtar të shërbimeve.

Vendet e CEFTA-s, sipas Ekonomit, duhet po ashtu të punojnë fort për të bërë të implementueshëm programin ekonomik të reformave në hapësirën kohore 2016-2018, i cili synon të rrisë shkëmbimet në rajon, duke marrë në konsideratë shkëmbimet midis bizneseve.

Duke u ndalur në përfitimet e rajonit, pjesë e CEFTA-s, minstrja theksoi se kjo marrëveshje solli përfitime për të gjitha palët. “Ishte mënyra më e mirë për të mobilizuar rritjen ekonomike dhe për të arritur një stabilizim të qëndrueshëm politik dhe ekonomik për të gjitha vendet e rajonit. Ishte një mjet shumë i mirë për të siguruar rimëkëmbjen ekonomike të rajonit dhe gjithashtu shërbeu edhe si një kurs trajnimi për ato vende që aspirojnë integrimin në BE”, tha Ekonomi.

Lidhur me shkëmbimet tregtare, Ekonomi tha se zhvillimet rajonale u shoqëruan me masa të rëndësishme në drejtim të lehtësimit të tregtisë, nisur nga heqja e pengesave tarifore për produktet industriale e më pas bujqësore.

10-vjetori-i-tregetise-se-lire-foto-sgim-dobi-1Të dhënat e 10-vjeçarit tregojnë se rajoni i Ballkanit Perëndimor karakterizohet nga niveli i lartë i hapjes tregtare. Indeksi i hapjes tregtare dhe ecuria e tij vjen në rritje vazhdimisht, por analiza tregon, tha ministrja e Ekonomisë, se vendet e Ballkanit kanë ende hapësira për ta rritur atë.

“Në të vërtetë gjithë ky integrim solli dy rezultate të rëndësishme. Integrimi europian përmes MSA-së siguroi një kuadër të liberalizimit tregtar për të bërë të mundur lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve, si dhe krijoi kornizën e bashkëpunimit rajonal përmes CEFTA-s”, deklaroi ministrja.

BE për vendet CEFTA, sa i takon shkëmbimit tregtar, theksoi ministrja Ekonomi, ka qenë partneri më i rëndësishëm. Në vitin 2015 vendet CEFTA kanë realizuar 70 % të eksporteve me BE-së, nga 64% që ishte në 2013-ën.  Përsa i takon importeve ato kanë realizuar importe me BE-në, në masën 33 % në 2013. Në 2015 ky raport u shtua edhe me dy hapësira të reja që ishte Kina, që mori 10 % të imrpoteve dhe Rusia, 8 %.

“Sa më shumë hapet komunikimi me BE-në, aq më shumë zhvillohen edhe proceset e integrimit rajonal. Kërkesa agregate për eksporte është shumë e rritur nga BE dhe çdo përmirësim në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të vendeve që janë pjesë e BE-së, tregon gjithshtu se ka një mundësi të rritjes ekonomike të vendeve që aderojnë në CEFTA. Rritja e fluksit të kapitalit dhe investimeve që erdhën dhe u instaluan në vendet anëtare të CEFTA-s, ishte një tjetër përfitim”, theksoi ministrja.

Në rastin e Shqipërisë, sipas saj, po të shikojmë fluksin e investimeve të huaja nga 2008 deri në 2015, kemi një rritje të konsiderueshme dhe hyrja mesatare vjetore është 1 miliard dollarë në vit.

Falë masave të marra, vijoi Ekonomi, në kuadër të CEFTA-s, gjatë këtyre viteve vumë re se shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e Ballkanit Perëndimor janë rritur me mbi 4 herë. Sipas saj, partneri kryesor i Shqipëris nga vendet CEFTA mbetet Kosova .

“Ekonomia shqiptare në këto 10 vite ka patur luhatje, por së fundmi mund të themi se ekonomia shqiptare është bërë një ekonomi me rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për vitin që vjen të jetë një rritje impresive edhe për rajonin. Vitin që vjen rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.8 %, më e larta në rajon. Financat publike tregojnë se borxhi i vendit tonë të jetë një borxh që tregon shëndoshmëri fiskale. Në vitin që vjen parashikohet të zbresë 2.5 % më shumë se parashikimi. Ky model ekonomik që u zbatua tregoi se edhe pabarazia në popullatën shqiptare erdhi duke u ulur”, nënvizoi ministrja e Ekonomisë.

Më tej, ajo renditi disa nga reformat e ndërmarra. Sa i takon të ardhurave në familje, Ekonomi theksoi se ka patur një revolucion të vërtet me taksën progresive pasi bëri të kalojnë 143 milionë dollarë drejt buxheteve familjare. Viti 2017, the Ekonomi, tregon se në buxhetin e familjeve do të shkojnë edhe 100 milionë dollarë, çka bën të mundur edhe rritjen e konsumit./ATA

SHKARKO APP