“2K”-të e sotme të kredisë bankare

Nga Feti ZENELI*/Në një shkrim të botuar në median e kohës këtu e 21 vite më parë, të titulluar “K-të e kredisë”, nisur edhe nga detyra që kryeja si drejtues i një dege banke të nivelit të dytë, rendisja “5K”, që duheshin mbajtur parasysh gjatë procesit të kredidhënies bankare. Sipas gjykimit tim të asaj kohe, “K”-ja e parë ishte “konceptimi i operacionit dhe dokumentacioni”, “K”-ja e dytë kishte të bënte me “karakteristikat e nëpunësit” të kredisë, “K”-ja e tretë analizonte “karakterin dhe kapitalin e huamarrësit”, “K”-ja e katërt fliste për “kredimarrësit e këqij”, që s’duhet të ekzistojnë nëse zbatohen me fanatizëm kriteret e dhënies së kredisë dhe “K”-ja e pestë nënvizonte “kode dhe konkluzione” të ndryshme rreth kësaj çështjeje mjaft të rëndësishme në tregun bankar.

Në konceptimin e “5K”-ve të atëhershme të kredisë jo pak më ka ndihmuar një ese politike e Bertold Brehtit me titull “Pesë vështirësi për të shkruar të vërtetën”, që e kisha lexuar fill sapo u diplomova si financier i lartë dhe që i jam referuar vazhdimisht në mënyrë krijuese, në çdo detyrë që kam kryer në fushën e ekonomisë dhe financave apo dhe atë social-politike. Të jepje kredi në atë kohë, kur s’kishin kaluar veç pak muaj nga themelimi i tre bankave të nivelit të dytë në Shqipëri; Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Tregtare Agrare dhe Bankës së Kursimeve; “5K”-të e kredisë të dukeshin si “pesë vështirësi për të thënë të vërtetën…” në kushtet kur “…ajo është fshehur kudo”. Vendosmëria e kryerjes së detyrës për t’i dhënë kredi biznesit dhe individit atëherë kalonte nëpërmjet vështirësish të shumta, tejkalimi i të cilave kërkonte, pak a shumë, ato cilësi që përmend edhe Brehti tek eseja e mësipërme si: “kurajën…, zgjuarsinë…, mjeshtërinë…, mprehtësinë… dhe dinakërinë…”, pavarësisht se ai i referohet kohës së luftës. Filozofia e të gjithë këtij qëndrimi për të cilin fliste autori përmblidhej në shprehjen: “Ai (që do të shkruaj të vërtetën) nuk duhet të përkulet përpara të fuqishmëve dhe as t’i mashtrojë të dobëtit”. Unë dhe kolegët e mi të asaj kohe ishim përballë këtyre dy alternativave, kuptohet në një kontekst tjetër, ku “të fuqishmit” përfaqësoheshin nga politikanët qendrorë e lokalë, që kërkonin të diktonin në procesin huadhënës, kurse “të dobëtit” ishin kredimarrësit, të cilët mund t’i mashtroje dhe mund të përfitoje prej tyre. Kishte dhe një vështirësi tjetër, që qëndronte në kuptimin e mungesës së eksperiencave praktike. Megjithatë, nga puna në monizëm, ne kishim trashëguar eksperiencën e korrektësisë dhe përkushtimit për të kryer detyrën, gjë që na shërbeu jo pak në kapërcimin me sukses të “pesë vështirësive…” për të dhënë kredi cilësore dhe efektive. Faktet tregojnë, që ndonëse biznesi dhe ekonomia e tregut ishin në hapat e tyre të para, “kreditë e këqija” deri në fund të ‘96-ës numëroheshin me gishtat e dorës. Madje këto ishin kredi kaq “të mira” për ekonominë e tregut, dhe të tilla do të kishin mbetur deri në fund, nëse do t’i kishin shpëtuar shkatërrimit në trazirat e ‘97-ës apo magazinimit dhe konservimit pa kriter në Agjencinë e Trajtimit të Kredive në 98-ën.

Me privatizimin e bankave shtetërore të nivelit të dytë pas viteve 2000 dhe futjen në tregun shqiptar të disave bankave të huaja, kryesisht me kapital grek, pritej që ata të prekeshin gjithnjë e me pak nga virusi i “kredive të këqija”. Natyrisht këtij virusi nuk i shpëton dot asnjë bankë në botë, sado e mirë qoftë ajo, por në rastin më të keq tek këto banka, treguesi i kredive të këqija nuk shkon më shumë se 5 për qind. Rreth 4 për qind e ka pasur Kosova këtë tregues, para pak kohësh. Momentalisht treguesi i kredive të këqija në Kosovë dhe disa vende të tjera të rajonit që qëndrojnë në top listë, nuk e kalon 10 për qindshin. Në Shqipëri ai është rreth 2,5 herë më shumë ose mbi 22 për qind. Të mos kishte ndërhyrë qeveria para pak muajsh nëpërmjet rregullimesh ligjore, duke e ulur totalin e kredive të këqija në banka me 4,6 për qind, sot treguesi i kredive të këqija do të ishte në kufijtë e 26-27 për qindshit. Në vlerë absolute stoku i madh i kredive të këqija në vendin tonë, e ka kaluar shifrën e një miliardë eurove. Përveç të tjerash kjo situatë tejet e rëndë në sistemin bankar është krijuar nga që “K”-ja e dytë, që kishte të bënte me “karakteristikat e nëpunësit” të kredisë, me sa duket është shndërruar në “2K”, ku njëra përfaqëson “korrupsionin” në sistemin bankar dhe tjera “kreditë e këqija” si pasojë e tij. Me sa duket korrupsioni i shtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes, këto vitet e fundit, ka infektuar edhe drejtimin dhe ekspertizën bankare, pavarësisht të qenit biznes privat. Natyrisht tymin e korrupsionit bankar mund ta shohësh më qartë vetëm duke hedhur sytë nga oxhaku i kredive të këqija.

Të djegësh “K”-të e procedurës së dhënies së kredisë, pra të mos i respektosh ato si “pesë vështirësi për të thënë të vërtetën”, sigurisht që nga oxhaku i kredive të këqija do të dalë tym i zi. Kolateralet e përzhitura janë thëngjijtë e fikur dhe hiri i kësaj djegieje. Drejtuesit dhe shoqatat e bankave kanë filluar t’u hedhin hi syve eprorëve të tyre, duke u munduar që t’ua faturojnë përgjegjësinë e kredive të këqija aktorëve dhe faktorëve bashkëpunues, duke filluar nga qeveria për klimën e përkeqësuar të biznesit dhe deri tek përmbarimi për mos finalizimin si duhet të fazave të ekzekutimit të detyrueshëm. Por faktet tregojnë se në çdo rast bankat përpiqen t’ia lënë “dobiçin në derë” të tjerëve. Po marrim për të analizuar një aspekt të këtij procesi, që është më i perceptueshëm nga një rreth më i gjerë njerëzish, siç është finalizimi i ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor, duke nxjerrë në ankand kolateralet e huamarrësve që nuk arrijnë të shlyejnë në mënyrë të rregullt kredinë. Së fundi, shoqata e bankave ka përgatitur një projektligj për të ndryshuar mënyrën se si pronat e sekuestruara do të shiten në ankand, i cili u diskutua këto ditë edhe në Komisionin e Ligjeve. Qëllimi i ndryshimeve që do t’i bëhet Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë për barrët siguruese është që pronat e konfiskuara nga shërbimi përmbarimor për llogari të bankave të shiten me gjysmën e vlerës, ose duke i zbritur me në 46 për qind nga vlerësimi fillestar.

Vendosja e një sanksioni të tillë, përveçse dërrmon interesat qytetare, blindon korrupsionin bankar, që nis qysh në fazën e dhënies së kredisë, duke mos respektuar realisht kërkesat dhe eksperiencat më të mira të krijuara në këtë drejtim. Të shesësh me gjysmë çmimi një pronë që në momentin e dhënies së kredisë është vlerësuar 3 herë më shumë do të thotë ta vjedhësh tjetrin sy për sy, apo të vjedhësh në mes të ditës, siç thotë populli. Nga ana tjetër, një vendimmarrje e tillë bie ndesh me konceptin e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të konsideruar si zemra e çdo aktiviteti ekonomik. Çdo gjë që prodhojmë, blejmë apo shesim, udhëhiqet nga vlera, që ne apo të tjerët i japim asaj. Ndaj vlerësimi i duhur i pasurive të paluajtshme nuk është thjeshtë një proces matematikor, aq më pak mund të jetë një plaçkë tregut për ta grabitur kush të mundet, duke e lënë të zotin jo vetëm në mes të katër rrugëve, por edhe në pikë të hallit, pasi mbetet debitor i përjetshëm. Po kështu një sanksion i tillë shkon në krah të kundërt me “shkencën dhe artin” e vlerësimit të pasurive të paluajtshme në të gjithë botën. Për këtë, mjafton të kujtojmë se ç’thotë Lou Scott në “Ëhat is Real Estate” për pasuritë e paluajtshme: “Unë rritem dhe shtohem në vlerë përmes ditëve të panumërta. Ndonëse dukem e fjetur, vlera ime rritet, kurrë nuk rresht e nuk venitet; koha është ndihmësi im, popullsia më shton…”. Ndërkohë, nëse u hedhin një sy pasurive që pas procedurave përmbarimore kanë kaluara në pronësi të bankave, ato janë amortizuar ndjeshëm për faktin se lihen në mëshirë të fatit, jashtë vëmendjes administrative, madje dëmtohen qëllimisht për t’u ulur vlerën, ndaj dhe nuk ngjallin interesin e asnjë blerësi të mundshëm rreth e qark tyre.

Gjithashtu nuk është normale që për portofolin e kredive të këqija të penalizohen vetëm huamarrësit, ndërkohë që, personelit të bankave nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë për këtë qëllim. Zakonisht, shumica e kredive të këqija krijohen për shkak të dhënies së pastudiuar të tyre. Parë në këtë këndvështrim, së pari, ato janë përgjegjësi e vetë bankave. Qeveria duket sikur futet në këtë bashkëpërgjegjësi më shumë për inerci të veprimeve të saj radikale ndaj debitorëve, siç qe rasti i debitorëve të energjisë, ujit, detyrimeve tatimore të pambledhura e kështu me radhë. Në rastin konkret, jo vetëm kjo qeveri por dhe ato para saj, s’po i japin zgjidhje një portofoli të keq kredish, të krijuar këtu e 18 vite të shkuara, të cilin e ka vetë në kurriz, siç është portofoli i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, jo më të përkushtohet maksimalisht për atë pjesë që është përgjegjësi direkte e bankave private si pasojë e korrupsionit, që ka prekur rëndshëm përfaqësuesit e saj. Është një korrupsion kaq i shtuar sa  që del edhe përtej mureve të bankës, duke u bërë ortak me përmbaruesit e kësaj kategorie. Mjafton të sjellim një të dhënë të kohëve të fundit për të ilustruar këtë akuzë. Krijimin e skemës korruptive në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm e tregon fakti që bankat ua kanë besuar kontratat e shërbimit vetëm 4 kompanive të shërbimit përmbarimor privat, ndërkohë që janë me dhjetëra zyra të tilla. Konkretisht, nga 18 mijë kontrata, 11 mijë prej tyre u janë dhënë 4 kompanive të shërbimit përmbarimor, të cilat kapin në total një faturë prej 2,8 miliardë euro detyrim në vlerë për ekzekutim. Në këto kushte, nuk e kuptojë dëshirën e qeverisë për t’u bërë pis me dashje në një proces privat, për më tepër duke zhbërë ligjet, normat dhe rregullat shtetërore. Ndërhyra e vetme e saj për mendimin tim do të ishte nxitja e organeve të prokurorisë për të hetuar rreth këtij korrupsioni që “5K”-të e kredisë i ka reduktuar sot në “2K”!?…

*Ish-Drejtor i Përgjithshëm e Agjencisë së Trajtimit të Kredive

SHKARKO APP