Berisha Gjylametit: Më kujton novelën  e Cvajgut “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”

Teksa po fliste në Kuvend lidhur me projektbuxhetin e qeverisë për vitin e ardhshëm, nga foltorja e Kuvendit ish-kryeministri Sali berisha replikoi me deputeten socialiste Blerina Gjylameti.

Shkak u bë firma që deputetja e PS-së ka nënshkruar tek projeligji më i fundit i mazhorancës për lojërat e fatit.

E teksa replikoi, Berisha i citoi Gjylametit se i kujtonte novelën e mirënjohur të Stefan Cvajgut “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”.

Por çfarë nënkuptoi Berisha për deputeten socialiste, “Koha Jonë” sjell për lexuesit një fragment nga novela duke ia lënë lexuesit në dorë çkodifikimin e mesazhit e Berishës përmes vetë veprës së Cvajgut.

Fragment nga novela “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”

– Ngrihuni shpejt! Këtë çast!… Ju thatë: edhe këtë radhë…Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi, por fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin nga inati.

-Lermëni rehat! – thirri. – Sa herë që vini ju, humbas. Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!

Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij shpërtheu dhe inati im.

-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – Gënjeshtar, hajdut: m’u betuat…Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.

-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën mbrojtjen tuaj… Na… na…, merrini paratë që ju kam borxh, – dhe më hodhi disa kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!

Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë, tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, faqe njëmijë njerëzve të huaj, më ngrin gjaku në rrëmba. Dhe e ndiej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngartë dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto, qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar – pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet rrufeja.

Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit.

SHKARKO APP