A duhet të ndërhyjë shteti në ekonomi?

Disa nga pikat nevralgjike të nevojshmërisë së penetrimit të shtetit në ekonomi si ndërhyrës, por edhe si aktor që propozohen në monografi, janë për shembull: roli instrumental i shtetit në politikat tatimore dhe rritja e ndjeshmërisë së tij ndaj mundësive reale të taksëpagimit; trajtimi i evazionit fiskal dhe përsosja e metodave të auditimit; sigurimi i produkteve apo shërbimeve kundrejt qytetarit, pikërisht në ato nyje që tregu i lirë nuk ka veti t’i mbulojë, siç është siguria kombëtare dhe shëndetësia bazë etj.

Nga dr. Mimoza Ahmeti

Titulli i kësaj monografie shtron një pyetje përgjigjja e së cilës ka më shumë se një mundësi formulimi. Para se t`iu referohemi mundësive të shtjellimit, le të themi që në krye të radhës, se në 7 mars, në Salzburg të Austrisë, me rastin e 25-vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, iu dorëzua diploma e anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës, akademik, prof. dr. Anastas Angjeli (njëri edhe nga dy bashkautorët e kësaj monografie në fjalë, tjetri është prof. dr. Aristotel Pano), gjë që më impresionoi thellë e më tundoi të kthej sytë nga kontribuuesi i vlerave. Jo rrallë në kulturën tonë ndodh kështu: kujtohemi për krijuesit e fushave tona, pasi bota i ka vlerësuar ata.

A duhet të ndërhyjë shteti në të vërtetë në ekonomi? Siç e thashë, lejon përgjigjen e më shumë se sa një raporti kjo pyetje. Përgjigja adekuate kërkon të parashikojë mosparashikimin e mundshëm në ekonomi dhe bart brenda riskun e politizimit të vetë pyetjes, në varësi të grupeve të interesave e të nënsistemeve dhe të momentit politik që krijohet mes tyre, për përfitim vetjak. Por duke u shkëputur me kompetencë shkencore prej politizimit, autorët akademikë përpiqen të përmirësojnë dhe zgjatojnë kushtet teorike të vazhdimit praktik të sistemit ekonomik vendës, duke ndriçuar gapet (vrimat) dhe strukturuar metoda për të ndërlidhur elementet me marrëdhëniet dhe procesimin. Sigurimi i vazhdimësisë normale të ekonomisë mbetet baza e vazhdimësisë normale të gjithë autoprocesit social.

Fatkeqësia jonë është se duke ardhur nga një e kaluar e rrudhur, me një shtet qendër që kishte mbledhur në dorë gjithë vullnetin dhe mundësitë, brenda një lirie latente që vetë ai në kontekstin e shteteve të tjera ndante, jemi bërë paragjykues dhe gati fobikë për ndërhyrjen e tij sot në segmente të ekonomisë, për mbarëvajtjen ekonomikisht të qytetarëve; kjo nuk është racionale, dhe autorët me shumë vërtetësi arrijnë ta provojnë nevojën e ndërhyrjes në sektorë të ndryshëm aktualë, apo brenda tyre: pikat ku dhe pse dhe kur duhet!

Lënda nis me një parashtrim teorik të pikëpamjeve klasike dhe pastaj moderne mbi raportin e shtetit me ekonominë, duke i parë këto dy karaktere jo vetëm në ndërlidhje funksioni, por edhe në dallim seksioni brenda formës.

Rryma klasike presupozon një liri konkurrencë pa limit, e cila automatikisht rregullon tregun! Nga pikëpamja e logjikës së kulluar kështu duhet të ndodhë, por ne e dimë që midis logjikës së kulluar dhe terrenit të zbatimit ka mospërputhje, e cila vjen për faktin se strukturat e ideve dallojnë nga ato struktura që quhen praktika jetësore e zhvillimit, pra kasualiteti dhe realiteti takohen pjesërisht në marrëdhënien, dhe që marrëdhënia të vazhdojë duhet observim i vazhdueshëm i saj dhe riformulim i strukturave kuptimore orientuese për të cilën dy autorët kanë ndërmarrë këtë venturë.

Metafizika e ekonomisë dhe ekonomia vetë shifrojnë pikërisht në një pikë atë diferencë që shtyn kërkimin më tutje, duke na dhënë informacion mbi procesin dhe mosparashikim për vazhdimin, i cili thërret për mjetin e ri dallues: konceptin e ri, operuesin!

Rënia në mosparashikim mund të vijë nga injoranca, mund të vijë nga korruptimi, mund të vijë nga sabotimi, por sidomos nga kënaqësia e një rehatie të siguruar nga ndërlidhja tashmë ndërsistemore, që krijon refleksivitet pa reflektim, duke lënë përgjegjësinë e kontekstit vetjak në shpatulla të sistemit matricë. Pikërisht për të shmangur këtë, autorët propozojnë idetë e tyre për kontingjentin.

Siç pohojnë ata, realiteti ekonomik tregon se lëndët e para të prodhimit në planetin tonë nuk janë të pafundme. Po ashtu edhe paradigma e nevojave njerëzore ekspozuar për to dhe që përbën bazën e marrëdhënies konsumator-produkt, edhe ajo është e numërueshme. Përmbushja e saj relativisht, pas një afati kohor, sjell superprodhim nga njëra anë dhe ngurtësimin e parasë e inflacion nga ana tjetër…Por do të shtoja që edhe tregjet nuk janë të pafundme, dhe kështu në shtytjen e diferencimit dhe shtresëzimit, në konkurrencë e sipër, diferenca nuk ka ku të përparojë pafundësisht në liri tregjesh të reja, pasi diferenciali vetë, sistemi si procesimi total, është i mbyllur në kompletësinë e vet, dhe e bën të hapur pikërisht bashkëpunimi mes tregjeve dhe shëndeti i tyre i mirë, që varet shumë nga vitaliteti i brendshëm i secilit treg më vete dhe parapërgatitjes së tij kundrejt mosparashikimit, për të shmangur konfliktimin.

Pra, tregu nuk është vetëm natyrë, por dhe socializim, jo vetëm nevojë, por edhe koncept. Kështu konsumimi i lirisë ekonomike është një kulturë më vete, dhe dizajni i lirisë së vazhdimit të saj: është kjo jo vetëm kulturë sur plus, por edhe kusht i ekzistencës së ekonomisë, e përtej saj.

Eliminimi i risqeve që vijnë nga konkurrenca me metodologjitë si dhe pikat e punkturës të shtetit si agjent inteligjent mbi ekonomi, pa e dëmtuar autonominë e saj, analizohen në vepër me një teorizim intelektual të shkëlqyer, por edhe me një akumulim sasior kërkimesh konkrete në mjedisin e sistemit ekonomik, duke sjellë sasi të mirëfillta dijeje praktike e metodike, jo vetëm për lexuesin dhe audiencën universitare, por edhe për qeverinë tonë dhe rritjen e alertit të saj në ekonominë e vendit.

Disa nga pikat nevralgjike të nevojshmërisë së penetrimit të shtetit në ekonomi si ndërhyrës por edhe si aktor që propozohen në monografi, janë për shembull: roli instrumental i shtetit në politikat tatimore dhe rritja e ndjeshmërisë së tij ndaj mundësive reale të taksëpagimit; trajtimi i evazionit fiskal dhe përsosja e metodave të auditimit; sigurimi i produkteve apo shërbimeve kundrejt qytetarit, pikërisht në ato nyje që tregu i lirë nuk ka veti t´i mbulojë, siç është siguria kombëtare dhe shëndetësia bazë etj.

Ndryshe këtë monografi mund ta quaja edhe një diagnostikim mbi shëndetin e ekonomisë së brendshme dhe recitimin e interferencës së nevojshme të qeverisjes së vendit në ekonomi për mirëvajtjen. Duke hedhur poshtë pikëpamjen e një tregu të kulluar, rrymat moderne të mendimit ekonomist na hapin perspektivë mbi disproporcionet dhe paradokset në ekonomi sot, që shfaqen si kriza papunësie, superprodhim, inflacion, mosleverdi investimi apo të një rentabiliteti fiktiv, a recesional. Këto probleme evidentojnë jo vetëm nevojën për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi por edhe arsyen e vazhdimit të ekzistencës së tij në një farë mënyre, si operator mediatik në mënyrat operacionale ekonomike në një dimension social të caktuar, ku limitet e operacioneve ekonomike takohen me procesorët qeverisës për të krijuar formën dhe vazhdimësinë e saj më tej.

Nga pikëpamja e vetëdijes vëzhguese, kjo monografi është një tregues se në vendin tonë zhvillohet ekspertizë dhe vetëvëzhgim në nivel sistemi, një nga vlerat më të rëndësishme, dhe se punohet për të agreguar semantikat me veprimin praktik dhe aksionin qëllimor.

Duke falënderuar të dy autorët akademikë, do të doja të vija në dukje se ata nuk janë thjesht shkencëtarë, por edhe organizatorë dhe konstruktorë në rang sistemi, siç është për shembull rasti i akademikut Angjeli, nismëtar dhe aktivist i madh i reformave në ekonomi.

Duke perifrazuar fjalën e kryeministrit të vendit tonë, Edi Rama, në takimin që pati këtë vit shkollor në siparin e shpërndarjes së diplomave të studentëve të Mesdhetarit, në Pallatin e Sportit, Tiranë: Profesor Angjeli është jo vetëm ideatori, por edhe programatori kryesor i reformës së madhe në arsimin shqiptar, që ndërroi historikisht faqen e tij, jo vetëm nga aspekti sasior e human i hapjes së dyerve për pranimin e mijëra studentëve të rinj në edukim, por edhe nga standardi strukturor e cilësor- europian i mësimdhënies, përzgjedhjes së autorëve të teksteve, dhe kërkimeve shkencore, si mënyrë nxënieje e krijimi brenda tij dhe metodave empirike në terren, për t´iu dhënë intensitet dinamikave të zhvillimit nëpërmjet formimit të një personaliteti të ri breznor, për akselerimin e raporteve.

Kontributi i kësaj monografie- një dhuratë për mjedisin universitar e më gjerë, është një parashtrim taktik për ndërhyrje strategjike te shtetit në ekonomi, prandaj duhet marrë në shqyrtim prej tij, për të vënë ura midis semantikave dhe dispozitave në vazhdimësi strukture për vendin. MAPO

SHKARKO APP