Analiza/ Jorida Tabaku: Buxheti i arsimit në pikiatë

Së pari, përgëzoj të gjithë mësuesit e sistemit arsimor 9-vjecar për rezultatet e Pisës. Pisa është një provim që zhvillohet në fund të vitit të 9 dhe mat njohuri për 9 vjeçarin. Përmirësimi i rezultateve është një tregues pozitiv duke parë edhe trendin rritës, por besoj se nuk duhet të mjaftohemi me kaq duke parë edhe treguesit e rajonit dhe mesataren e OECD-së. Potencialet e të rinjve tonë por edhe sistemi arsimor me defiçencat e tij janë tregues se ka akoma hapësirë për përmirësim.

Debati i sotëm, në komisionin e Ekonomisë dhe Financës, me ministren e Arsimit u fokusua në buxhetin në rënië të arsimit. Qeveria që premtoi rritje të fondeve të arsimit në 5% të PBB e ka ulur atë në nivelin historik të 2,3% të PBB-së. Çdo program buxhetor është në rënie mesatare me 10%, duke ndikuar në cilësinë e arsimit dhe në numrin e nxënësve për klasa.

Në mënyrë të veçantë Arsimi Bazë (përfshirë edhe parashkollorin) dhe Arsimi i Mesëm kanë uljen më të lartë, sidomos sa i takon infrastrukturës. Për pasojë, ka një dështim në investimin sa i takon arsimit nga ana e ministrisë, ku deri më sot nuk ka asnjë objekt arsimor të ri të ndërtuar. Mjafton të kujtoj që “Programi për internetin në klasa” është ndaluar dhe fondet prej 2,8 mln usd kanë shkuar për rehabilitim të godinës së Ministrisë së Arsimit.

Shqetësim të veçantë paraqet Arsimi i Lartë, që nga një fond që ishte sa 0,7% të PBB-së sot ka përfunduar në 0,4% të PBB-së. Kjo ulje e shpenzime në Arsimin e Lartë vë në rrezik për herë të parë pagat e pedagogëve të brendshëm të cilët me buxhetin e shtetit mund të paguhen vetëm për 9 muaj. Ndërkohë që Ligji për Arsimin e Lartë parashikon që qeveria do të japë para nga buxheti i shtetit për Universitetet Private edhe pse ka ulur shumën për ato publike. Për rrjedhojë Universitetet Publike kanë rritur tarifat e Arsimit të Lartë në disa raste mbi 30%, duke krijuar një barrë të
papërballueshme për studentët e familjet shqiptare. Në kushtet kur për të gjithë sektorët ka pasur ulje të çmimeve IÇK tregon se në dy vjet Arsimi i Lartë është ndër dy zërat e vetëm që kanë pasur rritje, pra inflacion.

Ende sot, nuk kuptojmë se përse librat e fëmijëve kushtojnë më shumë se sa para tre vitesh? Përse buxheti i shtetit vazhdon të japë më pak para edhe se sa viti 2013? Përse qeveria vazhdon të financojë në mënyrë të padobishme qendra qytetesh ndërsa e ardhmja jonë mbetet e keq ushqyer me dije?! Arsimi kërkon investime në infrastrukturë, arsimi kërkon përkushtim, e arsimi kërkon që të jetë prioritet. Qartësisht nuk është më!

Përgjigje të cilat nuk arrita t’i marr nga ministrja e arsimit sot në seancën dëgjimore.

SHKARKO APP