Buxheti 2017 dhe “plagët” e biznesit

Nga Feti ZENELI/Siç dihet, Buxheti i Shtetit konsiderohet në thelb një akt i mirëfillt politik, pasi ai reflekton në mënyrën më të plotë dhe domethënëse politikën e qeverisë për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, jo thjeshtë përgjatë vitit ushtrimor. Në këtë kuptim, Buxheti përbën instrumentin kryesor të aksionit ekonomik të qeverisë, pasi duke qënë sa afro 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ai zë një vendin kryesor në politikën tonë ekonomike. Të ardhurat dhe shpenzimet e një shteti të tërë janë, pak a shumë, një shumatore e të ardhurave dhe shpenzimeve për secilin individ të veçantë. Ashtu si individi apo familja, që i planifikon shpenzimet, në bazë të të ardhurave mujore që ka në dispozicion, ashtu edhe qeveria i planifikon shpenzimet që do të kryej në bazë të buxhetit që harton. Kësisoj, ajo programon se sa nga të ardhurat e saj do të shpenzohen përgjatë një viti për pagat, për pensionet, për spitalet, për arsimin, për investimet publike, për mbrojtjen e vendit e kështu me radhë. Ndaj, nisur nga premtimet e bëra dhe shpresa për mbajtjen e fjalës së dhënë, diskutimi dhe miratimi i Buxhetit të Shtetit zgjon një interes të madh publik të mjaft aktorëve dhe faktorëve, duke përfshirë këtu të gjithë grupmoshat e popullsisë.

Si rregull, 20 nëntori përbën afatin e fundit për dërgimin në Kuvendin e Shqipërisë të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale të çdo viti. Në vazhdën e një tradite të tillë ligjore ka filluar, këto ditë, diskutimi në Komisionin e Ekonomisë për projekt-buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2017. Por ka dhe një traditë tjetër tek ne, që shoqëron diskutimin dhe miratimin e Buxhetit të Shtetit së bashku me paketën fiskale që e shoqëron, e cila lidhet me “sherrin” e veçantë mashorancë-opozitë për treguesit e ofruar. Kështu që, ndryshe nga ministri aktual i Finacave, Arben Ahmetaj, i cili e prezantoi Buxhetin e 2017-ës si më të mirin “…në të gjitha termat”, ish-ministri demokrat i po këtij dikasteri, Ridvan Bode, e denoncoi atë si draftin, “…që nuk mban asnjë nga premtimet elektorale të mazhorancës…” dhe e cilësoi si “…buxhet i braktisjes së qytetarëve”. Në analizë të fundit, individi jep dhe merr në Buxhet nëpërmjet dorës së Shtetit. Jep taksa dhe merr paga e shërbime nëpërmjet kësaj dore. Natyrisht, në raporte të caktuara, me synimin, që të harmonizohen drejt interesat e shtetit me ato të individit. Sa më të mëdha të jenë të ardhurat buxhetore, aq më të shuma janë mundësitë e shtetit për të shpenzuar në interes të përmirësimit të jetës së çdo qytetari të veçant dhe asaj të komunitetit në përgjithësi.

Ky është buxheti i fundit që diskuton dhe miraton mazhoranca e majtë, qysh pas fitores së pushtetit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ndërkohë, qeveria aktuale ka shpalluar disa objektiva ambiciozë për t’u arritur në projekt-buxhetin e 2017-ës, si; rritje ekonomike 3,8 për qind, 20 miliardë lekë për mbështetjen e disa reformave të rëndësishme në vend, 100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve, shtimin e investimeve në masën 5 për qind të GDP-së, etj. Por plotësimi i buxheteve të deritanishëm lë shumë për të dëshiruar, ku dëshmia më e fortë në këtë drejtim duhet se buron nga miratimi para pak kohësh i aktit për shkurtimin e shpenzimeve publike të parashikuara në buxhetin e vitit në vazhdim. Të shkurtosh shpenzimet publike në vitin e parafundit të qeverisjes, do të thotë ta mbyllësh “me brekë nëpër këmbë” mandatin e “një milionë shuplakave”, që ke trumbetuar me të madhe. Mjafton të analizojmë rritjen ekonomike, që qëndron në bazë të plotësimit të të gjithë treguesve të tjerë. Lidershipi i majtë premtoi se do të mbyllte mandatin me 5 për qind rritje ekonomike, por kur kanë mbetur edhe rreth 6 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ky tregues është në kufijtë e 2,5 për qindshit. Le më të kujtosh se 400 mijë shqiptarë jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë dhe mbi 200 mijë të tjerë ja kanë mbathur “nga këmbët sytë”!?…

Këto fakte mjaftojnë për të treguar, se planifikimi i treguesve të Buxhetit 2017 mund të jetë bërë, duke anashkaluar një kriter të rëndësishëm për hartimin e tij, që është marrja në konsideratë e realizimeve të deritanishme. Por më e keqja duket se është anashkalimi i gjendjes së biznesit pas aksionit anti-informalitet, ndërkohë që të ardhurat tatimore zënë gjithnjë “pjesën e Luanit” në të ardhurat e përgjithshme buxhetore. Siç dihet, aksioni masiv kundër informalitetit u trumbetua nga qeveria si një masë e rëndësishme për rritjen e të ardhurave buxhetore dhe konsolidimin fiskal të biznesit. Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani gjatë prezantimit të kësaj reforme tha, veç të tjerash, se vetëm në tre muajt e parë të këtij aksioni, që si periudhë kohore përkonte me tremujorin e fundit të vitit 2015, do të arrinte të siguronte mbi 300 milionë euro të ardhura tatimore. Tashmë, që ka kaluar më shumë se një vit nga nisja e këtij aksioni, është momenti për të bërë bilancin e rezultateve të arritur, të cilat konsiderohen edhe si një bazë për realizimin e objektivave buxhetor për vitin e ardhshëm. Por fatkeqsisht peshorja anon në krahun negativ, pasi nga mulliri i luftës kundër informalitetit dolën më shumë “krunde” se sa “miell”. Konkretisht, pas formalizimit të 37 mijë bizneseve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, 90 mijë biznese të tjera kaluan në status pasiv, ndërsa borxhi tatimor vetëm për vitin e kaluar u rrit me 100 milionë euro, i cili përbën ritmin më të lartë vjetor që kur institucioni taksambledhës nisi të arkivojë borxhet e biznesit. Sipas një sondazhi të revistës “Monitor” rezulton se ishin gjobat e larta dhe pamundësia për të mos i paguar dot ato, arsyeja që i shtyu shumë biznese drejt vendimit drastik të kërkesës për çregjistrim.

Pasojat e këtij aksioni u bënë edhe më të rënda kur Ligji i ri i Procedurave Tatimore, që u miratua dhe u shfuqizua brenda 2015-ës, dhe që në themel kishte 10-fishimin e gjobave për shkeljet e lehta, i traumatizoi përfundimisht bizneset, të cilat ngrinë planet e investimeve dhe pushuan kërkesën për kredi bankare. Situata e krijuar mbajti larg investitorët e huaj që kishin plane ambicioze për investime në Shqipëri, teksa kompanitë më të mëdha në vend, si Tirana Airport Partners dhe Bankers Petroleum, për shembull, dolën në shitje. Ndërkohë, që ritmi i rritjes së të ardhurave ra gjatë 2015-ës në 3,7 për qind ose me afro 4 herë  më shumë se sa në 2014-ën, ra njëkohësisht dhe parashikimi për të grumbulluar 300 milionë euro të ardhura nga aksioni anti-informalitet. Gjitashtu, në vitin e kaluar, krahasuar me 2014-ën, përveç shtimit në numër të subjekteve debitore me 6408 raste të tilla, edhe borxhi tatimor u rrit më 12,6 miliardë lekë ose me afro 100 milionë dollarë amerikan. Për pasojë, Shqipëria pa rënien më të madhe në Indeksin Doing Business të Bankës Botërore, qysh nga viti 1997, duke u zhvendosur 35 vende në renditjen e 2016-ës.

Në sfond, pasojat sociale kanë qenë edhe më të rënda, ku me mijëra shqiptarë, të pasigurt për të ardhmen në vendin e tyre, ishin të dytët passirianëve si azilkërkues në Gjermani dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Në këto kushte, klima e biznesit preku fundin. Indekset që masin këtë tregues shënuan përkeqësim të dukshëm gjatë dy viteve të fundit. Konkretisht, treguesi i Indeksit të Besimit të Dhomës amerikane, që mat elementë të rëndësishme, të tillë si; politikat e qeverisë, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe gjithashtu element të lidhur me performancën e bizneseve dhe të ekonomisë shqiptare, për vitin e kaluar ka shënuar rënie të ndjeshme, me 4,83 pikë përqindjeje. Kjo është hera e parë që ky indeks shënon rënie kaq të madhe, që nga 2012-a, i cili përbën vitin e parë kur u mat një indeks i tillë. Në këto kushte, Dhoma gjermane e Tregtisë e renditi Shqipërinë si vendin e fundit në rajon, ku gjermanët do të donin të investonin. Ndërsa diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar të investimeve që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, i kanë orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore që i shtyjnë investitorët e huaj të mos i afrohen vendit tonë.

Përveç treguesve ekonomiko-financiarë dhe atyre statistikorë, duket se ngjarja më e rëndë e këtij aksioni është humbja e besimit tek politikat qeverisëse. Presioni psikologjik, që në kohët e sotme është po aq i rëndësishëm sa edhe vendimet ekzekutive, e ka goditur në atë masë biznesin vendas dhe investitorët e huaj, sa do të duhen vite që institucionet qeveritare të rifitojnë betejën me besimin e humbur. Kjo situatë provon edhe njëherë tjetër, se pavarësisht propogandës parazgjedhore dhe retorikës së përditshme “për të qarë hallet e popullit”, në veprimtarinë e saj vendim-marrëse, qeveria jo vetëm nuk ka arritur të ruajë e të përmirësojë nivelin e jetesës së shumicës së popullsisë siç kishte premtuar në fillim, por edhe ka ruajtur pozitat e privilegjuara ekonomike të biznesit dhe sipërmarrjeve të mëdha, duke rënduar pjesën tjetër të shoqërisë. Një numër analistësh të ekonomisë por jo vetëm,  mendojnë se kjo situatë vjen edhe për shkak të mbipërfaqësimit politik në Kuvendin e Shqipërisë të interesave të biznesit të madh, si dhe të fuqisë përcaktuese mbi qeverinë në vendim-marrjet e saj kryesore mbi prokurimet publike, mbi pasuritë shtetore, mbi të drejtat ekskluzive të shtetit, etj., të atyre që në gjuhën e përditshme politike quhen “oligarkë”.

Shtimi i varfërisë për shkak të këtij deformimi të funksionimit të sistemit nuk mund të mos ndikojë edhe në përkeqësimin e funksionimit të demokracisë sidomos në aspektin elektoral, në mungesën e kërkesës së llogarisë së Kuvendit të zhytur në konflikt interesi nga një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të tij, gjë që lë shteg për keq-qeverisje dhe ushtrim abuziv te pushtetit politik. Së fundi, edhe implikimet që krijon tranzicioni i sistemit të drejtësisë pas ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2016 nuk mund të mos ndikojnë negativisht edhe në jetën e biznesit në vend, sidomos sa i takon krijimit të një klime besimi midis sipërmarrjes private dhe qeverisë qëndrore dhe asaj lokale për të ardhmen.

Është kjo arsyeja që ekspertët e ekonomisë, financave dhe shoqatat e biznesit parashikojnë se edhe në muajt që pasojnë do të ketë pasiguri në investime, pritshmëri të ulët për konsumin (pa të cilin s’ka prodhim), ulje të ndjeshme të kapacitetit prodhues të biznesit, falimentime të tij, papunësi të shtuar, etj. Me pak fjalë, do të vihet seriozisht më rrezik plotësimi i objektivave të projekt-buxhetit 2017, edhe për shkak të plagëve që krijoi tek biznesi aksioni i dhunshëm anti-informalitet dhe keqqeverisja në përgjithësi. Me shumë gjasa edhe këto objektiva buxhetorë të vitit të ardhshëm do të kenë fatin e premtimeve elektorale të 2013-ës, nga të cilët, jo vetëm s’u realizua asnjë, por treguesit e tyre u përkeqsuan edhe më tej.

SHKARKO APP