Buxheti 2017, rritja e pagave, sa përfiton çdo kategori. Paga minimale do të rritet me 8 mijë lekë

Rritja e pagave në mars të vitit të ardhshëm do të prekë 110 mijë punonjës në shkallë vendi. 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publike dhe 81 mijë përfitues janë punonjës administrate në nivel qendror dhe lokal. Rritja e pagave do të jetë e diferencuar, nga 10% deri në 36%.

Rritja e pagave

Ministria e Financave ka hartuar projektin e detajuar për rritjen e pagave për të gjithë buxhetorët. Sistemi arsimor, parauniversitar dhe universitar, punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e policisë do përfitojnë rritje page në masën 10%, ndërsa punonjësit e administratës rritje page me 7%. Rritjen më të lartë do ta përfitojnë punonjësit që trajtohen me pagë minimale, e cila do të rritet me 36% ose me 8 mijë lekë në muaj. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se drafti do të kalojë së shpejti në Kuvend për miratim.

Kostoja për buxhetin

Janë rreth 6.900 punonjës të administratës që trajtohen me pagë minimale dhe të cilët do të përfitojnë rritje page me 8 mijë lekë në muaj. Për buxhetin e shtetit, shtesa prej 36% për këtë kategori do të ketë një kosto 1 miliard lekë në vit.

Numri i përfituesve në sistemin arsimor është rreth 38.000 dhe fondi i parashikuar për këtë kategori është 1.8 miliardë lekë për një vit. Ndërsa, për 8.000 punonjës të tjerë, edukatoren kopshtesh në varësi të bashkive, fondi është 500 milionë lekë.

Numri i përfituesve në sistemin e shëndetësisë është rreth 18.500 mjekë dhe infermierë, dhe fondi i përcaktuar për këtë kategori është 1.5 miliardë lekë. Rritja e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10.000 punonjës policie dhe fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 800 milionë lekë.

Miratimi i FMN-së

Buxheti i vitit 2017 ka marrë miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. I vetmi kusht që ka vendosur FMN-ja është shlyerja e borxheve të krijuara rishtas dhe moslejimi i akumulimit të borxheve të reja. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe shefja e Misionit të FMN-së, Anita Tuladhar, dhanë sot një deklaratë për mediat, ku bënë publike dakordësinë e arritur për parametrat kryesorë të buxhetit 2017.

“Patëm dakordësi të plotë me misionin e FMN-së për buxhetin 2017. Pati debate të vështira, por produktive. Jemi në të tretin vit radhazi me rritje ekonomike, e cila do të përshpejtohet në 2017-ën, me 3.8%, dhe do të kalojë pragun e 4% në perspektivë”, – tha ministri Ahmetaj.

Shefja e Misionit të FMN-së, Anita Tuladhar, tha se arriti një marrëveshje me qeverinë për buxhetin 2017 dhe politikat bazë, duke i kushtëzuar me zgjidhjen e detyrimeve të prapambetura që mund të krijohen rishtas. “Buxheti 2017 ka synim një suficit primar me 0.7% të PBB-së dhe qeveria është angazhuar për të pasur një paketë fiskale”, – tha ajo.

Ndërsa ministri Ahmetaj shtoi se rritja ekonomike do të ndikohet nga investimet e huaja në energjetikë, stabilizimi i partneritetit tregtar dhe reformat strukturore në kuadër të integrimit në BE. Ai tha se programi me FMN-në ka arritur objektiva të mjaftueshëm dhe ka rritur besimin në ekonomi. “Një nga arritjet kryesore të programit është ekuilibri fiskal. Borxhi publik në 2017-ën do të ulet me 3%. Janë marrë një sërë masash konkrete për stabilizimin e sektorit financiar”, – shtoi ai.

“Në vijim të ndryshimeve, buxheti i vitit 2017 është buxheti i financimit të reformave të rëndësishme strukturore, investimeve dhe produkteve për çdo sektor për ekonominë dhe qytetarët”, – tha ministri.

Buxheti i 2017-ës do të jetë në vijat e programit me FMN-në, me një deficit 2% dhe me një balancë primare pozitive me 0.7%, për herë të dytë pas 2016-ës, ku balanca pritet të jetë 0.4% e PBB-së. Ahmetaj tha se “mbetemi të angazhuar për stabilitetin e financave dhe implementimin e reformave”. “Kemi sfida si vit elektoral, sidomos me zbatimin e reformës në drejtësi”, – përfundoi ai./BW/

SHKARKO APP