Çeku i bardhë

Fejton nga Hyskë Borobojka/Kanë kaluar një çerek shekulli e ca, kur ishte nisur e po vinte me bujë të madhe në vendin tonë “Çeku i bardhë” Të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, duartrokitën e brohoritën sa u lodhën për këtë “sihariq kësmet” që do të lulëzonte e zbukuronte vendin.

-Ç’na duhen këto “vjetërsira” që na la i la peshqesh regjimi i shkuar. O burani t’u vëmë kazmën e t’i rrafshojmë që nga themeli. Do të ndërtojmë e do stolisim të reja “moderne”, të kohës së re, që kush t’i shohë të lërë sytë e mentë. Ja po vjen kaluar në kalin e premtimeve “Çeku i bardhë”!? – thanë disa të “mençur”, që i kishin hipur kalit së prapi.

Kaq ishte “sihariq kësmeti” dhe u ranë, uzinave, kombinateve, fabrikave, punishteve dhe çdo gjë që ishte krijuar e ndërtuar ndër vite, duke i kthyer në gërmadha dhe hekurishte. Përse t’i mbanin këto “shëmtira” të regjimit të kaluar?! Përse t’i donin?! Po vinte “Çeku i bardhë”, mjafton të hidhje një firmë në të dhe paratë derdheshin lumë, për të ndërtuar e përuruar vepra të reja të kohës moderne. Pastaj iu turrën tokës e natyrës. I prishën hidrovoret, kanaleve kulluese e vaditësi ua hoqën pllakat për të ndërtuar shtëpi. Prishën e shkatërruan sistemimin e tokave, prenë jo vetëm drurët pyjore, por edhe pemët frutore, aq sa s’lanë gjë në këmbë, duke kthyer vendin në tokë të djegur. Por s’qe kësmet t’i gëzonim të mirat e tij, pasi ai qerrata “Çeku” ngatërroi rrugën humbi dhe  na la me gisht në gojë.

Koha bën të vetën, rrjedh e shkon si ujët. Pas kaq vitesh që e kishim e harruar historinë e tij, kur ç’të shohim?! Ai u shfaq përsëri. Kësaj here jo i ardhur nga jashtë vendit, si një çerekshekulli e ca më parë, por në fundin e tetorit të këtij viti. Autori i këtij “Çeku” të ri, ma ishte presidenti i një klubi sportiv. Ai thirri në një mbledhje ekipin e tij të topit të këmbës dhe bashkë me ta dhe stafin teknik, si dhe të gjithë drejtuesit e tjerë dhe u mbajti një fjalim të shkurtër, duke u thënë: “Fitoni ndeshjen me kundërshtarin dhe më thoni shifrën e shpërblimit që dëshironi. Jepni gjithçka në fushën e betejës se do të keni “Çekun e bardhë”. Për t’u ardhur në ndihmë për fitoren e kësaj “beteje” po nisim autobusë pa limit me tifozë të thekur”. Lojtarët i premtuan se do ta fitonin me çdo kusht këtë betejë. Pas këtij fjalimi të shkurtër, lojtarët u kumbisën në autobusin e tyre, ndërsa tifogrupet zunë vend në autobusët pa limit dhe u nisën drejt  “fushës së betejës” në “Elbasan Arena”. Ku do të zhvillohej lufta sportive ndërmjet dy ekipeve të topit të këmbës. Me të arritur në vend autobusët palimit, një skuadër tifozësh të zjarrtë, me gurë e me drurë, i zunë pritë kundërshtareve në hyrje të qytetit, duke u shkaktuar disa dëme në mjetet udhëtuese. Të tjerët mbushën shkallët e stadiumit, Ndërsa tifozët parlamentarë e qeveritarë, zaptuan tribunën “VIP”. Kësaj here ndonjë prej tyre nuk kishte veshur kostumin e parlamentarit që harton e voton ligje, apo të qeveritarit që i zbaton ato, por atë të tifozit të zjarrtë zhurmëmadh për skuadrën e zemrës. Si duket ata kishin ardhur në tribun “VIP” të stadiumit për të sjellë përvojat e pasura të ndeshjeve në sallën e Parlamentit.

Sa filloi beteja ndërmjet dy ekipeve në qilimin e blertë, nisi edhe beteja ndërmjet tifogrupeve të dy ekipeve, duke mos lënë fjalë sharjeje e ofeze në fjalorin e gjuhës së bukur shqipe. Tifogrupet e të dy ekipeve, në fushën e betejës shohin vetëm lojtarët e skuadrës së tyre të zemrës. Çdo ndërhyrje të tyre të gabuar apo të rëndë ndaj kundërshtarit e quajnë të mirëqenë e të rregullt, e përshëndesin dhe e duartrokasin. Kur qëllon që lojtari kundërshtar ndërhyn e ia merr rregullisht topin tjetrit, tifogrupet thërrasin e bërtasin, duke kërkuar që gjyqtari ta ndëshkojë, jo me karton të verdhë, por të kuq. Dhe kur e shohin që s’po plotësohet premtimi për të përfituar “Çekun e bardhë” të premtuar, fillon katrahura, jo sikur është një ndeshje e topit të këmbës ndërmjet dy ekipeve rivale, por një ndeshje gladiatorësh. “Çeku i bardhë” i flon: “Sytë nga… “bishat”, të mos lihet gjë pa bërë, vetëm fitorja e “premtuar” të arrihet.

Beteja në fillim nisi sëmbari. Sulmet dhe kundërsulmet filluan me furi, Tifogrupet herë brohorasin e herë shajnë me libër shtëpie. Ndërsa topi vjen vërdallë në tapetin e gjelbër, nga këmbët e një lojtari te këmbët e koka e tjetrit. Por ç’e do, s’po futet dot në “verzomat” e portës kundërshtare. Me gjithë mbështetjen e madhe të tyre, me thirrje, brohoritje, sa merr zë kodra e Krastës përballë. Dhe kur e shohin se s’kanë ç’i bëjnë gomarit i bien samarit, fillojnë sulmet frontale, jo më vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Vihen në veprim flakadanët, shashkat, rodhanët e letrave, shishet, tymueset. Kaq u desh që të zhvendoset beteja

 nga fusha e gjelbër në shkallët e stadiumit, ndërmjet tifogrupeve dhe 300 policëve “Spartanë”. Policët të armatosur me shkopinj gome, për të qëlluar tifozët ku të mundin. Ndërsa këta të fundit shkulin stolat e i vërtisin drejt policëve. Në përfundim të betejës bëhet bilanci i “luftës”.  120 ndenjëse të flakura e të thyera, numëron policia, (310 raporton Federata e Futbollit). Gjatë betejës dy policë mbetën të lënduar të goditur me sende të forta e disa tifozë të gjakosur. Disa policëve, që morën pjesë në këtë betejë, u janë dëmtuar sendet mbrojtëse. Ndërsa drejtuesit e klubeve po përgatisin dosje voluminoze, ku do përshkruajnë me hollësi çdo detaj të betejës, të humbjeve (se fitore nuk pati) si dhe një shkresë kundër gjyqtarit që s’i ndau drejt kartonët e verdhë e të kuq, që nxori nga xhepi, disa nga lojtarët i ndëshkoi e të tjerët i favorizoj. Futbollistët dalin kokulur e me lot në sy nga tapeti i gjelbër, se nuk e fituan dot “Çekun e bardhë” të premtuar.

-Ma vjen keq që s’e fituat dot betejën e u iku nga duart “Çekun e bardhë”, – u thanë lojtarëve të dëshpëruar, – pasi paratë e tij do  paguajnë stolat e thyera e gjobat e Komisionit të Disiplinës. Ndërsa tifogrupet e zjarrtë të tifozëve i falënderuan për kontributin që dhanë e i  ngushëlluan për mos fitimin e betejës, pasi klubi është në krah të tyre dhe i siguron se ai qerrata gjyqtari, që na i hoqi nga duart fitoren, e kemi shpallur “non-grata” dhe s’do ta pranojmë më, jo vetëm arbitër kryesor me titull, por as anësor apo prapa portës. Nuk fituat dot, por me një të qorrollisur nuk shitet kali. Beteja të tjera na presin, do luftojmë e do fitojmë.

SHKARKO APP