Çfarë sjell mungesa e performancës së investimeve publike
Roli i KLSH – së në drejtim të përmirësimit të përdorimit të parasë publike
Nga Ing. Jonild Hoxhaj & Ryisim Xhaja*
Ligjshmëria është një ndër elementët të cilët përbëjnë thelbin e një shteti ligjor dhe si e tillë ajo dikton të drejtat e çdo shtetasi, por sidomos e të gjitha organeve shtetërore, zyrtarëve dhe të gjithë punonjësve që janë pjesë e administratës në shërbim të publikut të gjerë. Përveç të drejtave ligjshmëria përcakton për të gjithë ligj zbatuesit e mësipërm kufijtë e juridiksionit. Kjo do të thotë se ligji është njëkohësisht e drejta dhe kufizimi i veprimtarisë.
Në drejtim të investimeve publike apo private, përcaktues të të drejtave dhe kufizimeve gjatë punimeve të ndërtimit janë Ligji nr. 8402 datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve te ndërtimit” i ndryshuar me Ligjin nr. 20/2013 datë 14.02.2013 si dhe aktet nënligjore që rrjedhin prej tij. Në rolin e gardianit të financave publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit auditon investimet e realizuara me fonde publike nëpërmjet gjurmëve dokumentare për të verifikuar përputhshmërinë e akteve nëpërmjet dhënies së një vlerësimi objektiv, profesional e të pavarur, mbi shkallën e ndjekjes nga subjekti i audituar të rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, mbi të cilat është rënë dakord. Një tjetër ligj në bazë të të cilit kryhet auditimi i investimeve publike është edhe ai Nr. 9643, datë 20.10.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar si dhe përcaktimet e rregulloreve përkatëse sipas VKM nr. 914 datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar. Pra, të dy këto ligje së bashku me udhëzimet që rrjedhin prej tyre janë udhërrëfyesit, për operatorët apo firmat e ndërtimit të cilët ofertojnë dhe pas përmbushjes së kritereve të paracaktuara lidhin kontrata për punë publike si dhe ndjekin rrugën për zbatimin e këtyre kontratave. Nga eksperienca e auditimit të investimeve, duke marrë për zanafillë procedurën e prokurimit të tyre (prokurimi i punëve publike) dhe si pikë mbyllëse marrjen përfundimtare në dorëzim të investimit, ka treguar se e gjithë kjo linjë procedurale operon mbi shumë vakume ligjore e teknike dhe shpesh ka një karakter formal në hartimin dhe plotësimin e dokumentacionit.
Por çdo të thotë “karakter formal” në një rast të tillë???
Dy elementët thelbësorë të një prokurimi për punë publike janë puna që duhet realizuar dhe fondi i vënë në dispozicion për këtë investim, pra çfarë do të bëjmë dhe sa para kemi. Të dyja këto diktohen përkatësisht nga projekti i zbatimit si dhe nga preventivi përkatës i punimeve. Pavarësisht se përbëjnë shtyllën nëpër të cilën zhvillohet e gjithë procedura, nga prokurimi deri tek marrja në dorëzim, konstatohet (shpesh, por jo gjithmonë) se projektet dhe preventivët jo vetëm që nuk përmbushin shumë kërkesa dhe janë të pa detajuar por janë shpesh një “punë falas” nga vetë projektuesit, kjo referuar si gjurmëve të auditimit ashtu edhe komunikimeve verbale të bëra me subjektet e audituara dhe personat përgjegjës. Si një punë e tillë, përgjegjësia e projektuesit për pasaktësitë që shfaq investimi në vijim të zbatimit të punimeve është zero, kjo për të vetmen arsye se vetë Titullarët nuk mund kurrsesi të kërkojnë saktësi dhe të ngarkojnë me përgjegjësi për një projekt të bërë falas dhe pa një kontratë shërbimi për të përcaktuar edhe detyrimet mes palëve. Parë me një sy kritik projekt preventivë të tillë do tu shkonte më tepër për shtat emri “justifikim fondi” dhe jo argumentim fondi, siç e përcakton edhe ligji Nr. 9643, datë 20.10.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar. Kështu, me një projekt falas dhe një “justifikim fondi” nis një procedurë prokurimi që përcakton kritere të veçanta të cilat në parim duhet të jenë në përputhje dhe në proporcion me nevojat e investimit në fjalë.
Gjatë auditimit konstatohen jo pak raste ku kriteret e përcaktuara nga Autoritet Kontraktore (Bashki, Ministri, Institucione të tjera publike), janë të tilla që kufizojnë nga pjesëmarrja në këto gara publike një gamë të gjerë subjektesh ndërtimi. Madje ato shkojnë më tej duke diktuar haptazi nëpërmjet këtyre kritereve se cili do të jetë fituesi i radhës. Si çdo anomali ligjore edhe ky fenomen ka pasojat e veta të cilat janë sa diskriminuese për subjektet e ndërtimit ashtu edhe në dëm të financave publike, kjo për aq kohë sa konkurrenca e lirë cenohet padrejtësisht. Ndryshe nga manipulimi i rezultatit të një ndeshjeje, si pasojë e të cilës preken interesat e një kategorie të caktuar individësh, manipulimi i garave publike është në dëm të çdo kujt prej nesh si qytetarë pasi janë vetë financat publike të cilat preken drejt për së drejti nga këto veprime dhe mosveprime duke i përdorur fondet për këto investime pa efektivitetin eficiencën dhe ekonomicitetin e duhur. Në kushtet kur një garë publike ka të paracaktuar fituesin, realizimi i një procedure prokurimi nuk është më tepër se sa një procedurë formale, ashtu siç edhe u shpreh në krye të këtij paragrafi. Kjo do të thotë shpenzim i tepërt i fondeve (sidomos në rastet kur efektiviteti i prokurimit është i ulët), diskriminim dhe pabarazi në trajtimin e operatorëve ekonomikë, rritje e kostos së investimit si dhe përdorim pa efektivitet eficiencë dhe ekonomicitet i burimeve njerëzore, materiale dhe atyre monetare.
Për të thënë saktësisht se cilët janë personat realisht përgjegjës dhe të përfshirë mbi deformimin e këtyre garave publike nëpërmjet kthimit të tyre në procedura formale si dhe plotësimin e një dosjeje me fitues të përcaktuar paraprakisht është një çështje jo fortë e lehtë. Kjo çështje bëhet edhe më e vështirë për vetë faktin se gjuha dokumentare apo gjurmët e auditimit nuk mund të shprehin më tepër nga ajo çka shkruhet nëpër dokumentet zyrtare. Por, ajo që është e sigurtë është se Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka denoncuar rastet në institucionet përkatëse duke vënë para përgjegjësisë jo vetëm nivelin ekzekutiv të administratës por edhe nivelet drejtues e deri tek Titullarët e institucioneve të audituara. Për të parë dhe vlerësuar rezultatet e një pune sigurisht që nisemi nga ajo çka është parashikuar, pra nga ajo çka kemi dashur të realizojmë, cilat kanë qenë objektivat, qofshin këto materiale, monetare, sociale etj., dhe çfarë e në çmasë janë arritur. Në këto kushte, kur objektivat e synuar nuk kanë qenë specifike dhe konkrete, nuk mund as të thuhet nëse investimi ka qenë efektiv apo eficient, pavarësisht ekonimicitetit. Mungesa e të parashikuarit saktë të asaj çka duhet të realizojmë bën që në ditët e sotme të kemi investime, të amortizuara në një kohë tejet të shkurtër nga koha e ndërtimit të tyre, investime të panevojshme, të pa domosdoshme, jo primare por me të vetmin qëllim realizimin formal të tyre.
KLSH, si një institucion suprem dhe me një përgjegjësi të lartë në drejtim të mbrojtjes së financave publike, promovon dy parime shumë të rëndësishme që janë përgjegjshmëria dhe transparenca. Të dyja këto parime qëndrojnë në themel të të gjithë punës drejtuese dhe janë një frymë që duhet të kenë dhe të promovojnë vetë Titullarët. Do të ishte me të vërtetë me vlerë sikur të ekzistonte mundësia e vlerësimit të përgjegjshmërisë dhe të transparencës si dhe të shkallës më të cilën vetë ata, Titullarët, i kanë promovuar këto dy parime deri në nivelet më të ulëta ekzekutive. Me një nivel më të lartë përgjegjshmërie dhe transparence, me objektiva e qëllime konkrete, të qarta, të dobishme dhe në përputhje me nevojat faktike, investimet publike do të mund të ktheheshin në një zgjidhje për komunitetin dhe ato kategori individësh për të cilat realizohet.
Pikërisht, për domosdoshmërinë që paraqet orientimi i duhur i financave publike, pjesë e të cilave janë edhe planifikimi dhe zbatimit i fondeve për investime publike, u bë e mundur që me ligjin e ri për KLSH, Ligjin nr. 154/2014, date 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, në nenin 13 të tij, të përfshihej edhe auditimi i performancës. Megjithatë, duhet theksuar fakti se nuk mjafton puna dhe vullneti i një institucioni të vetëm si KLSH në luftën kundër abuzimeve me fondet publike. Ajo që duhet theksuar në këtë rast është fakti se Kontrolli i Lartë i Shtetit është përherë në mbrojtje të interesave të parasë publike e sidomos prej vitit 2012 e në vijim ku treguesit e përformancës institucionale janë gjithnjë e në rritje. Kjo mbështetje ndaj qytetarëve shprehet nëpërmjet të bërit publik të abuzimeve nga strukturat përgjegjëse, parandalimit të tyre përmes rekomandimeve të lëna apo kallëzimeve penale por mbi të gjitha nëpërmjet trajtimit të ankesave konkrete që vijnë nga qytetarët, ankesa të cilat shqyrtohen jo vetëm nga audituesit e KLSH – së por vëmendje e veçantë u kushtohet edhe nga vetë nivelet drejtuese të institucionit.
*Auditues të Lartë, KLSH