Dervishaj: Reshje dëbore deri në 40 cm dhe erëra deri në 50 km në orë

Në intervistën e parë si ministër i Transporteve, Sokol Dervishajt iu desh të përball me një situatë emergjente për shkak të motit të keq.

I ftuar në studion e “Tonight Ilva Tare” në Rtv Ora News, tha se në fund të situatës do të bëhet një analizë e plotë për të gjithë sektorët e Ministrisë së Transporteve dhe ku edhe do të dalin përgjegjësitë.

Ministri tha se gjatë orëve në vijim priten reshje dëbore deri në 40 cm, ndërsa në jug do të ketë erëra të forta deri në 50 km në orë që sipas ministrit nuk ndodh shpesh.

Pjesë nga intervista:

Dervishaj: Për sa kohë rrugët janë të kalueshme ka rrugëdalje dhe puna është aty. Mirëmbajtja e rrugëve në mënyrë më optimale të dukeshme për të qytetarët.

Tare: Ju kemi parë në terren në kushte të vështira atmosferike. Ka pasur edhe kritika për mos mirëmbajtje.

Dervishaj: Aty ku ka nevojë edhe për kritika. Ajo që kam vërejtur gjatë kësaj periudhe, veçanërisht gjatë emergjencës së motit të keq, është që në përgjithësi është punuar me kapacitete të plota. Ka pasur monitorim të vazhdueshëm të rrugëve. Besoj se në kushtet aktuale, edhe vendet e tjera janë përballur me problematika të tilla. Mendoj se është bërë një punë shumë e mirë. Mendoj që vetë fakti flet qartë; hapja e rrugëve herë pas here edhe me vështirësi, pse jo, ndaj u kemi bërë thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë duke mos qarkulluar. Ka pasur angazhim maksimal.

Tare: Cili institucion duhet të reflektojë?

Dervishaj: Në përfundim të kësaj emergjence do të bëjmë edhe një analizë të plotë institucionale. Në përfundim të situatës ne do të bëjmë një analizë se si ka funksionuar i gjithë sektori, jo vetëm rrugët. Në përfundim të analizës do të dalim me konkluzionet e duhura.

Tare: A ka pasur kompani që nuk kanë vepruar?

Dervishaj: Të gjitha kompanitë janë përgjigjur me efikasitet. Nuk ka arsye për ta zbukuruar më shumë se duhet. Ka vende për të marrë edhe masat. Të gjithë ne nga pak kemi harruar se çdo të thotë dimër i egër. Ne nuk kemi parë dekadat e fundit, po themi situata të kësaj natyre.

Tare: Keni një hartë të zonave të bllokuara, më të prekura:

Dervishaj: Më të prekura janë zonat e veriut. Nga pikëpamja e bashkëpunimit ndërinstitucional po krijohet një eksperiencë e re më pozitive. Ekziston kultura e komunikimit. Për herë të parë edhe pranë zyrës së Kryeministrit ka edhe një zyrë për emergjencat. Përpara pak muajsh ka pasur një situatë të vështirë për shkak të shirave të rrëmbyeshëm në një intensitet të lartë në kohë të shkurtër kohore, çka krijoi probleme me bllokimin e disa akseve. Aty ishte një eksperiencë e parë ku unë vura re një bashkëpunim të mirë.

Tare: Një pjesë e medias i kanë lajmëruar si përplasje deklaratat e kreut të Emergjencave….

Dervishaj: Me ligjet dhe rregullat që ka miratuar nga qeveria nuk ka detyrim kontraktual se sa sasi kripe ka një kompani dhe se sa skorje duhet të ketë një tjetër. Mënyrat se si realizohet hapja e rrugëve nga kompanitë kontraktuale u përket atyre. Nuk ka pasur denoncime nga këto struktura. Institucioni që ka funksionuar më mirë nga të gjithë me gjithë problematikat, ka qenë Ministria e Transporteve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Tare: A i kanë kompanitë kontraktuese kapacitetet për një situatë të tillë?

Dervishaj: Kompanitë e kontraktuara i kanë të parashikuara në kontratë të gjithë këto elementë. Ka disa rrugë që nuk janë parashikuar situatat dimërore si në ato të jugut, ku nuk bie borë zakonisht. Kontratat e mirëmbajtjes së rrugëve janë kontrata afatshkurtra, 1 vjeçare apo 2 vjeçare. Nuk të lindë ndonjë e drejtë kompanive që të kenë investime kaq të mëdha. Besoj se në kushtet aktuale me kapacitetet aktuale, me motivim dhe monitorim të vazhdueshëm është bërë punë e lavdërueshme. Vende vende ka pasur problematika dhe në fund do të bëjmë vlerësimet e duhura.

Tare: Ka situatë monopol?

Dervishaj: Absolutisht jo! Ka me dhjetëra kompani.

Dervishaj: Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ngritur një grup pune dhe unë kam ngritur një grupe pune që do të vëzhgojë Autoritetin Rrugor.

Tare: Ka shqetësim për orët e ardhshme…

Dervishaj: Ka shqetësim pasi priten reshje dëbore, erëra të forta. Erërat mund të arrijnë në jug të vendin deri në 50 km në orë, fenomen që nuk e ndeshim shpesh. Kemi kërkuar angazhim maksimal. Parashikohet në jug të vendit në lartësi mbi 500 m të ketë dëborë. Edhe në Veri. Situata është problematike pasi bora është prezente.

Tare: Mund të flitet për një paralizë të mundshme…..

Dervishaj: Njoftimet që ne kemi parashikojnë dëborë 30-40 cm.

Tare: Ministri i Shëndetësisë ka thënë se rreth 70 mijë njerëz nuk kanë akses në vaksina të gripit për shkak të rrugëve.

Dervishaj: Janë nën varësi të pushtetit vendor. Po punohet për hapjen e të gjitha rrugëve. Pjesa më e madhe që lidhin ish-komunat me qendrat e bashkive janë të kalueshme.

Tare: Fondi i mirëmbajtjes së rrugëve është 10 mln euro, por vlera e duhur është 30 mln euro. Kjo do të thotë se keni kapitulluar?

Dervishaj: Jemi në proces të një marrëveshje me Bankën Botërore për të financuar mirëmbajtjen e rreth 1300 km. Buxheti 10 mln është totalisht i pamjaftueshëm. Kosova për pjesën e saj të autostradës ka një buxhet 8 mln euro vetëm për atë rrugë fushore. Fondi i mirëmbajtjes së rrugëve në vitet në vijim shkon rreth 35 mln euro. Kredi e BB-së për një periudhë 5 vjeçare. Fond rreth 150 mln dollarë. Gjatë muajit shkurt do të fillojë operimi i këtij projekti.

Dervishaj: Duhen investime strategjike dhe konkrete. Ka akse rrugore që s’mbarojnë kurrë

Tare: Folët për cilësinë e mirëmbajtjes, çfarë nënkupton?

Dervishaj: Një rrugë e ndërtuar me parametrat e nevojshëm për t’u konsideruar rrugë normale ka të bëjë me këtë elementë. Sa të sigurta janë këto rrugë? Akset nacionale janë infrastrukturë strategjike dhe cenojnë sigurinë kombëtare në raste të caktuara. Duhet të ketë rrjet rrugor sa më cilësor dhe sa më të mirëmbajtur. Volumi i trafikut të mos jetë problematik.

Kemi shumë projekte rrugësh të filluara me vite të papërfunduara. Në qoftë se kemi një aks rrugor prej 30 km dhe 5 nuk kanë përfunduar, nuk përmbush standarde dhe krijon edhe kosto. Kostot rrezikojnë të kthehet në një barrë më të madhe nesër. Rruga do të degradojë dhe do të kërkojë më tepër para. Gjatë 25 viteve nuk planifikojmë si duhet dhe kjo ka krijuar edhe kosto ekstra që pa dyshim këto kosto i paguajnë taksapaguesit.

Është më mirë të përfundojmë tre projekte se sa të shpërndahemi në shumë projekte që nuk përfundojnë kurrë. Kemi akse rrugore që nuk kanë përfunduar për 400 metra. Mënyra se si kanalizojmë investime duhet të jetë më strategjike dhe të dimë afatin fundor të çdo projekti që ne nisim. Copëtimi i buxhetit në një mori projektesh është strategji e gabuar. Duhet të përfundonin ato akset me potencialin më të lartë ekonomik apo që lidhin vendin me rajonin.

Rrugët e reja

Dervishaj: Edhe sikur i gjithë buxheti i shtetit të shkonte për rrugë të reja, prapë do të ishte i pamjaftueshëm. Ka nevojë për projekte strategjike për të lidhur të gjitha zonat. Shqipëria është nyje e rëndësishme gjeografike dhe strategjike. Shqipëria ka një pozicion gjeografik që lidh Ballkanin me zonën përtej. I gjithë fokusi i investime duhet të lidhë rajonet e vendit dhe vendit me fqinjët. Infrastruktura parashikon një mori elementësh. Shqipëria nuk ka ende një koncept të zhvillimit të vendit.

Pasuria më e madhe është deti dhe është hapësira më e pa zhvilluar. Një rrugë që do të lidhë vendin me rajonin, ka vetëm një pikë hyrëse, portin e Durrësit. Duhet një strategji që ka të bëjë me portet e mallrave, jahteve, industrinë e ndërtimit të anijeve. Kemi agjenci bregdeti, por nuk kemi agjenci të zhvillimit të detit. Partneri kryesor i Shqipërisë është Italia. Lidhemi me detin. Rruga e Kombit që për mua është një vepër historike që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe më tej me rajonin dhe Evropën Qendrore. A mund të jetë me përfitimin maksimal që në qoftë se nuk do të ketë pikën hyrëse? Edhe ajo është ende e pa përfunduar.

Tare: Strategjia ka filluar….

Dervishaj: Kemi filluar. Kemi lexuar kohët e fundit se ka një interes në rritje të anijeve të mëdha për të vizituar kryesisht Sarandën. A ka porti i Sarandës kapacitet për të pritur një anije të përmasave të tilla? Jo! E ka kalatën të pamjaftueshëm. Duhet të kemi vëmendje për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet që na ka dhënë Zoti dhe për t’i shfrytëzuar në mënyrën e duhur për të krijuar një mirëqenie. Kam biseduar me përfaqësuesit e BE-së dhe të gjithë institucionet e angazhuara për zhvillimin e projekteve në kuadër të projektit të Berlinit.

Aeroport në jug të vendit

Dervishaj: Ka një interes për një aeroport në jug të vendit. Studimi i fizibilitetit nuk do të hajë shumë kohë. Pasja e aeroportit në jug të vendit duhet që të ketë lidhje me detin, rrugën, zhvillimin. Që të jetë një paketë e plotë dhe koncept i plotë i zhvillimit ekonomik.

Taksa për rrugën e kombit

Dervishaj: Nuk është taksë por një tarifë. Rruga e kombit është në përfundim të procedurave të marrjes me koncesion. Ky është një proces që ka filluar në vitin 2011. Rruga është ende e pa përfunduar. Ka ura pa përfunduar, pak kilometra. Ka nevojë për ndërhyrje në skarpatet e rrugëve, ka nevojë për sinjalistikë dhe nevojë për mirëmbajtje. Ka edhe disa detaje teknike që duhet të plotësojë koncesionari për ta marrë në dorëzim. Një element që është shtuar është duhet të kemi parasysh edhe efektet sociale. Duhet të kemi vëmendje për të zbutur efektet e procesit.

Në qoftë se shteti do të kishte planifikuar më mirë buxhetimin e kësaj rruge nuk besoj se do të kishte nevojë të shkonim në këtë rrugë. Mirëmbajtja e kësaj rruge ka një koste shumë të madhe. Me këmbënguljen tonë është përcaktuar që koncesionari do të jetë i detyruar të ofrojë një sasi prej 120 mijë eurosh në vit për të zbutur efektet sociale të banorëve në nevojë të këtij pellgu. Do të nënshkruajmë një marrëveshje midis koncesionarit, ministrisë dhe bashkive për të alokuar këto para për transportin që do të kryejnë. Nuk dot ë subvencionojnë linjat e autobusëve. Këto para do të shkojnë tek banorët direkt.

Tare: Sa është tarifa?

Dervishaj: Varion. Tarifa është rreth 5 euro. Është përllogaritur si e tillë nga një studim. Pagesa është me lekë.

Tare: A do të paguaj buxheti i shtetit para për këtë rrugë?

Dervishaj: Jo! Është investimi i kompanisë prej 43-44 mln euro. tarifimi do të fillojë derisa të përfundojnë procedurat.

Tare: Derisa të përfundojnë zgjedhjet?

Dervishaj: Jo!

Rruga e Abrit

Dervishaj: Është në rendin e 200 milionë eurove. Ka një paragjykim të madh për cilësinë dhe kapacitetet e kompanive shqiptare. Kemi renditur mbas firmave të huaja dhe problemet më të mëdha i kemi me firmat e huaja dhe kemi penalizuar rritjen e kapaciteteve të kompanive lokale.

Sigurimi i rrugëve

Dervishaj: Edhe rrugët sigurohen por që ka nevojë për buxhetet përkatëse.

Tare: I paguajnë detyrimet kompanitë e sigurime?

Dervishaj: Kur janë të siguruara e kanë për detyrë. Ky proces ka filluar para disa vitesh. Për një vit është zbatuar dhe pastaj është pezulluar.

Rruga Nish-Prishtinë-Durrës

Dervishaj: Projekti është në diskutim dhe në Samitin e Triestes do të shihet më qartë. Ky aks parasheh pjesën shqiptare, kosovare dhe serbe. Pjesa kosovare është pothuajse e kryer. Vlen për t’u parë rruga Nish-Merdar. Një aks i tillë pa një pikë hyrëse po të këtyre cilësive që është një port detar, do të duhej që të optimizohej në këtë koncept. Shqipëria është duke avancuar dhe duke përfunduar një projekt shumë të rëndësishëm siç është ndërtimi i hekurudhës Durrës-Tiranë-Rinas. Është drejt përfundimit të procedurave paraprake. Është një investim prej 95 mln eurosh. është tren me shpejtësi të lartë. Do të financohet nga fondi i investimeve të Ballkanit dhe nga BERZH. Do të jetë sinjal i mirë për hekurudhën shqiptare që është një sektor i vdekur praktikisht.

Tare: Është folur për koncesion

Dervishaj: Partneriteti publik-privat nuk janë rrugë private por nacionale por që operohen nga privatët. Nëse ekziston interesi absolutisht po. Duhet të ketë më shumë prioritet dhe vëmendje.

/Ora News/

SHKARKO APP