Dokumentet shtesë që duhen kur s’keni libreza pune dhe kontribute

Libreza e punës dhe e kontributeve janë dy dokumentet bazë që duhet t’i bashkëngjiten dorëzimit të kërkesës për përfitim pensioni. Në mungesë të tyre, personat që janë në prag të plotësimit të kritereve për të dalë në pension, mund t’i bashkëngjisin dosjes së dokumenteve të kërkuara, një sërë vërtetimesh dhe vendimesh shtesë, nëpërmjet të cilave ekspertët e sigurimeve mund të konfirmojnë vjetërsinë kontributeve për efekt të llogaritjes së pensionit. Sipas organeve të sigurimeve shoqërore, 6 janë dokumentet shtesë që duhet të depozitohen pranë sporteleve të shërbimit së bashku me kërkesën për pension, nëse në listën e dokumenteve të detyrueshme ju mungon libreza e punës dhe ajo e kontributeve. Konkretisht, çdo person që po arrin moshën e daljes në pension, si dhe ka vjetërsinë kontributeve të kërkuar, dosjes së dokumenteve duhet t’i bashkëngjisë edhe një vërtetim për periudhat e punës. Ky vërtetim mund të tërhiqet nga qendra e punës. Një tjetër dokument i rëndësishëm është edhe vërtetimi i pagës, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës. Edhe këtë vërtetim mund ta siguroni pranë qendrave të punës. Në listën e dokumenteve shtesë përfshihen edhe vërtetimet e pagesës së papunësisë, të cilat mund t’i tërhiqini pranë Zyrave të Punës. Po sipas ekspertëve të sigurimeve, në dosjen e dokumenteve shtesë duhet të paraqisni edhe vendim gjykate për njohje të vjetërsisë së punës, si dhe mandat pagesat që mund të keni mbajtur vetë, në të cilat konfirmohet periudha e derdhjes së kontributeve. Për rastet kur aplikuesi është në radhët e ushtarakëve, kërkohet vërtetim për pagesën kalimtare si ushtarak, dokument që mund të tërhiqet pranë qendrave përkatëse të punës. Për rastet e përfitimit si ish-i dënuar politik, duhet të paraqisni vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të cilin mund ta merrni nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, si dhe vërtetim të gjendjes gjyqësore. Ndërsa nënat me shumë fëmijë duhet të paraqesin, certifikatë lindje të fëmijëve, certifikatë martese të fëmijëve, si dhe certifikatë vdekje për fëmijët që jetojnë me prindërit. Që të tria këto dokumente mund të merren nga zyrat e gjendjes civile. Dokumentacioni shtesë në rastet e përfitimit të pensionit të reduktuar përfshin: vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat, që lëshohet nga drejtoria rajonale e tatim-taksave, si dhe vërtetim si kërkues pune. Në rastet kur personi ka punuar si kuadër në ish-kooperativë bujqësore duhet të depozitoni edhe një vendim të emërimit në punë si kuadër, i cili ndodhet në Arkiva e Shtetit. Kjo kategori duhet të paraqesë në dosje edhe diplomat e shkollës së mesme dhe asaj të lartë. Në dokumentet shtesë për pension suplementar për titull shkencor akademik, duhet të përfshini: “Fotokopje të Kartës së Identitetit, dëshmi për marrjen e titullit, ose vërtetim për marrjen e titullit shkencor që lëshohen nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor dhe Vlerësimit të titujve, vërtetim për kohën e gëzimit të titullit që mund të tërhiqet pranë qendrës së punës, si dhe vërtetim për pagën referuese”. Ndërsa për të përfituar një pension suplementar shtetëror, duhet: fotokopje e Kartës së Identitetit, certifikatë familjare, vërtetim i vjetërsisë në shërbim, vërtetim i pagës referuese të detyrës apo funksionit, vërtetim i gjendjes gjyqësore. Gjithashtu bëhet e ditur se në dokumentacionin shtesë për të përfituar kompensimin e energjisë elektrike duhet të përfshini vërtetim për pagesën e energjisë elektrike, si dhe deklaratë për kompensimin e energjisë elektrike.

Ndryshimet për kushtet e daljes në pension për vitin e ardhshëm

Sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e sigurimeve shoqërore, personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite si vjetërsi kontributeve, kanë të drejtë për pension pleqërie kur arrijnë moshën e përcaktuar për secilën kategori ku grupohen profesionet që kanë kryer. Gjithashtu, personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vite para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, të cilët duhet të kenë siguruar edhe vjetërsinë e kërkuar kontributeve, si dhe nuk duhet të kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Nënat që kanë lindur 6, apo më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. “Për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite dhe mosha. Për vitin 2017, meshkujt do të dalin në pension në moshën 62 vjeç dhe duhet të kenë 36 vite vjetërsi pune për profesionet e kategorisë së parë. Për dy kategoritë e tjera, mosha e daljes në pension do jetë 65 vjeç dhe vjetërsia e kërkuar e punës, është 36 vite të zyrtarizuara në librezën përkatëse. Për femrat mosha e daljes në pension për profesionet e kategorisë së parë është 57 vjeç, ndërsa vjetërsia e punës 35 vite. Për profesionet e kategorisë së dytë dhe të tretë, mosha e përcaktuar për daljen e femrave në pension është 60 vjeç e 6 muaj, të cilat duhet të kenë të njohur 36 vite, si vjetërsi kontributeve. Llogaritja e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe një shtesë. Shuma  bazë  llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi  me periudhën e sigurimit të kërkuar nga ligji, shumëzuar me  pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Si të llogarisni pensionin që ju takon

 

Pensioni i pleqërisë= PS (Pension Social) * vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100 *  vite sigurimi* BV (baza e vlerësuar)

Shënim: (* = shumëzuar )                            

  • Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve, del si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihen, si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1 janar e 1994-ës deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shteterore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
  • Për rastet kur personi ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjave shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës 01.01.1994, si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1 janari 1994, deri në 31 dhjetor 2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjestimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994, ose me pagën minimale të vitit përkatës.

 

Dokumentacioni i detyrueshëm për të përfituar pension pleqërie:

  • Fotokopje e Kartës së identitetit .
  • Certifikatë familjare.
  • Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat).
  • Deklaratë për vitet e punës.
  • Librezë pune.
  • Librezë kontributesh.
  • Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak, për meshkujt.
  • Diploma e shkollës së lartë (e detyrueshme vetëm për femrat).

Dokumentet shtesë kur mungon libreza e punës dhe e kontributeve

  • Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës.
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës.
  • Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë).
  • Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë
  • Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve
  • Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak).

Dokumentet që duhet të shoqërojnë kërkesën për pension social

Fotokopje e Kartës së Identitetit.

Certifikatë familjare.

Vërtetim nga Zyra e Gjendjes Civile.

Vërtetimin nga organet tatimore.

Certifikatë pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Vërtetim nga zyrat rajonale të SHSSH-së

Akti i marrjes së tokës në pronësi ose në përdorim, ose certifikatë pronësie e tokës.

 

SHKARKO APP