Draft-Buxheti 2017: Sa do rriten të ardhurat, pagat, pensione, shpenzimet

Për vitin e ardhshëm, të ardhurat totale në buxhet parashikohet të arrijnë në 436.4 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3% në raport me buxhetin e rishikuar 2016, sipas draftit paraprak të projektbuxhetit 2017, të siguruar nga ‘Monitor’.

Të ardhurat tatimore pritet të arrijnë në 398.2 miliardë lekë, me një zgjerim prej gati 6% (+22.4 miliardë lekë) në raport me buxhetin e rishikuar 2016. Megjithatë, në relacionin e projektbuxhetit 2017 parashikohet që realizimi i të ardhurave tatimore për 2016-n të jetë rreth 5 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar në mes të vitit (370.7 miliardë lekë, nga 375.8 miliardë lekë që është parashikimi), çka bën që rritja nominale e të ardhurave tatimore të arrijë në 7.4%. http://www.monitor.al/qeveria-gati-rishikim-e-dyte-ulje-te-buxhetit-2016-5-mld-leke/

Tre zërat që do të mbajnë peshën kryesore në rritjen e të ardhurave janë tatimi mbi fitimin, me rritje 4.4 miliardë lekë në raport me planin e 2016-s (+18%), taksa nacionale, që pritet të sjellë 4.4 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhet (+11.6%)  dhe tatimi mbi të ardhurat personale me shtesë prej 3.7 miliardë lekë (+11.6%).

TVSH, që është dhe zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, pritet të ketë një rritje modeste prej 2.1%, apo rreth 2.9 miliardë lekë, në raport me buxhetin e rishikuar 2016. Megjithatë, në relacion parashikohet që të ardhurat nga TVSH në buxhetin 2016 do jenë rreth 133 miliardë lekë nga 138 miliardë lekë që është parashikuar në buxhetin e rishikuar 2016, çka bën që rritja nominale e TVSH-së, në krahasim me atë që pritet të mblidhet të jetë +8.5 miliardë lekë (rishikimi në ulje i të ardhurave të pritshme për 2016-n prekte kryesisht TVSH-në, kryesisht si rrjedhojë e rënies së çmimeve të naftës, uljes së importeve të energjisë, sipas financave).

Të ardhurat nga pushteti vendor pritet të rriten me rreth 6% për të arritur në 15.4 miliardë lekë.

Me rritje të lartë priten edhe të hyrat nga sigurimet shoqërore, që parashikohet të zgjerohen me 3.3 miliardë lekë (5%), për të arritur në 70 miliardë lekë. Edhe të ardhurat nga sigurimet shëndetësore pritet të zgjerohen me gati 5%.

Zëri i të ardhurave jo tatimore pritet të arrijë 24.4 miliardë lekë, me rënie prej rreth 5%.

Shpenzimet kapitale rriten ndjeshëm, ja fondet për shtesa pagash

Në total, qeveria pret që të shpenzojë 469.5 miliardë lekë, me një zgjerim prej 4.3% në krahasim me vitin e kaluar.

Ky do të jetë një vit elektoral dhe fokusi është vënë në fondet e reja për pagat dhe shpenzimet kapitale.

Sipas tabelave paraprake, fondi për politikat e reja të pagave pritet të jetë 6 miliardë lekë dhe për politikat e reja të pensioneve do të jetë 2.9 miliardë lekë, pra në total janë rreth 8.9 miliardë lekë (rreth 65 milionë lekë), të parashikuara për rritjen e pagave e pensioneve.

Teksa tre vitet e kaluara realizimi i shpenzimeve kapitale ka qenë shumë i dobët, ky zë pritet të shënojë një rritje të ndjeshme në 2017-s. Shpenzimet kapitale pritet të jenë 71.6 miliardë lekë, me një rritje prej 21%, apo 12.3 miliardë lekë më shumë në raport me pritshmërinë e këtij viti.

Financat pritet të kursejnë në shpenzimet oprative, që pritet të jenë 3.1% më të ulëta se këtë vit.

Ndonëse interesat e bonove të thesarit dhe obligacioneve kanë filluar rritjen që këtë vit, financat presin ët shpenzojnë më pak për interesat e borxhit. Shpenzimet për interesat e brendshme priten 25.1 miliardë lekë, me një rënie prej gati 19% (-5.8 miliardë lekë) në raport me pritshmërinë e këtij viti.

Me rënie të ndjeshme janë shpenzimet për buxhetin lokal, që pritet të jetë 40.6 miliardë lekë, nga 48.3 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Rënien më të fortë e kanë grantet për buxhetin lokal, që janë parashikuar vetëm 13.5 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.2 miliardë lekë.

Shpenzimet për pagesat e papunësisë priten në rënie me 100 milionë lekë (-11%) dhe ndihmat ekonomike priten të pandryshuara në 20.5 miliardë lekë).

Sipas relacionit të projekt buxhetit, Deficiti buxhetor për vitin 2017 parashikohet të jetë në nivelin 2.6% të PBB nga 2.1% e PBB që është planifikimi për vitin 2016. Rritja e deficitit me rreth 0.5 pikë përqindje, nuk do të ketë ndikim mbi angazhimin e Qeverisë për të reduktuar nivelin e borxhit publik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, pasi balanca primare parashikohet të jetë pozitive dhe rritja ekonomike relativisht më e lartë se deficiti i përgjithshëm, thuhet në relacion.

 

SHKARKO APP