Duhen pakësuar apo shtuar drurët në Tiranë?

 Nga Gjon Fierza/Jemi në ditët kur gjelbërimi dhe lulet kanë “pushtuar natyrën”. Fundpranvera,  ndër periudhat më të pëlqyeshme të vitit të sjell kënaqësi duke shëtitur në mjediset me drurë dhe shkurre, në lëndinat me bar, me ajrin e pastër jetëdhënës. Një mjedis i tillë konsiderohet sot Parku i madh i Liqenit të Tiranës. Tek sjell në kujtesë, një vit më parë, Parku i madh i  Liqenit të Tiranës, ishte kthyer në një “shesh beteje”  etj. Protesta, dëmtim dhe dhunim i pronës, e çfarë nuk na panë sytë, e përse e gjithë kjo?!. Të mos lejohej ndërtimi i një këndi lodrash për fëmijë!. Sot, ato veprime të duken një ëndërr e keqe që duhet harruar. Tashmë këndi i lodrave është vënë në funksionim që nga 1 qershori 2016. Sipas kryebashkiakut Veliaj, “ky park është i ngjashëm me parkun qendror të Nju Jorkut. Parku i Liqenit Artificial, ju shërben 200 mijë fëmijëve të Tiranës”. Ndoshta ky krahasim është shtysë për punë të vazhdueshme në përmirësim të këtij mjedisi të pazëvendësueshëm për kryeqytetin. Në këtë ditë pranvere parku është mjedisi më i populluar, mijëra banorë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, aty përpiqen të gjejnë kënaqësinë e nevojshme pas dimrit. Puna në park vazhdon, ndryshimi është i madh dhe çdo ditë mund të shohësh një vlerë të shtuar në objekte sportive e zbavitëse, pastrime, mirëmbajtje dhe rregullime të ndryshme. Vlen të thuhen fjalë të mira dhe nuk mund të bëhet asnjë krahasim me gjendjen e këtij mjedisi me dy-tre vite më parë, por puna nuk mund të ndalet këtu. Në këtë periudhë për rreth 15-20 ditë, tek Parku shpesh vëren dhe vizitorë disi të shqetësuar, që teshtijnë, fëmijë që qajnë dhe nuk ndihen të qetë, etj. Pse ndodh kjo? Shumë prej tyre nuk e dinë! Në park por dhe në mjediset që qarkojnë atë ndoshta nga sheshi Nënë-Tereza, korpusi i Universitetit dhe sidomos brendësia e parkut është një ndotje e madhe e shkaktuar nga pushi i plepave hibrid. Kjo ndotje shkakton alergji dhe shqetësime që drejtpërdrejtë pengojnë frymëmarrjen. Pra ata njerëz që janë të prirur të preken nga alergjitë nuk mund të ndihen të qetë në park. Ata detyrohen të largohen për disa ditë prej tij pasi ndjejnë përkeqësime shëndetësore të mëdha. Vizitorët e tjerë dhe sidomos vrapuesit shpesh shqetësohen pasi në: sytë, fytyrë dhe në veshje ju ngjitet pushi i plepit. Sipas studimeve të ndryshme pushi i plepit në vetvete nuk është alergjike. Pushi i plepit mbart polen dhe spore të bimëve të ndryshme, të cilat janë shkaku i vërtetë alergjive nga bimët. Alergjia e pushit të plepit është ngjashme me simptomat e ftohjes. I sëmuri ka; dhimbje koke, dobësi të përgjithshme, oreks të pakët, pagjumësi etj. Simptomat kryesore të rinitit alergjik është një ndryshim i mundshëm në astmë dhe konjuktivit alergjik, ata mund të jenë të pranishëm në një njeri alergjik së bashku ose veç e veç. Sa u tha më lart është domosdoshmëri, heqja e plepave hibrid jo vetëm nga parku por dhe nga çdo mjedis urban në Tiranë, çdo zonë tjetër banimi për të pasur një shëndet të mirë, për të parandaluar alergjitë me origjinë nga flora. Edhe në aspektin teknik, plepat kanadez të varieteteve të ndryshme, akaciet duhen hequr nga parku dhe në zonat e banuara. Mbjellja e plepit e akacieve (sallgamit) në parkun e Liqenit është bërë në fillesat e tij, rreth 50 -60 vite më parë. Parku në ato vite nuk u kompozua me elementët e një parku qytetës dhe me një perspektive të një përdorimi kaq të madh sa sot. Struktura e llojeve drusore nuk u përzgjodh me cilësinë si ato të një pylli qytetas. Drurët e plepave hibrid dhe të akacies (sallgamit) nuk i përmbushin  cilësitë e drurëve që kërkohen dhe duhet të zhvillohen në një park pyjor urban. Plepat hibrid në park nuk ka, sipas inventarit që publikon Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranë, por e vërteta është ndryshe!. Ka shumë plepa me moshë 50-60 vjeçare që dhe biologjikisht konsiderohen të plakur (si pyll plepi, drurët duhet të ishin prerë 20-30 vite më parë), diku plepat hibrid janë krasitur gjoja për tu ripërtërirë, diku janë lënë në mëshirë të fatit gjysmë të tharë të dëmtuar nga sëmundjet dhe insektet apo të shkulur një punë aspak profesionale dhe aq më pak dobiprurëse. Pra meqenëse nuk janë në inventarin e parkut; duhet të jenë hequr dhe fizikisht ose saktësoni inventarin ju APR. Në park ka dhe plepa të bardhë me origjinë natyrore në numër të pakët të cilët nuk shkaktojnë ndotje (duhen shtuar në inventar si dhe vidhi, rrapi, etj.). Ky lloj plepi është i përcaktuar me status në rrezik zhdukje, për të cilët në park nuk i është ndonjë trajtim e përkujdesje e merituar. Plepi i bardhe është një dru që i jep shumë vlera peizazhit dhe veçanërisht Parkut të Liqenit. Nuk vendi të bëjmë një analizë të hollësishme të strukturës llojeve drusore, të mbjelljeve të reja, të skemave dhe shoqërimit të llojeve në sipërfaqen e sotme të parkut, pasi ka shumë defekte e nevojë për përmirësim. Por mund të themi pa mëdyshje se llojet drusore si: akcia dhe plepi duhet hiqen sa më parë nga parku, ndërkohë që, të mos mbillen lloje të huaja pavlerë dhe pavend. Druri i akacies (sllgami) dhe plepat hibrid jenë lloje të huaja të vlerësuar konsiderohen si specie pushtuese (invazive). Ka dokumente strategjik të miratuar në kuadrin e mbrojtjes biodivesitetit, ku për llojet e huaja dhe invazive, ka detyrime ligjore dhe masa të përcaktuara, që sëpari lidhen me; ndërgjegjësimin e të gjithë sektorëve përkatës, për të siguruar një kuptim të plotë të çështjeve të llojeve invazive, duke përcaktuar dhe ndikimet ekonomike dhe ekologjike të tyre, masat për heqjen graduale të tyre.

Në këndvështrimin tim, sot në sipërfaqen ekzistuese te parku i madh i Liqenit të Tiranës, është më e nevojshëm të hiqen më shumë drurë se të mbillen të rinj. Drurët me origjinë natyrore, krijojnë vetë mundësi ripërtëritje dhe shtimi, me një përkujdesje të vogël dhe me kosto shumë më të paktë se vlera e fidanëve në treg. Tek ky park urban ose dhe çdo zonë e gjelbër ku drurët pyjor janë ementi kryesor kërkohet që; çdo dru veçmas; apo në grumbull i një apo disa llojeve; natyrore apo i mbjell me peizazhin që krijon për të qenë: funksional e plotësuar kërkesat e njerëzve, të cilët janë përdorues të parkut dhe të japin kënaqësi estetike. Kjo është kërkesë e domosdoshme që duhet zbatuar. Të vjen keq që sot tek këndi i ri i lodrave te Parku i Liqenit, në disa mjedise të tjera sheh disa pisha të përkulura, në rrezik shkulje, shumë drurë gjysmë të thara e të tharë plotësisht që së pari përbëjnë rrezik aksidenti që nuk plotësojnë asnjë nga kërkesat si më sipër që pengojnë dhe funksionimin dhe përdorimin normal të këndit apo mjediseve të parkut në thellësi. Këta drurë nuk u hoqën pasi “demonstruesit i mbrojtën me dhunë një vit më parë, pasi do pakësohej gjelbërimi, frymëmarrja, etj.?”

eknikisht kjo mos heqje është e gabuar dhe duhen bërë menjëherë korrigjimet.  Dimri i vitit 2016-2017, ka shkaktuar dhe një dëmtim me tharje të kurorave të mimozave, eukalipteve, të cilat sot duken si drurë të djegur dhe në periudhë thatësire është rrezik për zjarrin. Edhe këta dy drurë janë lloje të huaja e pra konsiderohet dhe invasive. Është koha që arkitektet dhe specialistët e gjelbërimit, të thonë fjalën me një projekt të plotë e të ristrukturimit të florës së lartë në park. Menjëherë të veprohet me prerjen e plepave hibride (ndoshta heqja e lëvores në bazën e trungut do të ishte një veprim më i shpejtë për të mos gjelbëruar në pranverën që vjen) për të shpëtuar nga pushi i plepit, të vazhdohet duke shkulur akacien dhe duke zgjeruar akoma më shumë sipërfaqen e përdorshme të parkut me çeltira, aq shumë e nevojshme sot. Edhe mimozat tashmë të thara e shumë të dëmtuara aty ku janë tharë të hiqen. Janë këto veprime të urgjencës së parë, që ndoshta duhet t’i paraprijnë “Pyllit orbital të Tiranës”  (ndoshta do të shqipërohej bukur; Kurora e Gjelbër e Tiranës,). Ky projekt mjedisor tashmë i miratuar do ketë një ndikim të madh në përmirësimin e jetës të qytetarëve të Tiranës, por pa zëvendësuar, pa pakësuar vlerat e përdorimit të parkut të madh të Liqeni. Ky projekt teknik i domosdoshëm duhet mbështetur së pari me financime. Parkut i madh i liqenit të Tiranës, të jetë modeli më i mirë i një pylli qytetës në Shqipëri, nga mund të merret përvojë.

SHKARKO APP