Dy anët e një medaljeje

Si kusht për përfitimin e këtyre të mirave do të ishte e mira të vihej pjesëmarrja në kurset profesionale dhe aftësimi i tyre për tregun e punës (natyrisht për personat nga 16 – 45 vjeç a më shumë si të shihet e arsyeshme).

Nga Gëzim Hoxha

Çdo medalje ka dy anë. Çdo gjë ka anën e mirë, por ka edhe anën e keqe të saj, atë që të bën të ndihesh vërtet në siklet. Në lajme kemi parë shumë kronika televizive ku shpëtohen jetë njerëzish, kemi parë shumë të pastrehë të cilët janë marrë nga rruga dhe janë strehuar në qendra sociale. Deri këtu gjithçka është në rregull, por i ftohti i acartë do të ikë një ditë. Po pastaj çfarë ndodh?

Dhe me të vërtetë ç’do të ndodhë me ta? Bravo i qoftë shtetit. Po pse? Ndoshta për herë të parë bëri atë që duhej, shpëtoi me dhjetra jetë njerëzish. Mes tyre duhet të kenë qenë romë dhe egjiptianë po se po, por edhe pleq të braktisur, të ardhur nga qytete të tjera të Shqipërisë, njerëz që për arsye të ndryshme kanë humbur shtëpitë e tyre etj. Po më tej ç’do të ndodhë me ta?

Dhe puna qëndron tek alokimi i fondeve, tek hartimi i projekteve, më tej zbatimi dhe shtrirja kohore e tyre dhe pse jo me zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Më gëzoi shumë lajmi i djeshëm për zbatimin e projektit nga Bashkia e Tiranës që mundëson ndërtimin e banesave për 50 familje rome në zonën e Shkozës. Kjo po që është zgjidhje! – thashë me vete.

Po edhe kjo zgjidhje është e mangët sepse sa romë e egjiptianë të tjerë ka të pa strehë? Sa të tjerë ka që enden dhe flenë rrugëve? Sa? Ndonjëri mund të thotë se kaq është mundësia dhe nevoja e tejkalon fondin e përcaktuar për strehimin. E mirëkuptoj, e di dhe kam shkruar edhe për këtë gjë. E di se strategjia për vitet në vazhdim parashikon shkurtim fondesh për të pastrehët.

E megjithatë këtë problem mund ta zgjidhë jo vetëm një ministri e vetme siç është Ministria e Zhvillimit Urban por edhe një ministri tjetër që ka një emër shumë të bukur. Ajo është Ministria e Mirëqënies Sociale. Ajo, në kuadër të meritimit të emrit të bukur që ka, duhet të vazhdojë mbështetjen financiare për këto qendra sociale në të gjitha bashkitë e vendit. Aq më tepër që tani dihet numri i të pastrehëve dhe vendet ku e kalojnë natën. Tani po që ekziston një bazë e mirë të dhënash në lidhje me numrin e saktë të tyre dhe vendndodhjes së tyre.

Unë do të kërkoja që edhe në vazhdim të sigurohej për ta të paktën dreka si vakt kryesor por e mira do të ishte edhe mëngjesi. Veç 1 apo 2 vakteve e mira do të ishte edhe sigurimi i një shtrati për të kaluar natën, kushtet minimale higjenike që do të thotë krijimi i mundësisë për një dush le të themi 2 herë në javë, si dhe sigurimi i veshmbathjeve për secilin.

Si kusht për përfitimin e këtyre të mirave do të ishte e mira të vihej pjesëmarrja në kurset profesionale dhe aftësimi i tyre për tregun e punës (natyrisht për personat nga 16 – 45 vjeç a më shumë si të shihet e arsyeshme). Ky do të ishte një projekt i plotë dhe shtrirja e tij do duhej të ishte në rang kombëtar. Ai do të zgjidhte një herë e mirë këtë problem të madh social, i cili nxorri krye si pasojë e të ftohtit.

Si një blerje e mirëfilltë qeveritare vazhdimi i këtij projekti do të ketë edhe ndikimin e vet sado të vogël në ekonomi. E para gjë që më vjen ndër mend është zgjerimi i tregut me ca qindra të vetë, po të kemi parasysh plotësimin e nevojave ditore të këtyre personave. Tjetër gjë do të ishte rritja e xhiros të bizneseve lokale, por edhe hapja e ndonjë vendi pune ose thjesht edhe sigurimi i atyre ekzistues do të ishte një gjë shumë  e mirë.

Kaq ishte krenaria ime e cila si çdo gjë e ka edhe një cak. Anën tjetër të medaljes e zbulova në emisionin “Stop”. Sinqerisht mu dhimbsën shumë ata romët. 25 familje në një ndërtesë tejet të amortizuar, kushtet e të cilës ishin ku thërret qameti. Ç’të them, ju i patë vetë pamjet. Vetëm një banjo për 25 veta. E pakta që mund të them e tmerrshme. Mendova për dyfytyrësinë e shtetit tonë dhe më erdhi keq. Dystandardësia përdoret dhe haset kudo por si gjithçka tjetër edhe kjo gjë duhet të ketë në cak.

Gjithçka atje bënte thirrje për ndihmë, dritaret pa xhama, dyert e plasaritura, banja që kishte zënë myshk, tavanet që ishin pushtuar nga pezhishkat dhe rrjetat e merrimangava, ai burri që thosh :”Më ka ngelur vetëm të mbytem në liqen!”, djali i vogël që të vetmen lojë kishte lagien dhe shtrydhjen e çorapeve të tij në një legen të madh të mbushur me ujë, gjithçka, gjithçka.

E pra asnjë njeri nuk mund të ndihet mirë kur sheh një qënie të ngashme me të, le të themi një tjetër tokësor, a një tjetër njeri çfarëdo qoftë ai, i bardhë a i zi, femër a mashkull, shqiptar ai huaj, kudo që të jetë ai ose ajo, thua një: – “Ah sa keq!”.  Apo mos duhet të mendoj se edhe ajo videoja që pashë tek OPINIONI ku disa policë shpëtojnë një mace, qe e stisur?

Jo, çdo gjë që bëhet, bëhet për një qëllim të caktuar. Ajo që kuptova unë nga kjo gjë është se edhe kafshët kanë të drejtë të jetojnë dhe të shpëtohen. Padyshim që kjo na bën më të mirë. Mesazhet e gjithë këtyre lajmeve të ditëve të fundit janë të qarta. Të shpëtosh një jetë nga vdekja pa marrë parasysh qëllimin që fshihet pas këtij veprimi është gjëja e duhur, ashtu si  dhe përmirësimi i jetës për disa të tjerë, kudo që ata  të ndodhen, duhej të ishte gjithashtu gjëja e duhur.

SHKARKO APP