Frikë nga liria

Nga Filloreta Jorgji/Marku është vetëm 20 vjeç dhe jeton në arrati prej 5 vitesh nga e kaluara e tij. Nuk është vrasës, as ka vjedhur, as ka shkelur ligjin në ndonjë rast. Madje dhe rregullat e qarkullimit rrugor nuk i ka shkelur pasi dhe makinë nuk ka. Marku është nga Mirdita dhe përlotet kur tregon për nënën dhe  dy motrat e tij me të cilat po bëhen gati 5 vjet qe nuk i ka përqafuar prej herës së fundit qëkur u largua nga kulla drejt një destinacioni të pa qartë. Familja e Markut ka gati gjysmë shekulli qe jeton në hasmëri me një familje tjetër të zonës. Ai nuk di të thotë sesi ka filluar kjo gjakmarrje, por kujton herën e fundit kur babai i tij ka plagosur hasmin, krim që tashmë po e paguan në burgun e Shën Kollit që nga viti 2009. Marku ishte 14 vjeç atë kohë kur së bashku me burgosjen e të atit, edhe atij ju mohua liria përderisa nuk i lejohej të dilte as në oborrin e shtëpisë nga frika se mund të gjente vdekjen nga plumbi i hasmit.

“Kur u largova nga shtëpia isha 15 vjeç tregon ai. U strehova në Sarandë për ca kohë duke u prezantuar me emra te ndryshëm në çdo vend që shkoja dhe në çdo rrugë që ecja. Më dukej sikur me ndiqnin njerëz dhe mund të më vërshëllente plumbi në çdo çast. Në vitin 2014 u largova në Gjermani duke aplikuar për azil, por mbas krizës së refugjatëve ma refuzuan duke më kthyer përsëri në Shqipëri. Të paktën Gjermania më shërbeu me gjuhën pasi tani punoj në Call Center, por dhe këtu kam regjistruar emër tjetër”, vijon  rrëfimin Marku ndërsa shprehet se tashmë rreziku është bërë pjesë e jetës së tij.

Kanuni i Lek Dukagjinit mbetet i rëndë duke shkaktuar ende plagë, jo vetëm me jetë njerëzish që vriten për hir të ligjit të gjakut, por dhe me qindra jetë të tjera të përçudnuara të të rinjve të pafajshëm që faj të vetëm kanë pse janë nga një zonë ku të ndjek plumbi për çdo krim që mund të ketë bërë babai, gjyshi a katragjyshi. Janë njrëz të lirë, por që ndihen të burgosur nga frika për jetën, gjithmonë me kokën pas, dyshimtarë dhe të paaftë për të bërë një jetë normale e të integrohen normalisht në shoqëri. Kujt ti drejtohet për ndihmë Marku për të pasur të drejtën të ta quajnë Mark, me emrin e tij të vërtetë dhe për të pasur një jetë si gjithë bashkëmoshatarët e tij? Shteti ka detyrim të sigurojë jetën e pronën e qytetarëve të vet, por realiteti i gjakmarrjes sfidon duke dëshmuar ende pazotësinë shtetërore për të shmangur këtë plagë të vjetër shqiptare. Duket se ka një lënie në heshtje të këtij fenomeni ende absurd kur tashmë në qendër të vëmendjes është dhe reforma në Drejtësi. Kur në debate televizive gjen vend ( me të drejtë natyrisht) çështja e urdhrave nga gjykatat për mbrojtjen nga dhunimet në familje, ndërsa për kërcënimet reale të marrjes së jetës nga ligji i ashpër i Kanunit kjo çështje mbetet e heshtur e gati pa shpresë.  Vallë sa jetë të tjera duhet të humbin? Sa burra, gra e fëmijë duhet të mbyllen nëpër kulla për t’i shpëtuar vdekjes? Shumë familje në veri të vendit, si rezultat i izolimit të shkaktuar për shkak të gjakmarrjes, janë dënuar  me një varfëri të tejskajshme, në analfabetizëm, me frikë dhe dhimbje për ata që kanë vdekur dhe për ata që do të vdesin.

Pafuqia e shtetit, por dhe heshtja e shoqërisë civile ka çuar që thjesht të konstatojmë se jemi përpara një realiteti të rëndë, por me një çmim të lartë për t’u paguar, gjakun e Markut dhe të shokëve të tij. E vetmja shpresë për të mbetet të shkojë larg vendit të tij, larg nënës e motrave dhe që kurrë të mos e kthejë kokën pas. Por fenomeni mbetet. Nesër do të ketë Mark të tjerë që po ashtu si ai do të privohen nga ëndrrat e tyre dhe nga një jetë normale. Pasi hija e rëndë e Kanunit do të mbesë si një sëmundje e pashërueshme me viktimat e tij. Disa do të dergjen në morg, disa në dyert e burgut e disa të tjerë të ngujuar.

SHKARKO APP