Himara dhe debati Tiranë-Athinë

Nga Nuri Dragoj/Debati i ditëve të sotme për Himarën, përfshirja në ‘të e politikës shqiptare dhe greke në nivelet e larta të saj, konfirmon faktin që marrëdhëniet Tiranë-Athinë hasin në pengesa shpesh herë të pakuptueshme. Historia e bashkëjetesës fqinjësore midis popullit shqiptar dhe atij grek, është e mbushur me elemente të mirëkuptimit dhe emblemat paqësore të respektit të ndërsjellët. Por historia e marrëdhënieve shtetërore ka pasur gjithmonë një “Kalë Troje” në mes. Kjo histori është e mbushur me provokime greke dhe presione cinike për të shfrytëzuar tranzicionin e vështirë të shtetit shqiptar në këmbim të përfitimeve helene.

Politika e Athinës këshillon Tiranën të shohë para dhe të mos e kthejë kokën pas, kur dihet që po nuk e ktheve kokën, me qëllim që të ruhesh, tjetri e ka realizuar qëllimin. Askush nuk mund të mohojë që tendencat për të ringjallur ndjenja të forta ekspansioniste janë vërejtur në të dy shtetet me të cilët kufizohen territoret e banuara prej shqiptarëve: në veri Serbia, në jug Greqia. Në fakt, Ballkani është evidentuar për shfaqjen e theksuar të nacionalizmave ekstreme, nxitur nga shtetet fqinje, të tendencës së shteteve për të shuar apo venitur identitetin e njëri-tjetrit, ku haraçin më të madh, kryesisht e ka paguar kombi shqiptar. Kjo dukuri përbën kapitullin fatkeq të identitetit ballkanik. Megjithatë, pavarësisht kësaj epidemie primitive, thuajse të gjitha kombet ballkanike kanë mundur të ruajnë kufijtë e tyre, me përjashtim të Shqipërisë, e cila është copëtuar vazhdimisht. Prej dekadash të tëra, ky copëtim është realizuar në sajë të përpjekjeve intensive të fqinjëve për të rrëmbyer pjesë të territorit shqiptar, mbështetur prej Fuqive të Mëdha, jo vetëm të Europës, si edhe prej mungesës së një qëndrimi unik dhe këmbëngulës të shqiptarëve.

Athina ka punuar dhe vazhdon të punojë me program të qartë për greqizimin e Shqipërisë, madje në këtë drejtim kanë avancuar. Në fakt, edhe gjatë kohës së pushtimit turk, edhe pse mendohet se ky pushtim ka favorizuar myslimanët dhe ka keqtrajtuar të krishterët, shpeshherë ka ndodhur e kundërta. I janë krijuar kushte Patrikanës Ortodokse, për të hapur shkolla dhe për të mbrojtur liturgjinë në Ballkan në mënyrë të pakufishme. Por, nëse ky oreks i ridimensionuar i klaneve shoviniste edhe në ditët e sotme, në vend të përgjigjes së merituar, do të vazhdojë “të përkëdhelet” me heshtjen konjukturale shqiptare, brezat që po vijnë e që do të vijnë në Shqipëri, nuk do të na e falin. Në këtë aspekt unë mendoj se Kryeministri Rama bënë mirë që tregohet i qartë në atë çfarë thotë.

Athina zyrtare shfaq një sjellje të pakuptimtë, kur bënë gjithçka për ta dëmtuar Shqipërinë dhe vazhdon të kërkojë të zhvatë pambarimisht nga territoret e saj. Ajo përfiton nga indiferenca e politikës shqiptare, nga padija e saj, apo vënia në shërbim të të tjerëve. Duke parë agresivitetin helen dhe indiferencën shqiptare, përfshirjen e saj brenda idesë së globalizmit, zhytja në gjumin e thellë se e nesërmja i takon Bashkimit Europian, gjithkush detyrohet t’i thërrasë mendjes: Çfarë po ndodh? Ndonjëherë sjelljet politike të fqinjit na bëjnë të habitemi, pasi nuk kuptohet ku i ka rrënjët kjo (anti)logjikë, kur dihet botërisht se kombi grek ka nxjerrë njerëz të mençur, që i kanë falur njerëzimit filozofinë e të drejtën universale. Nëse gjetkë u prodhuan diktatura të egra, mendja e zemra e vjetër greke prodhoi perla të urtësisë së universit, që arrijnë, ndoshta, njërin prej kulmeve në porosinë e shenjtë: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do dëshiroje të ta bënte ai!”.

Çështja “Himara”

Himara nuk ka çështje. Atë dëshirojnë ta sajojë politika greke në bashkëpunim me njerëzit e saj në Shqipëri. Deklarata e Kryeministrit shqiptar Edi Rama se Himara është shqiptare dhe se aty nuk ka minoritet grek, është mëse e vërtetë. E vetmja vërejtje që mund t’i bëhet Kryeministrit Rama është mosartikulimi si duhet i gjuhës diplomatike, por tashmë ka ardhur koha që gjërat të thuhen si duhet, pasi mosthënia e tyre drejt, ka krijuar dhe “çështjen Himara”. Prishja e ndërtimeve për organizimin urbanistik të qytetit nuk është çështje, por alibi. Nuk duhet të harrojmë që kjo është strategji e mirëstudiuar nga pala greke, e cila si përherë dëshiron që objektivat e veta t’i realizojë me anë të shqiptarëve të paguar. Pak kohë më parë ishte Vasil Bollano që mori flamurin e kthimit të Himarës në greke, më pas është Vangjel Dule që troket fortë në atë portë, mbështetur dhe nga ndonjë analistë shqiptarë, që këshillon “për më shumë kujdes, se po shkojmë në Europë”! Kujdes se prishim miqësinë me Greqinë! Kujdes se Greqia mund të vendos veton për këtë e për atë.

Kryeministri Rama bënë mirë që e thotë të vërtetën pa iu dridhur qerpiku, pasi heshtja e politikës zyrtare shqiptare ka bërë që në Himarë të shkojnë herë pas here deputetë dhe zyrtarë të qeverisë greke dhe sa herë shkojnë ata, patjetër do të ketë një incident. Presidenti grek, Kosta Stefanopulos, para disa viteve, kërkoi hapjen e shkollave greke në krahinën shqiptare të Himarës, duke e identifikuar atë me tokë greke. Asnjë reagim prej shtetit shqiptar. Nuk reagoi asnjë institucion, në një kohë që duhet të ishte shprehur vet Presidenti, pasi reagimet bëhen në bazë të nivelit reciprok.

Politika shqiptare nuk duhet të gjunjëzohet. Diskutimi nëse Himara është shqiptare apo greke, i ka kaluar kufijtë dhe po krijon një perde të errët edhe te vetë himarjotët. Ata ndihen të dyzuar, pasi vërejnë indiferencën e shtetit të tyre, të institucioneve shkencore që njohin historinë. Shkrimtari i njohur himarjot, Petro Marko, i cili ka thënë me zë të lartë, se Himara është shqiptare, para se të vdiste, la amanet që eshtrat e tij të preheshin në Dhërmi, në fshatin e lindjes. Dhe të afërmit kështu bënë. Por, siç kujton Ndriçim Kulla, në librin “Dritëhijet shqiptaro-greke”, prifti i fshatit, në vend që të shkonte të bënte detyrën si prift pranë eshtrave të të ndjerit, shkoi për ta mallkuar atë, pasi kishte thënë për së gjalli, se himarjotët janë shqiptarë, duke kërcënuar në këtë mënyrë dhe të tjerët, që të mos merren me këto punë. Njëlloj si dy shekuj më parë kur zbatohej teoria e shkishërimit ndaj ortodoksëve shqiptarë që nuk pranonin të bëheshin grekë. Për të kryer veprime të tilla dhe për të gjunjëzuar njerëzit tanë, grekët shfrytëzojnë nivelin e ulët ekonomik, duke ofruar një status të veçantë dhe joshës për himarjotët, si në dhënien e pensioneve apo punësimit në Greqi.

Himara është shndërruar në “çështje dite” nga vetë shteti shqiptar. Qytetarët e Himarës kanë nevojë për mbrojtjen e ligjit, të shtetit, për të shpëtuar nga “britma e rrugës”, pjesë e së cilës janë bërë edhe njerëz me pushtet në vite. Shteti shqiptar për vite të tëra është dukur sikur ka jetuar në simbiozë me ngjarje të tilla, sikur i duhen ato për të shmangur vëmendjen nga mangësitë në qeverisje, nga varfëria e madhe që ka pushtuar vendin.

Veprimet e kryera në Himarë, si ngritja e flamurit grek, ndërrimi i tabelave nga gjuha shqipe në greqisht, shfrytëzimi i një grindjeje midis dy të rinjve shqiptarë, si një çështje që ka lidhje me dhunën ndaj minoritetit grek, nisur vetëm nga fakti se aty flitet edhe greqisht, propaganda antikombëtare e të tjera, janë vepra dhe akte të palejueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe janë tepër të rrezikshme. Veprime të tilla kërcënojnë harmoninë në këtë zonë të pastër shqiptare. Pak vite më parë u hodh dhe ideja e ushtrimit të parimit ekstra-territorial për zona të cilësuara apo për të pasur një zonë të pastër etnike për zgjedhjet, gafa këto që bëhen nën presionin e Janullatosit dhe politikës greke dhe që, për fat të keq, politika shqiptare i pranon kokulur.

Gjithë trazira e nxitur prej fqinjit jugor, lidhet thjesht me faktin që aty flitet gjuha greke, prej një pjese të popullsisë. Dihet që vetëm në Himarë, Dhërmi dhe Palasë, krahas gjuhës shqipe, flitet edhe një greqishte e çalë. Të gjitha burimet shkencore çojnë në faktin se, gjuha greke është mësuar për shkak të afërsisë me Korfuzin dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare. Ajo është gjuhë e folur, kryesisht nga kurbetçinjtë. Gratë, ndryshe nga burrat, nuk e rrihnin kurbetin dhe në përgjithësi dinin të flisnin vetëm shqip. Sipas studiuesit Shaban Demiraj, nuk ka asnjë gjasë që “gjuha shqipe të ketë depërtuar si gjuhë e dytë në një popullsi greqishtfolëse”. Studiuesi Pëllumb Xhufi e provon katërcipërisht në librin e vetë faktin që Himara nuk ka asnjë lidhje me minoritetin grek. Defterët osmanë të shekullit XV dhe XVI, tregojnë qartë, se emrat e banorëve që kanë populluar këto fshatra kanë qenë shqiptarë. Demiraj shkruan se gjuha e tyre ka qenë shqipja dhe kombësia shqiptare, gjë, e cila provohet në shumë dokumente. Në një letër që himarjotët i kanë dërguar Papës, në vitin 1577, i kujtojnë trimin Skënderbe, të cilin e quajnë “Mbreti ynë i përndritur”. Ferit Duka pohon shkencërisht dhe me dokumente të pakontestueshme antroponiminë e popullsisë së krahinës. Në shekullin e XV -XVI, të gjitha emrat e banorëve të Himarës dhe rrethinave të saj, janë tërësisht shqiptarë. Dokumentet janë të pafund dhe nuk e vlen të zgjatemi më tej.

Ligji i luftës

Kryeministri Rama kërkon nga Athina zyrtare heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë. Ka individë që kërkesën e tij e quajnë të kapërcyer dhe e emërtojnë “nacionalizëm”, kur nuk besoj se e vërteta përputhet me etiketime të tilla. Njihet fakti që në prill të vitit 1986, kryeministri grek i kohës Andreas Papandreu pohoi se qeveria e tij kishte hequr ligjin e luftës me Shqipërinë, gjë që u përsërit në muajin gusht të vitit 1987 nga sekretari i përgjithshëm i shtypit dhe informacionit të Presidencës greke, Sotiris Kostopullos, por në fakt nuk abrogimi juridik të Dekretit mbretëror të 10 nëntorit 1940 nuk u bë. Mirëpo në qershor të vitit 1999, ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë njoftonte zyrtarisht Shqipërinë se ligji i luftës i vitit 1940 është ende në fuqi. Kjo tregon se, gjithçka e thënë nga autoritetet greke ka qenë gënjeshtër, ndonëse ata e quajtën atë ngatërresë burokratike. Mirëpo nuk ka qenë e tillë, pasi po të ishte siç u shprehën zyrtarë të lartë të Athinës, do të ishte konfirmuar me anë të një shkrese tjetër zyrtare që përgënjeshtronte të parën apo akti i anulimit të ligjit të luftës të ishte botuar në gazetën zyrtare, gjë që nuk ka ndodhur. Parimi i reciprocitetit është parim bazë, që rregullon marrëdhëniet midis dy shteteve. Në Kushtetutën greke theksohet disa herë që, në marrëdhëniet me shtetet e tjera, parimi i reciprocitetit është parim bazë. Realisht, një parim i tillë është shkelur me të dyja këmbët nga ana e Greqisë. Natyrisht duhet të ndërgjegjësohemi që faji nuk qëndron në Athinë, por në Tiranë, që nuk ka pyetur kurrë për këtë parim shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërshtetërore. Nëse do të respektohej ky parim, ligji i luftës do të ishte hequr qysh në vitin 1996 me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe i Sigurisë, midis Tiranës dhe Athinës. Pa u abroguar ligji në fjalë, nuk duhej të nënshkruhej dhe ky akt, i cili është produkt i ndjenjës së përulësisë së palës shqiptare, pasi nuk mund të ketë miqësi midis palëve, kur njëra prej tyre mban gjallë ligjin e gjendjes së luftës.

Madje ligji i luftës duhej të ishte hequr në vitin 1971, kur Greqia dhe Shqipëria pranuan të rivendoseshin marrëdhënieve diplomatike midis tyre në nivelin e ambasadave. Ndonëse ligji në raste të tilla konsiderohet i hequr ipso jure, nuk u konkretizua ipso facto. Po le të rikthehemi edhe një herë në ditët tona. Nëse vërtetë dekreti i luftës është firmosur nga mbreti dhe Kryeministri grek dhe nuk është ratifikuar nga Parlamenti i Athinës, nëse në vitin 1987, Kryeministri i Greqisë e ka abroguar zyrtarisht atë dekret, atëherë le ta bëjë të njëjtën gjë edhe presidenti grek dhe abrogimi i tij të botohet në Fletoren Zyrtare të Athinës, e cila duhet të njoftojë zyrtarisht me shkrim palën shqiptare për heqjen përfundimtare të tij.

Vija “Venizellos” dhe kabllogramet e Vvikileaks

Ka ardhur koha të shqipërohet mirë fakti që Athina vazhdon të punojë për realizimin e vijës “Venizello” e cila nënkupton pretendimin grek për “Vorio-Epirin”. Të gjithë ata që e njohin strategjinë e luftërave tradicionale, e dinë fare mirë se batalionet e pararojës së këmbësorisë hyjnë në fushën e betejës, pas bombardimeve të artilerisë dhe aviacionit. Por këtë radhë, pararoja e këmbësorisë greke, në vend të armatës ajrore, po përdor batalionin imagjinar të ushtarëve të vdekur, për t’i bërë udhë agresionit diplomatik. Duke i bashkuar në një divizion të vetëm, të gjallë e të vdekur, përkundër fjalës së Heraklitit (të gjallët janë bashkë në këtë botë, kurse të vdekurit janë veç), grekët e rinj kanë hapur sirtarët e mesjetës, për të nxjerrë katalogët e “Vorio-Epirit”, me besimin se, më në fund, paska trokitur ora e finalizimit të asaj aventure!

Athina zyrtare di të punojë, pasi Kryeministrat dhe ministrat shqiptarë (jo të gjithë) sillen si pronarë dhe jo si menaxherë të këtij vendi. Ata japin leje për varreza vend e pa vend, duke u bërë palë me qeverinë greke për saktësimin e vijës kufitare të imagjinuar nga Venizellos. Athina nuk e ka hallin me të vërtetë tek të rënët, pasi po të ishte ashtu, i tërhiqte eshtrat e tyre në Greqi, ose i mblidhte të gjithë në Bularat, ku ndërtonte dhe një përkujtimore. Por halli është gjetkë. Në vitin 2005 qeveria greke nisi ndërtimin e varrezave me leje gojore të kryeministrit shqiptar të kohës, ndërtim i cili do të legalizohej 4 vite më pas.

Misterin e ndërtimit të varrezave greke ne vendin tonë e zbardhin përfundimisht kabllogramat e Vvikileaks. Kabllograma e ambasadës Amerikane në Tiranë, dërguar Departamentit të SHBA, me kod 06TIRANA662, 21 qershor 2006, raporton mbi incidentin e krijuar me zhvarrimet ilegale të zhvilluara në fshatin Kosinë të Përmetit. Zyrtarët e Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, kanë intervistuar At’ Andon Merdanin, drejtor të Marrëdhënieve me Jashtë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Sipas këtij dokumenti, ai ka pohuar se, “…pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje formale, ndërtimi i një mauzoleumi, me kapacitet prej 630 varresh, përfundoi së ndërtuari vitin e kaluar (2005), në territorin e një manastiri ortodoks në Përmet. Një mauzoleum i dytë, i ngjashëm me të, është aktualisht në ndërtim, në Korçë (V. 2006)”.

Por ajo që ka më shumë rëndësi, qëndron në faktin që, “Merdani konfirmoi, se ndërtimi i mauzoleumeve është financuar nga qeveria e Greqisë dhe qe zbatuar nën drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare”, – vijon më tej kabllogrami, i firmosur nga ambasadorja Marcie B. Ries.

Merdani ka thënë gjithashtu, se kreu i kishës autoqefale, kryepeshkopi Anastasios Janullatos, vizitoi Kryeministrin grek, Karamanlis, në Athinë, në një takim ku u diskutua edhe çështja e varrezave. Një ditë më vonë, kisha lejoi policinë dhe prokurorinë shqiptare, të hynin në kishën ku mbaheshin përkohësisht eshtrat, me qëllim që këtyre të fundit t’u kryhej autopsia.

Duke lexuar këtë kabllogram, ku mësohet se kisha ortodokse shqiptare, angazhohet në veprime antishqiptare, nuk është e vështirë të kuptosh, se autoqefalia e saj është shuar. Mbase në këtë rast duhet sjell në vëmendje thënia e Nolit: “Hapni sytë kur bisedoni apo lidheni me grekët, se ata janë pasardhësit e Odiseut dhe ruani me heroizëm Kishën tuaj, se një ditë, papritur e pa kujtuar, do t’u shkas nga dora dhe s’kini për ta marrë kurrë. Rrënjët e kishës greke janë si të arçarit, që përhapin kudo vetëm helm”.

Një kabllogramë tjetër amerikane, hedh dritë mbi procesin e vështirë të negocimit të kërkesës greke për varreza lufte në territorin shqiptar, një negocim, që Athina, duket se e fitoi përmes shantazhit. Kabllograma, 08TIRANA745, raporton edhe lidhur me sqarimet e dhëna nga diplomati shqiptar, Islam Lauka, drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet Rajonale të asaj kohe, i cila është shprehur: “Ambasadori i Greqisë i ka thënë ministrit të Jashtëm Lulzim Basha që, në rast se qeveria e Shqipërisë nuk bie dakord me kushtet e Athinës për varrezat ushtarake, atëherë Parlamenti i Greqisë nuk do ta ratifikojë kurrë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit”. Në këtë dokument, thuhet më tej që “Ai i tha gjithashtu Bashës, se në të njëjtën ditë që Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për varrezat, Parlamenti i Greqisë do të ratifikojë MSA-në”.

Menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit, të 15 marsit 2008, ishte ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, diplomatja e parë që mbërriti në Tiranë për t’i dhënë mbështetje qeverisë shqiptare. Por gjatë konferencës së shtypit, pikërisht në fjalinë e dytë të saj, ajo përmendi “nevojën” e riorganizimit të varrezave greke në Grykën e Këlcyrës, në një nga pikat më strategjike të Jugut të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Presidenti grek, Papulias, gjatë takimit me Presidentin shqiptar, përsëriti kërkesën helene për ndërtimin e tri varrezave të mëdha në Shqipëri. Sipas tij, këto varreza do të ngriheshin në zonën jugore dhe juglindore të Shqipërisë, pikërisht aty ku kufijtë e hartës së “Vorio-Epirit” konvenojnë në fantazinë greke pa kufi. Aktualisht, në Grykën e Këlcyrës është ngritur një mauzeoleum për ushtarët grekë të vrarë në luftime, por varret e tij janë bosh dhe vetë projekti gjigant qëndron si një parodi e luftës, ku muzika bie vazhdimisht, por teksti i fjalëve mungon. Për më tepër, eshtrat e luftëtarëve grekë janë tërhequr me kohë, me ndonjë përjashtim të vogël, ndërkohë që ata po i zëvendësojnë me eshtra shqiptarësh, vdekur dekada më parë. Pas këtij teatri komik, shumë njerëz shtruan pyetjen: Përse, vallë, grekët e sotëm i mëshojnë aq shumë idesë së ushtarëve të vdekur?!

Perënditë e lashtësisë, të cilat kanë përjetuar, parë e dëgjuar miliona histori intrigash qiellore, pa asnjë dyshim do të shqyenin sytë kur të mësonin për intrigat qindravjeçare të fqinjëve në tokën e ilirëve. Në anën tjetër, Homeri, babazoti i letërsisë botërore që na rrëfeu tinëzarinë e Kalit të Trojës, po të jetonte në kohët e sotme, do të bindej lehtësisht se ky kalë pabesie, i konstruktuar kundër trojanëve, nuk është asgjë përpara dinakërisë së disa qarqeve greke, kundrejt fqinjëve të tyre të stërlashtë – shqiptarëve.

Sikur të jetonte Eskili, ky humbës i madh e tragjik, do të shkruante, me siguri, një cikël të tërë kryeveprash, me dramat dhe fatkeqësitë që u janë shkaktuar shqiptarëve, ku vetëm dëbimi i çamëve përbën një vepër drithëruese e tragjike. Me penën e tij mjeshtërore, ai do të tregonte panoramën e epokës së globalizimit, ku, ndërsa kufijtë shtetërorë kthehen në konvencione, idealizmi dhe mirëbesimi i një populli të vogël u ballafaqua me synimin shovinist të disa klaneve të caktuara, greke dhe serbe, ndaj territoreve iliro-shqiptare. Por tragjedianët e Greqisë së lashtë kanë vdekur prej kohësh, duke mos arritur t’i shohin luftërat e përgjakshme botërore, djallëzore, që e kishin zanafillën te Troja, te kali i drunjtë. Sot, në shekullin e njëzetenjëtë, ndërsa qytetarët e Europës aspirojnë paqe e konvencionalitet kufitar, pabesitë dhe luftërat vazhdojnë, në forma të tjera dhe siguria është e dyshimtë, në mos e munguar.

Të gjithë ata që merren me studime historiko-mitologjike, e njohin përfundimin tragjik të Laokoont-it, statuja e të cilit, me kokën e mermertë rrethuar nga gjarpërinjtë helmues, ka shëtitur botën. Sipas legjendës, Laokoonti ishte i vetmi që refuzoi pranimin e kalit të drunjtë në Trojë. Ai udhëhoqi protestat kundër pranimit të dhuratës helene, duke u kujtuar bashkëkohësve të vet se dinakëria helene nuk shteron kurrë. Si ndëshkim për refuzimin, perënditë i dërguan gjarpërinjtë në mesnatë, duke e mbytur pikërisht në dhomën e tij, ku po shkruante parullat e protestës për të nesërmen. Sipas interpretimit modern, Laokoonti nuk u mbyt prej gjarpërinjve, por u helmua në mesnatë prej kundërshtarëve politikë, të cilët kërkonin me çdo kusht kalin e drunjtë brenda Trojës dhe Trojën. Dhe pasi i dhanë të pijë një gotë me helm, tradhtarët paguan rapsodët dhe skulptorët që të përhapnin nëpër botë versionin fals të mbytjes prej gjarpërinjve. Thirrja e fundit i Laokoontit ishte: “Mos pranoni asnjë dhuratë prej helenëve (Akeo – Danejve), sepse çdo dhuratë e tyre do të konvertohet me pushtimin e Trojës!”. Dhe dihet fati i Laokoontit, i cili akoma bredh nga muzeu në muze për t’u kujtuar bashkëkohësve të këtij shekulli misterin e pushtimit të Trojës, lojën e prapaskenave dhe sidomos indiferencën trojane. Në strofën e fundit të një poezie të Kadaresë, monumenti prej guri i Laokoontit, u thotë vizitorëve dhe banorëve të globit:

“Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra /nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj “krak” / jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë mostra, / po indiferenca juaj do të bëhet shkak.”

SHKARKO APP