Hyn në fuqi ligji i pronave, si ndryshon formula e kompensimit i pronave

Botohet në Fletoren Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese për drafti i shumë-debatuar i qeverisë

Nga Herion Mesi

Dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin, sipas të cilës ligji i pronave, i miratuar nga maxhoranca nuk mbron pronarin, ligji i qeverisë është botuar në Fletoren Zyrtare, duke futur në fuqi formulën e re të përllogaritjes së pronave. Edhe pse kishin marrë një “konsultim” nga Komisioni i Venecias, sërish gjyqtarët e Kushtetueses nuk e kanë lexuar të gjithë njësoj rekomandimin. Si rezultat, gjykata nuk e ka rrëzuar formulën e llogaritjes së vlerës së pronës, por vetëm pjesën e kompensimit të saj. Kushtetuesja mendon se ligji i ri i qeverisë “mund të rezultojë në një masë më të ulët kompensimi që u paguhet ish-pronarëve”, por ai është ligjërisht i drejtë. “Nisur edhe nga analiza e Komisionit të Venecias, gjykata vlerëson se ligji, pavarësisht se parashikon një metodologji të re vlerësimi për kompensimin fizik dhe financiar të ish-pronarëve, e cila megjithëse rezulton në ndërhyrje në të drejtën e pronës dhe mund të mos u përgjigjet pritshmërive të subjekteve që prek ligji, rezulton se në tërësinë e tij respekton proporcionalitetin e ndërhyrjes në të drejtën e kompensimit të pronës së ish-pronarëve”,- thuhet në vendimin e zbardhur. Me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria do të detyrohet të rishikojë edhe një herë këto dy pika të ligjit. Kjo do të thotë se formula që po ndiqet aktualisht duhet të ndalohet dhe me pak fjalë, ligji bllokohet derisa të bëhen ndërhyrjet e tjera të nevojshme me qëllim gjetjen e një formule të re. Ligji i pronave u dërgua në Kushtetuese nga një numër i madh subjektesh, si Presidenti, partitë politike dhe shoqata. Edhe pse gjykata ka rrëzuar kërkesat më të shumta të tyre, ka pranuar faktin se formula e re nuk mbron pronarin. Qeveria ka futur një formulë që kompensimi duhet që të bëhet sipas zërit kadastral, por Kushtetuesja nuk është e këtij mendimi dhe tani ligji në fjalë do të duhet që të rishikohet. Gjykata deklaron se ligji në fjalë shkel sigurinë juridike, sipas saj pikat “3” dhe “5” çojnë drejt rishpronësimit të ri, pasi kompensohen prona që janë kthyer më parë. Kushtetuesja vëren se formula e paraqitur nga qeveria krijon konfuzion në përllogaritjen e vlerave financiare që do përfitojnë pronarët e vjetër. Në këto kushte, gjykata çmon se përmbajtja e pikave 3 dhe 5 të nenit 6 nuk është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, pasi përllogaritja e sipërfaqes së përfituar dhe asaj që do të zbritet ose shtohet sipas formulës së parashikuar në pikën 1 të nenit 6 është e paqartë dhe krijon konfuzion në zbatim sa i takon pritshmërive të shtetasve. “Referuar ligjit objekt shqyrtimi, Gjykata vëren se ligjvënësi nëpërmjet tij ka rirregulluar çështjen e kompensimit fizik dhe financiar të ish-pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në Shqipëri. Ky ri-rregullim duhet parë në aspektin e respektimit të kritereve të vendosura nga neni 17 i Kushtetutës, i cili është testi që duhet të gjejë zbatim në çdo ndërhyrje në të drejtat dhe liritë themelore të individit, sipas praktikës së konsoliduar të Gjykatës. Arsyeja për këtë është fakti se ligji parashikon një mënyrë të re vlerësimi për kompensimin e pronave, skemë e cila, sipas kërkuesve, rezulton në një vlerë më të ulët kompensimi se sa parashikonte ligji i mëparshëm për këtë qëllim”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Ndryshimet e ligjit

Në vendimin e saj, Gjykata ka rrëzuar vetëm pikat 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit, por nuk ka ndryshuar formulën që llogarit vlerën e tokës. Konkretisht, neni 6 në pikën 3 të tij parashikon se  në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim e llogaritur sipas shkronjës. Ndërsa pika 5 e ligjit parashikon se në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së. Kjo do të thotë që pronarët që kanë marrë një tokë dhe kanë pretendime për një tokë tjetër, atëherë do të ketë një rivlerësim. Kështu, toka e kthyer më parë (pas vitit 1992) do të vlerësohet me vlerën e kohës së kthyer, ndërsa toka që pretendohet, sipas zërit kadastral të kohës që është konfiskuar (para vitit 1990). Në rast se toka e kthyer pas viteve 1992 ka një vlerë më të madhe se sa toka e pretenduar, atëherë pronari quhet i kompensuar. Këto dy pika të ligjit, Kushtetuesja i ka rrëzuar me argumentimin se, sipas përmbajtjes së tyre, të çojnë në përfundimin se ato janë konceptuar si një shpronësim i ri, duke qenë se parashikojnë rivlerësimin e pronave të kthyera ose të kompensuara më parë. “Në këtë këndvështrim, këto dy dispozita krijojnë probleme lidhur me sigurinë juridike konkretisht për sa i takon paqartësisë dhe paparashikueshmërisë së legjislacionit”,- shprehet gjykata. Më tej, Gjykata çmon se përmbajtja e pikave 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit 133/2015 nuk është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, pasi përllogaritja e sipërfaqes së përfituar dhe asaj që do të zbritet ose shtohet sipas formulës së parashikuar në pikën 1 të nenit 6 është e paqartë dhe krijon konfuzion në zbatim sa u takon pritshmërive të shtetasve.

SHKARKO APP