INSTAT: Në vitin 2015 ekonomia shqiptare u rrit 2,23 %

Në vitin 2015 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë prej +2,23 %, krahasuar me vitin 2014, pas një rritje prej +1,77 % në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013.

PBB me çmime korente në vitin 2015 u vlerësua 1.427.799 milion lekë (10,2 miliardë Euro) dhe 1.395.305 milionë lekë (10,0 miliardë Euro) për vitin 2014. PBB për frymë në vitin 2015 arriti në 496 mijë lekë (ose 3.547 €) nga 483 mijë lekë (ose 3.450 €) që ishte në vitin 2014.

Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e dhanë degët si “ndërtimi” me +0,57 pikë përqindje, “aktivitete profesionale dhe shërbime administrative” me +0,44 pikë përqindje, “industria” me +0,29 pikë përqindje, “tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me +0,28 pikë përqindje, “arte, argëtim dhe shërbimet e tjera” me +0,16 pikë përqindje, “bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me +0,16 pikë përqindje dhe “aktivitete financiare dhe sigurimi” me +0,13 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan me -0,06 pikë përqindje.

Përsa i përket strukturës së PBB sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2015 vazhdojnë ta zënë shërbimet me 46,5 % të PBB, të cilat u rritën me 2,77 % në terma realë. Industria dhe ndërtimi përbëjnë 21,2 % të Produktit të Brendshëm Bruto. Industria në terma realë u rrit me 2,26 %, kurse ndërtimi me 6,64%. Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 20,1 % të PBB dhe janë rritur me 0,79 % në terma realë.

Deflatori i PBB-së për vitin 2015 ishte +0,1 %. Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, Konsumi final, komponenti me peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi prej 92,38 %, u rrit me 2,49 % në terma nominalë dhe 0,89 % në terma realë. Në strukturën e konsumit final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe, prej 80,54 %, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 11,16 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,68 %.

Në vitin 2015, formimi bruto i kapitalit fiks i cili përbën 24,64 % të PBB-së, u rrit me 4,37 % në terma nominalë dhe 4,03 % në terma realë, krahasuar me vitin 2014.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,65 % në terma nominalë dhe pësuan një rritje të lehtë me 0,97 % në terma realë, ndërkohë që importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 3,00 % në terma nominalë dhe u ulën me 2,88 % në terma realë, krahasuar me vitin 2014.

/a.gjonaj/ /a.g/

SHKARKO APP