Ish-ambasadori gjerman: Kur Enveri nisi sulmin ndaj ballistëve

Dr. Martin B. Schliep, ish-zyrtari më i lartë i Gjermanisë në vendin tonë në vitet e luftës, në dosjen nga shërbimi diplomatik në Shqipëri, deklasifikuar së fundi, ka arkivuar edhe një material interesant me kujtime nga dinamika e luftimeve në Shqipërinë e asaj periudhe.

Përveç raporteve zyrtare nga Tirana nën pushtimin nazifashist dhe profilit të disa prej figurave kryesore, si Mithat Farshëri, Mustafa Kruja, Ekrem Bej Libohova, Maliq Bushati, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Vehbi Frashëri, Bahri Omari dhe At Anton Harapi, diplomati gjerman sjell një panoramë të zgjeruar të veprimtarisë së forcave politike shqiptare dhe raportit të tyre me operacionet gjermane në Shqipëri. I ftohtë në shqyrtimin e këtyre zhvillimeve, Martin Schliep i kushton një kapitull të veçantë marrëdhënieve komplekse midis forcave të Ballit Kombëtar dhe atyre të Partisë Komuniste, duke u ndalur veças në rrethanat e fillesave të konfliktit ndërmjet tyre, që pasoi sipas tij luftën civile në Shqipëri.

“Enver Hoxha, shkruan diplomati gjerman, menjëherë pasi prishi Marrëveshjen e Mukjes, urdhëroi sulmin kundër forcave të Ballit”. Në këtë situatë, sipas tij, këta të fundit u lidhën me trupat gjermane dhe u quajtën nga komunistët kolaboracionistë. Në optikën e Martin B. Schliep, ky moment dramatik ka shënjuar largimin përfundimtar të Abaz Kupiti nga Fronti Antifashist i drejtuar nga komunistët.

Sakaq, kronikani i huaj kujton çfarë ndodhi me kryelegalistin pas kësaj dhe argumentet pse dështuan negociatat e britanikëve për të angazhuar zogistët në luftën kundër nazistëve. Se Kupi dhe të tijët, vren diplomati gjerman, ishin më tepër të interesuar të ulnin ndikimin komunist në Shqipëri, sesa të luftonin gjermanët…

NGA AFRIM IMAJ

Brenda grupeve të rezistencës në Shqipëri, gjendja ishte tensionuar, gjë që po çonte në luftë civile. Enver Hoxha refuzonte të njihte marrëveshjen e lidhur me ballistët në Mukje dhe urdhëroi njësitë e tij të sulmonin dhe asgjësonin Ballin Kombëtar. Nëpërmjet disiplinës dhe armatimeve të tyre më të mira, ata arritën t’i vendosnin rivalët e tyre me shpatulla pas murit. Këta të fundit iu lutën qeverisë në Tiranë t’i furnizonte me armatim, të cilat i morën me ndihmën gjermane.

ta u lidhën ngushtë me trupat gjermane dhe për pasojë u quajtën kolaboracionistë nga Enver Hoxha. Kjo sjellje e Enver Hoxhës përkundrejt Ballit Kombëtar u quajt nga Abaz Kupi si tradhti dhe vendosi të ndahej nga lëvizja tek e cila ai nuk kishte më besim dhe kishte filluar të frikë- sohej prej saj. Ai hyri në kontakt me qeverinë shqiptare dhe qëndroi me të, veçanërisht me Mehdi Frashërin.

Ai mblidhte drejtues monarkistë shqiptarë, të cilët vinin kryesisht nga zonat e luginës së Matit, nga Kruja dhe Tirana, për të krijuar në dhjetor të 1943-shit në malet në veri të Tiranës Lëvizjen zogiste. LANÇ nuk e njohu këtë lëvizje dhe nga kjo kohë lidhjet midis Abaz Kupit dhe Enver Hoxhës u përkeqësuan gjithmonë e më tepër, megjithatë Abaz Kupi shmangte luftën e hapur kundër komunistëve, ashtu siç iu shmang një përplasjeje me trupat gjermane.

Dimri veçanërisht i fortë 1943/1944 dhe ndërhyrjet gjermane i dobësuan së tepërmi jo vetëm bandat, por dhe misionet ushtarake angleze, të cilat në vjeshtë të 1943-shit, nëpërmjet dërgimit të Gjeneral Brigade Devies me një shtab me numur të përforcuar së tepërmi. Davies dhe dy nga oficerët e tij, në janar të 1944-s, pas asgjësimit të bandave komuniste të Baba Fajës u plagos, u zu rob dhe u dorëzua te gjermanët nga Ibrahim Bej Biçakçiu. Anglezët e tjerë u detyruan të arratiseshin nëpër male, ku u përballën me lodhje dhe stërmundime dhe ku banorët i shihnin me armiqësi, nga frika e reprezaljeve gjermane.

Disa u sulmuan nga banditët për shkak të armëve dhe floririt të tyre, të tjerë u arrestuan nga Wehrmacht-i. Shefi i shtabit të gjeneral Devies, kolonel Nicolls, vdiq nga i ftohti. Pjesa më e madhe e të mbijetuarve u pritën nga Abaz Kupi, i cili tashmë kishte një truproje prej rreth 200 vetash. Pjestarë e LANÇ ishin bashkuar dhe ishin kufizuar në male në jug. Duke qenë se mendohej se gjermanët në verë të 1944-s do të pastronin Ballkanin, në Londër u vendos që të ndikoheshin palët për të pajtuar LANÇ-in dhe zogistët, me qëllim bashkimin e tyre për t’u shkaktuar gjermanëve sa më shumë humbje në njerëz dhe materiale. Në Bari ndodhej baza e operacioneve, nga e cila oficerët britanikë drejtonin lëvizjen e rezistencës në Ballkan.

Instruksionet për Shqipërinë ishin:

1. Riorganizimi dhe koordinimi i veprimtarisë së misioneve britanike në pjesën gegë të Shqipërisë.

2. Të motivonin dhe drejtonin gegët në përgjithësi dhe sidomos zogistët të luftonin kundër gjermanëve.

3. Krijimi i një fronti të përbashkët mes zogistëve dhe LANÇ-it kundër gjermanëve. Në prill 1944, oficerët koordinatorë rifilluan veprimtarinë e tyre në Shqipëri. Por, ata panë shumë shpejt që zogistët ishin tepër mosbesues kundrejt tyre dhe ishin shumë më tepër të interesuar të ulnin ndikimin komunist në Shqipëri, sesa të luftonin gjermanët përkundrejt të cilëve ata nuk kishin ndonjë urrejtje dhe nga të cilët ata kishin frikën e reprezaljeve.

Kjo përshtypje u përforcua akoma më tepër gjatë diskutimeve të oficerit koordinator anglez, kolonel Maclean, dhe majorit Amery tek Abaz Kupi, i cili përpiqej të organizonte Lëvizjen zogiste në mënyrë të rreptë dhe ta zgjeronte atë përtej Shqipërisë së Mesme. Megjithatë, bandat e tij ishin të armatosura keq, ndërsa partizanët ishin furnizuar mjaftueshëm me armatim dhe municion. Ai i quante ata armiq dhe nuk besonte në një pajtim të mundshëm.

Por ishte i gatshëm të pranonte ndërmjetësimin britanik. Përpjekjet britanike hasën në refuzimin e Enver Hoxhës, i cili ndiqte në mënyrë konsekuente objektivin e tij për të futur në një regjim totalitar të gjithë Shqipërinë. Koordinatorët anglezë u panë nga partizanët me mosbesim dhe u trajtuan keq. Atyre iu refuzua të merrnin të dhëna mbi atë çka ndodhte në organizatën komuniste dhe veprimtaria e tyre u kufizua në dërgimin e armëve dhe municionit.

Misioni britanik nuk pati sukses me presionin e krijuar mbi Abaz Kupin, për të luftuar kundër gjermanëve, pasi kërkesës së Abaz Kupit për armatim dhe municion, para se të kryente çdo veprim, ata iu përgjigjën sipas udhëzimeve që kishin marrë “no arms before action”. Zyrtarët britanikë kishin frikë se komprometonin pozicionin e tyre para aleatëve rusë, nëse furnizonin me armë ata që nuk ishin përfshirë në luftë kundër gjermanëve. Por, sidoqoftë, ata ishin të ndërgjegjshëm që Enver Hoxha përdorte vetëm 1/10 e armëve të dërguara nga ata për të luftuar gjermanët, ndërsa 9/10 e tyre i përdorte për të luftuar kundërshtarët e tij politikë.

Forcat e tij të armatosura arritën në maj të 1944-s 15.000 vetë, ndërsa ballistët arrinin rreth 5000. Abaz Kupi llogariste të rekrutonte nga zonat e pasura të Shqipërisë së Mesme, Mati, Kruja dhe Tirana, disa mijëra vetë. Zogu, i cili vinte nga lugina e Matit, i kishte mbështetur shumë këto zona dhe Abaz Kupi përpiqej të merrte nëpërmjet lidhjeve të gjakut besën e këtyre njerëzve deri në fund të luftës.

Gjithashtu, Abaz Kupi nxiste nëpërmjet anglezëve futjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, njohjen e Zogut dhe të drejtën e vetëvendosjes për zonën e Kosovës. Zogistët kishin frikë se Shqipëria në Konferencën e Teheranit do të bëhej një zonë e kontrolluar nga sovjetikët. Si kusht për përgjigjen e këtyre kërkesave, britanikët gjithmonë vinin luftën pa kushte kundër Wehrmacht-it.

 

SHKARKO APP