“Ish-të përndjekurit, përparësi për kompensimin e pronës”

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do t’i propozojë qeverisë nxjerrjen e akteve nënligjore ku, në procesin e kthimit dhe kompensimit të trajtohen me përparësi qytetarët që gëzojnë statusin e ish-të përndjekurit politik, si dhe të parashikohet edhe kompensimi në rastet e shkatërrimit apo dëmtimit të pronave të ish-të përndjekurve për arsye politike. Ky është rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili duhet të realizohet brenda këtij viti. Rekomandimi është pjesë e raportit të KLSH-së për auditimin e performancës, “Rehabilitimi i ish-të përndjekurve politikë në periudhën e tranzicionit”.

“Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ideojë dhe të propozojë ndryshimet e duhura ligjore, si dhe të ndjekë zbatimin e politikave nxitëse për strehimin, arsimimin dhe punësimin e shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Nga Ministria e Financave, në zbatim të ligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, të hartohet një udhëzim konkret për përcaktimin e formave të pagesës për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, duke përcaktuar në mënyrë konkrete gjithë operacionet e domosdoshme për kryerjen e pagesave, si dhe rregullat e nevojshme mbi procesin, autoritetin përkatës të kryerjes së veprimeve dhe autoritetin kontrollues, duke përcaktuar dhe riskun për çdo operacion pune”, thuhet në raportin e KLSH-së drejtuar dy ministrive. Sipas KLSH-së, ish-të përndjekurit politikë kanë përfituar vetëm 1/3 e vlerës së dëmshpërblimit për vitet e burgut dhe vuajtjes së përjetuar nën regjimin komunist. Gjithashtu KLSH-ja i rekomandon Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të ideojë dhe të propozojë ndryshimet e duhura ligjore, si dhe të ndjekë zbatimin e politikave nxitëse për strehimin, arsimimin dhe punësimin e shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Ndërsa Ministra e Financave duhet që në zbatim të ligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, të hartojë një udhëzim konkret për përcaktimin e formave të pagesës për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, duke përcaktuar në mënyrë konkrete gjithë operacionet e domosdoshme për kryerjen e pagesave, si dhe rregullat e nevojshme mbi procesin, autoritetin përkatës të kryerjes së veprimeve dhe autoritetin kontrollues, duke përcaktuar edhe riskun për çdo operacion pune. Sipas raportit të KLSH-së Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, të bashkërendojnë punën dhe të marrin masat që të gjitha ndërmarrjet shtetërore jobuxhetore për çdo vit ushtrimor buxhetor të plotësojnë detyrimin ligjor për derdhjen 1% të fondit të pagave në buxhetin e IIPP-së.

Gjetje të KLSH-së
Përqindja e planifikuar për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë rezulton në nivel shumë të ulët nga të ardhurat e planifikuara në buxhet. Në periudhën 2009-2015, pas daljes së ligjit mbi dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, për çdo vit rezulton të jenë paguar mesatarisht 1.93 miliardë lekë dhe, bazuar në përllogaritjen e bërë nga Ministria e Financave, për 13.167 dosje të pranuara dhe të miratuara me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, shoqëria i detyrohet shtresës së ish-të përndjekurve një shumë prej 52.7 miliardë lekësh (nga të cilat janë dhënë 16.7 miliardë lekë). Me ritmet e pagesës së 7 viteve të fundit (mesatarisht 1.93 miliardë në vit), detyrimi i palikuiduar prej 36 miliardë lekësh do të shlyhej nga qeveria pas 18 vitesh. “Vlera e mësipërme përbën një shumë simbolike, pa folur për shpërblimin për punën e papaguar. Ish-të përndjekurit politikë kanë përfituar vetëm 1/3 e vlerës së dëmshpërblimit për vitet e burgut dhe vuajtjes së përjetuar nën regjimin komunist; që nga ajo kohë, vetëm një në gjashtë të përndjekur kanë mbetur gjallë.

Nga të dhënat e IIPP-së, për ish-të dënuarit e të përndjekurit janë shpërndarë në bono privatizimi: 17.509.637 mijë lekë, që në pjesën më të madhe është një shumë fiktive. Për bonot e privatizimit nuk u arrit synimi i përdorimit të tyre (jo për fajin e ish-të përndjekurve), vlera e tyre reale u ul në 3-5% të vlerës nominale, vlerë e papërfillshme kjo, gjë që është pranuar edhe nga qeveria. Janë përdorur vetëm 40% e kësaj shume, të cilat janë shitur në një vlerë shumë më të ulët se vlera e tyre nominale. Prandaj shuma reale në favor të ish-të përndjekurve në letra me vlerë është vetëm 7.614.705 mijë lekë”, thuhet në raport. Sipas KLSH-së, “çështja e rehabilitimit të ish-të dënuarve e të përndjekurve politikë nuk ka ecur me ritmet e duhura i në drejtim të hartimit, miratimit dhe zbatimit të ligjshmërisë, bashkëpunimit të institucioneve për zbatimin e detyrave të përcaktuara me ligj në fushën e zgjidhjes së problemeve me të cilat ndeshen në jetën e përditshme ish-të dënuarit e të përndjekurit politikë, bazuar në faktin se zbatimi në praktikë ka lënë shumë për të dëshiruar për arsye se dëmshpërblimi po zgjatet jashtë çdo limiti”.
/GSh

SHKARKO APP