“Jo-të e arta” të Bashës

Nga Feti Zemeli/Sa herë është folur për ndryshimin e botës dhe shoqërisë njerëzore, nuk është lënë pa përmendur roli i liderit dhe lidershipit politik për këtë çështje të natyrës revolucionare apo evolucionare. Gjithçka duket se e ka zanafillën tek thënia e Sokartit, sipas të cilit: “Ai që dëshiron të ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij”. Praktikisht, nëpërmjet ndryshimit të vetes, njeriu arriti të ndryshoi botën dhe shoqërinë në përgjithësi. Në këtë proces transformimi historik, disa individë, për shkak të cilësive apo veprimeve të veçanta, u shquan mbi të tjerët, duke u bërë shembull frymëzimi dhe ëndërrimi për të gjithë. Kësisoj, lindi koncepti i liderit dhe lidershipit. Studime dhe hulumtime të panumërta kanë sjellë argumente të detajuara të sjelljeve, stileve, aftësive dhe karakteristikave që i përkasin këtij koncepti. Në sensin e gjerë të fjalës, “lideri” është ai, i cili i mbledh njerëzit së bashku dhe i udhëheq ata drejt një qëllimi të përbashkët. Peter Drucker, apo siç njihet ndryshe, edhe si “babai i menaxhmentit” nënvizon, se definicioni i vetëm i një lideri është: “Ai i cili ka pasues”. Kudo, por sidomos në politikë “pasuesit” janë të domosdoshëm, sepse lidershipi nuk është pozicion, por është aksion. Dhe, siç thotë Arthur Ashe, për ta realizuar këtë aksion: “Fillo aty ku je, përdor atë që ke, bëj atë që mundesh!”. Natyrisht, duke mbajtur gjithmonë parasysh që “arti i lidershipit është të thuash “Jo!”, dhe jo “Po!”. Për ish-kryeministrin e njohur anglez dhe ideator i “Rrugës së Tretë”, Tony Blair, në politikë është shumë e lehtë të thuash “Po!”.

Në një shkrim të botuar rreth një vit më parë, me titull: “AND-ja e lidershipit perëndimor”, analizoj “Jo-të e arta” të Bashës për javë me radhë, edhe përballë faktorit ndërkombëtar deri sa u arrit drafti i duhur tekniko-ligjor për miratimin e ndryshimeve të ligjit themeltar të shtetit, në funksion të ndërmarrjes së reformës në drejtësi. Mjafton të kujtojmë se shumë personalitete politike të botës perëndimore, përfshi edhe ish-Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Nuland, u shprehën me superlativa për lidershipin e Bashës, lidhur me rolin e tij vendimtar për miratimin e një reforme të rëndësishme me standarde perëndimore për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke e cilësuar atë “… jo vetëm një lidership politik, por edhe një lidership patriotik për interesat më të mira të vendit tonë”. Vetë deklarata më e fundit e liderit demokrat, pas arritjes së konsensusit për miratimin e ndryshimeve të ligjit themeltar të shtetit, në funksion të reformës së shumëpritur në drejtësi dëshmon, se beteja e zhvilluar për më se dy vite rresht në këtë rrugë politike tejet të vështirë “… ka pasur dy qëllime: të mbrojë kushtetueshmërinë, parimin e shenjtë, se askush nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie, dhe ka pasur në qendër të saj të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si ADN-ja  e Partisë Demokratike…”.

Të njëjtin itinerar e kalvar duket se përshkoi lideri demokrat edhe në betejën e tij politike lidhur me krijimin e kushteve dhe mundësive nga mazhoranca për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Arritja dhe implementimi i  marrëveshjes midis kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës, në funksion të plotësimit të kësaj kërkese, duket se i dha fund një prej krizave më të rënda politike që po i kanosej vendit tonë. Jo më larg se para para pak ditësh, në media dhe mendjet e njerëzve qarkullonin ide dhe parashikime të frikshme, për një “nëntëdhjetë e shtatë të dytë”, për “rikthimin e votimeve moniste”, për një “Putizim dhe Erdoganizim të Shqipërisë”, e kështu me radhë. E gjithë kjo frikë ushqehej nga ngjarje dhe veprime reale, të cilat ditë pas dite merrnin dhe bekimin e faktorit ndërkombëtar, jo vetëm për të shkuar në zgjedhje pa opozitën, por edhe për t’i njohur këto zgjedhje si të ligjshme. Kulmi arriti, kur Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, nëpërmjet një letre publike drejtuar qytetarëve shqiptarë pak orë para arritjes së marrëveshjes, shprehu keqardhjen që opozita nuk do merrte pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, duke i bërë thirrje asaj që të mos organizonte veprime të cilat do të minonin të drejtën e qytetarëve për të votuar në ditën e zgjedhjeve. Më herët ishte refuzuar edhe e ashtuquajtura “Paketa McAllister”, që i jepte opozitës disa ministra teknik në “qeverinë Rama”, “Presidentin konsensual”, “Avokatin e Popullit”, “Kreun e KQZ-së”, etj. Nëpërmjet artikulimit të “qeverisë teknike pa Ramën kryeministër”, opozita synonte plotësimin e kushteve normale për zhvillimin e zgjedhjeve të padiktuara nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar. Megjithatë asnjë shenjë për kompromisi nuk dukej në horizont. Me kalimin e ditëve dhe sidomos pas zgjedhjes së Presidentit vetëm me votat e mazhorancës, dukej sikur qëndrimet e palëve po radikalizoheshin gjithnjë e më shumë. “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, mund të ishte shprehja më e gjetur për të karakterizuar situatën e marrëdhënieve midis forcave të ndryshme politike në Shqipëri. Mazhoranca dhe disa partiçka rreth saj, që në numër të përgjithshëm nuk e kalonin shifrën 15, të cilat ishin regjistruar për zgjedhje, paraqitën në 29 prill listat e kandidatëve për deputet. Opozita dhe aleatët e saj e dogjën dhe këtë afat ligjor për përfshirjen në zgjedhje. Jo vetëm teknikisht e materialisht, por edhe psikologjikisht, po bëheshin përgatitjet e fundit për të shkuar “në zgjedhje pa opozitën”. Nga varri i harresës politike kishte dalë dhe Skënder Gjinushi, me po atë vetullngrysje si në nëntëdhjetë e shtatën, për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Sidomos këto partiçkat e vogla mendonin se qe bërë “deti kos”, ndaj morën “lugën” për të ngrënë gjithë PD-në dhe duke e lënë atë “një shprehje…” historike, njëlloj siç mendonin dikur fuqitë e mëdha të Europës për copëtimin e Shqipërisë dhe katandisjen e saj në një “shprehje gjeografike”. Flitej gjithandej se “Opozita e Çadrës” do të tretej si kripa në ujë dhe do të krijohej një opozitë e re me “Libra” dhe “Sfida”, të dalë majtas e djathtas për demokraci individuale. Lideri i opozitës parlamentare po kryqëzohej si “antieuropian”, “antiamerikan”, “antivetinng”, “antishqiptar”, “pro -rus” e lloj-lloj etiketimesh të tjera. Tryeza e Presidentit për arritjen e një marrëveshje midis palëve politike kishte dështuar dy herë me radhë. Ndërkohë opozita po mbyllte muajin e tretë në “Çadrën e Lirisë”, të ngritur në 18 shkurt të këtij viti, pas mbylljes së një proteste madhështore për zgjedhje të lira e të ndershme në 13 maj. Dy ditë më vonë pritej vizita e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Yee në Tiranë, e cila shihej si shansi i fundit për arritjen e kompromisit midis mazhorancës dhe opozitës shqiptare. Por marrëveshja u arrit disa orë pas largimit të zyrtarit të lartë amerikan, si rezultat i një takimi kokë më kokë, për më shumë se 3 orë midis liderit demokrat, z.Lulzim Basha dhe liderit socialist, z.Edi Rama. Pa minimizuar rolin e kreut socialist, mendoj se roli i Bashës ka qenë ai i “një lideri të madh”. Sepse siç thotë, Rozalin Karter, gruaja e Presidentit të 39-të të SHBA-ve, Xhimi Karter, e cila shërbeu si Zonja e Parë nga viti ‘77 deri më: “Një lider i çon njerëzit aty ku duan të shkojnë. Një lider i madh i çon njerëzit jo aty ku duan të shkojnë, po aty ku duhet të jenë”. Faktet e mësipërme tregojnë se objektivi i vetëm politik i z. Basha është t’i çoj njerëzit tërë dinjitet, aty ku duhet të jenë.

E gjithë sjella politike e liderit demokrat, Lulzim Basha, qysh nga dita e parë e zgjedhjes në krye të PD-së, më sjell ndërmend thënien e një mendimtari të njohur amerikan, John Maxuell, sipas të cilit, “…një lider i mirë është ai, që e njeh rrugën, ecën në atë rrugë dhe e tregon atë”. Mbase për të ecur me vendosmëri dhe bindje të plotë në këtë rrugë, zotin Basha e ka ndihmuar disi edhe profesioni i të qënit jurist ekselent, por ai s’mund t’ia kishte dalë kurrsesi, nëse nuk do të kishte pasur staturën e një lideri të përgjegjshëm vizionar, të ngjashëm me të atyre që drejtojnë sot në botën e qytetëruar perëndimore. Motua e tij e të bërit politikë duket se është: “Nuk mund të presim, as nuk duhet të kërkojmë që Europa (bota e qytetëruar) të na trajtojë si të barabartë, nëse jemi gati të pranojmë veten tonë poshtë standardeve europiane dhe normave euroatlantike të të drejtave të njeriut dhe të kushtetueshmërisë”. Lideri demokrat e ka më se të qartë, se Europa, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe gjithë bota perëndimore janë ndërtuar mbi sjellje të tilla; që dëshmojnë kurajë, përgjegjshmëri, integritet, patriotizëm dhe devotshmëri të liderëve politikë. Kjo ishte arsyeja, që në dy-tre beteja të rëndësishme politike, përgjatë 3-4 viteve të fundit, ai arriti t’u imponohet dhe të fitoj mbi kundërshtarët e vetë, por jo vetëm mbi ta, megjithëse u kritikua orë e çast, u anatemua jo pak, u quajt “jo fleksibël” dhe u cilësua si “antiamerikan” dhe “antieuropian” prej tyre. Basha e dëshmoi veten si një politikan i sprovuar, ndërsa bëri gjithçka për të kapërcyer “vijat e kuqe” të interesave të vogla primitive brenda dhe jashtë vendit. Ajo që bie më së shumti në sytë e atyre, që kanë vërtetë sy të shikojnë, është se, në të dy-tre rastet e sipërpërmendura, nëpërmjet qëndrimit të tij këmbëngulës, zoti Basha arriti, përveç të tjerash, të dëshmojë një model të ri të të bërit politikë, sipas standardeve më të mira perëndimore. Ai tregoi se nuk është sipërfaqësisht dhe pragamtikisht pro-amerikan apo pro-europian, por është në thelb, në përmbajtje dhe parimisht i tillë. Gjithçka buron nga bindja e tij, se partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian nuk do të pranonin kurrë për shqiptarët, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se standardet, normat dhe parimet që i kanë bërë për shoqëritë dhe individët e tyre. Shqiptarët, ashtu si çdo komb tjetër i botës së qytetëruar, meritojnë një standard perëndimor në të gjitha aspektet e qeverisjes së tyre, ndaj çdo forcë politike në pushtet nuk mund të bëjë për Shqipërinë, asgjë më pak se ç’mund të bëjë për Europën dhe për Amerikën. Madje, për një politikan serioz dhe të përgjegjshëm, interesat kombëtare të qytetarëve prevalojnë, pasi siç ka thënë edhe filozofi i shquar kinez, Lao Tzu, “për të udhëhequr njerëzit, ec pas tyre!?…”. Fjala këtu është për të vënë në krye të çdo veprimi e qëndrimi politik interesat e bashkëkombësve të tu. Në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi, me papunësi e varfëri në rritje dhe me pasiguri ekstreme, qytetarët shqiptarë kanë nevojë imediate për një model politik, që të “…ec pas tyre”; jo vetëm pas halleve dhe shqetësimeve, por edhe pas traditës, historisë dhe prosperitetit që i ka karakterizuar gjithnjë. Ata, vetëm kështu mund të të besojnë dhe të të ndjekin në rrugën që i ke ftuar të ecin. “Aftësia për të vlerësuar paraprakisht reagimin shoqëror ndaj veprimeve të ndryshme formon thelbin e sukseseve politike”, thoshte Karl Libkneht. Parë në këtë këndvështrim, vlerësimi paraprak i reagimit shoqëror është jo vetëm nuhatje politike por edhe ofertë besimi për qytetarët, të cilët nuk duhen trajtuar nga politikanët e vendit të tyre si “popull i majtë” apo “i djathtë”, por si individë të pavarur dhe me integritet. Ka një ndryshim të madh midis konceptit për ta rreshtuar qytetarin si “numëror” turme dhe konceptit për t’i dhënë atij lirinë, barazinë dhe dinjitetin që çdo politikan ia jep dhe vetes. Faktikisht, kjo është “vija e kuqe”, që ka hequr historia e zhvillimit politiko-shoqëror, e cila ndan ekstremistët me liberalët, diktatorët me demokratët, fjalëmbajturit dhe besëprerët apo të civilizuarit me fanatikët. Me veprimet dhe qëndrimet e tij të deritanishme, ndonëse në opozitë, zoti Basha ka dëshmuar, se për të, qytetarët janë jo vetëm të parët e rrugës, të cilën kemi zgjedhur të ecim, por edhe të barabartë midis tyre. Vërtetë; punët, profesionet, vendlindja, shkollimi, ngjyra, raca, kombësia dhe të tjera cilësi si këto i bëjnë individët të dallueshëm nga njeri-tjetri, por të drejtat, i bëjnë të gjithë të barabartë. Këtu problemi qëndron jo tek pohimi, por tek zbatimi praktikë i këtij parimi të rëndësishëm kushtetues. Vënia e të drejtave qytetare, dhe jo e karrierës politike në plan të parë; po aq sa ç’është tregues i emancipimit është edhe tregues i besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë në gjirin e familjes europiane, aty ku duhet të kishim qenë prej kohësh, por na ka munguar “një lider i madh” me “Jo-të e arta” të tij, derisa mbërrihet tek zgjidhja e duhur në interes të shqiptarëve, kudo që janë.

SHKARKO APP