Ju njohim me 10 vendet më dëshpëruese

Shtetet e Bashkuara janë një ndër vendet me nivelin më të lartë të depresionit në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sa i përket viteve cilësore të humbura për shkak të paaftësive apo vdekjes – një metrikë shëndetësore e përdorur gjerësisht, që mat barrën tërësore të sëmundjes – SHBA renditet e treta ër çrregullime unipolare depresive, pas Indisë së vendit të parë dhe Kinës së vendit të dytë.

Këto tre vende janë gjithashtu edhe më të prekurat nga çrregullimet e ankthit, skizofrenia, dhe çrregullimet bipolare, gjithnjë sipas OBSH. Rreth 1 në pesë të rritur në SHBA përjeton një formë të sëmundjeve mendore çdo vit, sipas Aleancës Kombëtare për Sëmundjet Mendore, por vetëm 41% e të prekurve kanë marrë përkujdes shëndetësor apo shërbime të dedikuara, gjatë vitit të kaluar.

Edhe ish-kandidatja demokrate për presidencën, Hillary Clinton, e kishte përfshirë trajtimin e depresionit në planin e saj për reforma në sistemin e shëndetit mendor amerikan, ku shumë ankohen për mungesa në mbështetje dhe mjekime me kosto tepër të larta.
Por, mbyllja e hendekut mes pacientëve të shëndetit mendor dhe siguruesve është një problem global.

Sipas OBSH, në 2014, 45% e popullsisë jetonte në një vend ku kishte më pak se 1 psikiatër në shërbim të 100.000 personave.

Veçanërisht Azia ka një përqëndrim shumë të vogël të psikologëve, që ndoshta mund të jetë edhe shkak i barrës së rëndë të sëmundjeve mendore për rajonin. Europa ka përqëndrimin më të lartë, ku në vende si Norvegjia, Belgjika dhe Holanda, ka 20 – 40 psikologë për 100.000 persona, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë rreth 13 psikologë për të njëjtin numër individësh.

10 vendet me nivelin më të lartë të depresionit, matur sipas barrës së sëmundjeve për çrregullime mendore ose të sjelljes janë: India, Kina, SHBA, Indonezia, Brazili, Rusia, Pakistani, Bangladeshi, Nigeria e Irani.

SHKARKO APP