“Kanabisi”, Civici: Nëse vazhdon gjatë, pasojat do të jenë të parikuperueshme

Në një intervistë dhënë për “Monitor”, eksperti i ekonomisë dhe ish-anëtar i Bordit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ardian Civici thotë se nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente. “Përvoja të ngjashme në vende të tjera të botës, sidomos në Azi dhe Amerikën Latine, dëshmojnë më së miri rreziqet dhe problemet e rënda ekonomike e sociale që prodhon një zgjedhje e tillë, një tendencë mjaft e vështirë të eliminohet apo të zhduket pa përpjekje e ndërhyrje drastike”, pohon Civici.

Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?

Nga këndvështrimi i zhvillimit ekonomik të ekuilibruar dhe të strukturuar me objektiva strategjikë dhe orientim afatgjatë, mbjellja masive e hashashit, siç po ndodh në Shqipëri në këto momente, mendoj se ka pasoja mjaft negative. Ajo sposton nga vëmendja dhe kultivimi eficient mjaft kultura bujqësore, orienton përdorimin e tokës, qoftë dhe tokave të marxhinalizuara, vetëm drejt mbjelljes dhe kultivimit të hashashit. Nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficient” të jetë ai në këto momente. Përvoja të ngjashme në vende të tjera të botës, sidomos në Azi dhe Amerikën Latine, dëshmojnë më së miri rreziqet dhe problemet e rënda ekonomike e sociale që prodhon një zgjedhje e tillë, një tendencë mjaft e vështirë të eliminohet apo të zhduket pa përpjekje e ndërhyrje drastike. Edhe nga pikëpamja afatshkurtër, një pjesë e konsiderueshme e kultivuesve të hashashit duket se po specializohen në prodhimin e kësaj bime, duke neglizhuar prodhimet bujqësore tradicionale, pa folur për faktin se janë çdo çast nën rrezikun e ndëshkimit ligjor për këtë aktivitet ilegal. Është një situatë që nuk duhet të vazhdojë gjatë, pasi pasojat ekonomike, politike, sociale dhe ndaj imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë do të jenë shumë të rënda dhe vështirë të rikuperueshme.

Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?

Natyrisht që kanabisi apo hashashi janë prodhime që sjellin mjaft të ardhura në valutë të huaj, pasi çmimi dhe kërkesa për to është e lartë, aq më tepër që kemi të bëjmë me tregje të vendeve të zhvilluara me monedha të forta dhe çmime të larta. Po ta shohësh thjesht dhe vetëm në këtë prizëm, mund të pohosh se efekti i tyre është pozitiv për ekonominë, punësimin dhe të ardhurat e mjaft kategorive sociale në Shqipëri. Por, në kushtet kur hashashi është i palegalizuar dhe shitja apo eksporti i tij bëhet ilegalisht nga struktura paralele me natyrë mafioze, fitimet më të mëdha shkojnë pikërisht te këto struktura mafioze dhe nuk vijnë në favor të ekonomisë kombëtare apo prodhuesve të tij, që janë kryesisht fshatarë modestë, ose shtresa sociale të varfra dhe marxhinalizuara. Nëse Shqipëria do ta legalizonte kanabisin dhe nëse do të kishim kontakte vetëm me tregje ndërkombëtare gjithashtu të legalizuara, ndoshta mund të shpresonim për ta kthyer prodhimin e kanabisit në një kulturë rentable ekonomike dhe burim punësimi dhe të ardhurash për zonat rurale.

Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?

Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë në këtë rast ka të bëjë me zhvillimin e atyre degëve dhe produkteve që përputhen më mirë me karakteristikat klimatike dhe potencialet e Shqipërisë, që krijojnë oportunitete për investime të qëndrueshme afatgjata, që kanë treg të brendshëm apo të jashtëm, që sjellin punësim dhe të ardhura të konsiderueshme për prodhuesit. Mendoj se ne duhet t’i kthehemi urgjentisht politikave që nxisin dhe mbështesin prodhimin vendas. Pas 25 viteve tranzicioni ende kemi një ekonomi që mbështetet kryesisht te konsumi, remitancat, ndihmat e huaja, etj. Jemi në momente kur duhet të zhvillojmë industrinë, minierat, prodhimin bujqësor e blegtoral, hekurudhat dhe infrastrukturën, portet dhe peshkimin, agro-industrinë, etj. Vetëm një ekonomi prodhuese, me shërbime cilësore dhe e vëmendshme ndaj efekteve mjedisore, është një ekonomi me zhvillim të qëndrueshëm. Këtu do të shtoja si nevojë imediate cilësinë e kapitalit njerëzor, shkollimin dhe profesionalizimin e njerëzve, duke pranuar se në këtë drejtim jemi shumë mbrapa. Nuk mund të ketë zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm pa kapital njerëzor po kaq cilësor dhe të qëndrueshëm.

SHKARKO APP