Kapitalizmi është ende një ide që mund t’ia dalë

Nga Aleksandër Friedman

Kapitalizmi mbetet ende një forcë apo një ide që mund të prodhojë paqe dhe zhvillim, ndonëse ai sot është në momente të vështira. Friedman shkruan se novacioni teknologjik dhe demografia tashmë është një erë që na ka dalë përballë, jo që na shtyn nga pas. Inxhinieringu financiar nuk mjafton për të na shpëtuar. Do të duhet pak kohë që dallga e re të ngrejë të gjitha varkat dhe sa të vijë ky moment do të jemi përballë populistëve.

Politika e ankthit ekonomik tashmë i ka shtyrë zgjedhësit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara në duart e populistëve. Ah sikur, siç supozohet nga dituria konvencionale, ekonomitë të kthehen te situata “normale” e rritjes së PBB-së dhe produktivitetit, jeta të përmirësohet për më shumë njerëz dhe rrjedhimisht, ndjenjat anti-establishment të dobësohen, politika të kthehet në “normalitet”. Pastaj, kapitalizmi, globalizimi dhe demokracia mund të vijojnë marshimin e tyre përpara.

Kjo lloj të menduari reflekton një ekstrapolim nga një periudhë shumë jonormale e historisë. Ajo periudhë tashmë i përket të shkuarës, dhe forcat që e kanë ushqyer atë ka pak gjasa që të rishfaqen tani së shpejti. Novacioni teknologjik dhe demografia tashmë është një erë që na ka dalë përballë, jo që na shtyn nga pas. Inxhinieringu financiar nuk mjafton për të na shpëtuar.

Ajo periudhë jonormale e historisë për të cilën po flasim është rreth 100 vjetët që pasuan Luftën Civile Amerikane, gjatë së cilës, zbulimet e mëdha në energji, elektrifikim, telekomunikim dhe transport i riformatuan shoqëritë tona në mënyrë themelore. Jetët njerëzore u bënë shumë ndjeshëm më produktive, jetëgjatësia u rrit në mënyrë dramatike. Popullsia botërore u rrit me mbi 50 për qind mes viteve 1800 dhe 1900 dhe më pas u dyfishua në 50 vitet që pasuan, ku ekonomitë u rritën me shpejtësi shumë më të madhe se sa në shekujt e mëparshëm.

Nga fundi i viteve 1970, rritja filloi të ngadalësohej në shumë nga vendet e zhvilluara të Perëndimit dhe presidenti i SHBA-ve Ronald Reagan bashkë me kryetarin e Rezervës Federale Alan Greenspan ushqyen një cikël borxhi që elektrifikoi aktivitetin ekonomik. Shtetet e Bashkuara, deri në atë pikë një kreditor neto për botën, u bë gradualisht huamarrës neto, ku Kina dhe ekonomitë e tjera në zhvillim përfituan nga rritja e deficitit tregtar të Amerikës. Leva financiare e shtyu përpara rritjen ekonomike botërore për gati 30 vjet të tjera.

Kriza e vitit 2008 solli një fund të papritur për epokën e inxhinieringut financiar. Por politikëbërësit nuk e kanë qejf ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe bankierët qendrorë e ezauruan gamën e mjeteve në dispozicion të tyre në përpjekje për të stimuluar aktivitetin ekonomik pavarësisht kërkesës së pamjaftueshme. Ndërsa fitimet qenë gjithnjë e më të pakëta në asetet tradicionale me interesa fikse, investitorët u shtynë drejt aseteve me rrezik të të gjitha formave, duke rritur çmimet; të pasurit u bënë më të pasur dhe shtresa e mesme u la akoma më pas. Ndërsa rritja në ekonominë reale vijoi të jetë në stanjacion, populizmi i zemëruar u rrit me shpejtësi, duke sjellë Brexit dhe Presidentin e Zgjedhur Trump.

Kjo ndodhi për shkak se pavarësisht çfarë bankierët qendrorë bënë për të rigjallëruar rritjen ekonomike, forcat e demografisë dhe inovacionit punuan kundër tyre. Popullsitë në plakje të ekonomive të përparuara po përdorin gjithnjë e më shumë sistemet e mbrojtjes shoqërore. Kina po plaket gjithashtu. Shumica e rritjes demografike të sotme (dhe të së nesërmes) gjendet në Afrikë, ku produktiviteti nuk rritet në të njëjtat përmasa siç rritet në pjesën tjetër të botës.
Për më tepër, dallga aktuale e inovacionit teknologjik nuk po i ngre të gjitha varkat. Edhe pse sipërmarrje të tilla si Uber dhe Amazon, dhe, në mënyrë më themelore, robotika, shtojnë komoditetet për njerëzit, ata e bëjnë këtë duke zëvendësuar vende pune me paga të ulëta apo duke shkaktuar rënie të mëtejshme pagash.

Kjo është një ngjarje tipike e procesit të “shkatërrimit krijues”, të cilin Joseph Schumpeter e përshkroi si fillesat e rritjes së ekonomive kapitaliste. Dallga e parë e shpikjeve dhe novacioneve është në përgjithësi në përfitim të pak sipërmarrësve. Pastaj vjen një dallgë zhvendosjeje, për shkak se teknologjia e re përshtatet për përdorim në industritë ekzistuese. Tri dekada më parë, qe Wal-Mart e cila përdori kompjuterë dhe logjistikë për të zhdukur dyqanet e vogla familjare; sot, është Amazon që po sulmon Wal-Mart.

Dallga e tretë është shpërndarja e gjerë e inovacionit në mënyrë të tillë që ky inovacion ngre produktivitetin dhe standardet e jetesës për të gjithë. Kjo dallgë kërkon shumë më tepër kohë, ose siç e vërejti nobelisti i ekonomisë Robert Solow më 1987, “kompjuterët mund t’i shohësh gjithkund sot, por ato nuk dallohen asgjëkundi në statistikat që matin produktivitetin”.

Robert Gordon nga Universiteti Northwestern ka argumentuar se impakti ekonomik i inovacioneve të kohës sonë nuk mbart të njëjtën peshë me atë që pati dikur hidraulika apo elektriciteti ndoshta, ose mund të jetë që ne jemi ende në fazën fillestare të një cikli shumpeterian të inovacionit (ku të paktë janë ata që po pasurohen) dhe shkatërrimit (që krijon ankth te sektorët e dobët). Në fund, produktiviteti mesatar dhe të ardhurat reale ka gjasa do të përfitojnë nga teknologjitë e reja që lejojnë mënyra të reja rritjeje.

Problemi është se diçka e tillë mund të marrë një dekadë apo më gjatë para se robotika e të tilla shpikje të ngjashme të sjellin një dallgë që i ngre të gjitha varkat. Dhe pavarësisht se kush ka të drejtë, Schumpeter apo Gordon, kjo nuk ka rëndësi për politikanët që përballen me votues të zemëruar, standardet e jetesës së të cilit kanë qenë duke rënë. Sot, votuesit e ngopur me premtime e refuzojnë globalizimin; nesër, ata mund të bëhen Luditë.

Pyetja tashmë është nëse ndryshimi në fokus nga politika monetare jokonvencionale te menaxhimi i kërkesës sipas modelit Kejnesianist mund të na shpëtojë. Është supozuar gjerësisht se politika monetare është një forcë e shpenzuar tashmë në SHBA dhe Europë, dhe se stimuli fiskal dhe zgjerimi – për shembull, përmes uljes së taksave apo shpenzimeve në infrastrukturë – duhet ta zëvendësojnë politikën monetare. Por kjo kërkon një sistem politik të qëndrueshëm, i cili duhet të jetë i aftë të respektojë strategji fiskale afatgjata. Zhvillimet e fundit, veçanërisht në Europë, sugjerojnë se strategji të tilla do të jenë të vështira për t’u zbatuar.

Në SHBA, fitorja e Trump, e kombinuar me shumicat republikane në të dyja dhomat e legjislativit, i hap rrugën uljes së taksave dhe rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen. Topi duket se është mbushur me barut. Por zgjerimi fiskal ka gjasa që do të hasë rezistencë nga politika monetare, ndërkohë që Fed rifillon programin për “normalizimin” e normave të interesit.

Megjithatë, shpresa është që rritja më e shpejtë në SHBA dhe rritja e pagave do të zbusë rebelimin populist të votuesve. Ironikisht, përgjegjësia do t’i përkasë Fed për të bërë “gjënë e duhur” – pra për të normalizuar normat e interesit me përkujdesje ekstreme, ndërsa lejon që pjesa e të ardhurave nga puna në PBB të rritet, edhe nëse kjo kërkon që të lejohet një dozë inflacioni më e lartë nga sa duhet të jetë.

Për të perifrazuar Dylan Thomas, ne besimtarët e tregut nuk duhet të zhytemi lehtë në natën e populizmit. Ne duhet të luftojmë për dritën që po vdes të kapitalizmit botëror me çdo mjet që kemi në dispozicion. Ngadalësimi i rritjes sot dhe pasojat politike të këtij ngadalësimi nuk është një “normale e re”. Përkundrazi, ajo i ka rrënjët te një “normale e vjetër”, e përjetuar për herë të fundit në vitet 1930. Cilado qoftë rruga e drejtë përpara për ekonominë botërore, ne dimë se rruga e gabuar është rikthimi te izolacionizmi dhe proteksionizmi i asaj epoke./*Ekonomist, drejtor ekzekutiv i GAM Holding/Mapo.al/

SHKARKO APP