Kërcënimet përballë NATO-s dhe kërcënimi ndaj Shqipërisë

Nga Kolonel Hysni Gjergji/NATO, që nga Samiti i Varshavës, por edhe më parë, ka deklaruar se po përballet me sfida dhe rreziqe të reja në formë dhe në përmbajtje, të cilat kërcënojnë aleancën në tërësi, apo shtete të veçanta të saj në masë dhe në natyrë specifike. Këto sfida janë prezantuar skematikisht si “Kërcënimet 3R“ nisur nga shkronja e parë e çdo kërcënimi, duke përfshirë  rreziqet që i vijnë NATO-s nga Rusia, Radikalizmi dhe Refugjatët.

Këto rreziqe dhe kërcënime janë unike për aleancën që nga koha e themelimit të saj, pasi janë të ndryshme në formë, në gjeografi dhe në strategji përballje. Kërcënimi i parë (R) rus është kryesisht frontal dhe ushtarak. Kërcënimi i dytë (R) refugjatët, nga e tij paraqitet si rrezik humanitar, në shumë fronte që kërcënon stabilitetin politik, ekonomik dhe social të shumë shteteve anëtare të NATO-s. Ndërsa (R) radikalizmi është rrezik tashmë i njohur prej vitesh dhe shfaqet në mënyrë asimetrike, pa front, pa territore të përcaktuara qartë si dhe pa strukturë ushtarake të shpallur organizimi. Siguria që ofron ombrella kolektive e anëtarësimit në aleancë, është padyshim një faktor sigurie për çdo anëtar të aleancës, por kjo nuk përjashton aspak, kontributin, veçoritë dhe prioritetet kombëtare të çdo vendi, lidhur me kërcënimet më të mundshme dhe më specifike për çdo anëtar.

Për të përballuar sfidat që i vijnë NATO-s nga këto 3R, aleanca po përshtatet dhe po ndryshon konceptet, strukturat, buxhetin, strategjitë dhe mënyrën e kundërpërgjigjes.  Megjithatë vende të ndryshme të NATO-s, për arsye gjeografike, ekonomike, demografike, religjioze  etj., kanë qasje dhe ndikime të ndryshme në planin kombëtar lidhur me këto 3R kërcënime.

Pa u ndalur në secilin shtet veçmas, po të analizojmë kërcënimet (R) të vendeve të NATO-s nga ish- blloku sovjetik në veçanti dhe të lindjes në përgjithësi, atyre iu intereson dhe konsiderojnë vetëm kërcënimin rus.  Kriza e refugjatëve dhe ekstremizmi i dhunshëm është jashtë vëmendjes së vendeve të lindjes, madje në mënyrë absurde u ndërtuan mure për të ndalur valën e refugjatëve që kalonin nëpërmes këtyre shteteve. Anëtarët e NATO-s nga Mesdheu e konsiderojnë më shumë kërcënimin humanitar nga refugjatët, pasi janë më afër origjinës së shteteve nga të cilat burojnë këto flukse refugjatësh,  ndërsa shtetet perëndimore i konsiderojnë të 3R (Rusi, Refugjatë dhe Radikalizëm) si të mundshme për t’u përballur në masë dhe  raporte të ndryshme.

SHBA-të nuk kërcënohen direkt nga asnjëra nga “R” por i konsiderojnë të “3R“ si të mundshme në planin e vlerësimit strategjik të kërcënimeve. Qasja ndaj këtyre kërcënimeve e SHBA-ve mundet të ndryshojë  pak nga administrata e re Trump, si shkak i deklarimeve të tij në fushatë, për rishikim marrëdhëniesh me Rusinë dhe financimin proporcional të NATO-s. Por nisur nga historia e luftërave dhe konflikteve botërore SHBA-të  kanë mbajtur dhe besohet se do të mbajnë peshën kryesore përballë kërcënimeve të sigurisë globale, pasi siç thotë Von Der Leyen ministrja gjermane e mbrojtjes  “NATO është aleancë vlerash dhe jo biznes”.

Duke analizuar kërcënimet dhe rreziqet e mundshme Shqipërisë, gjykoj se është obligim i të gjithë strukturave, institucioneve dhe ekspertëve të sigurisë, për këshillimin drejtuesve politikë, shtetërorë, ushtarake dhe policore, për këto kërcënime potenciale. Për të përcaktuar sa më realisht,  nivelin dhe llojin e kërcënimit (R) që përballet Shqipëria, duhet të merren parasysh dhe të analizohen me hollësi  faktorët dominues të rrezikut.

Kërcënimi rus dhe ai humanitar nga refugjatët për Shqipërinë gjykoj se nuk janë të drejtpërdrejta, pasi veçoritë ekonomike dhe gjeopolitike të vendit tonë nuk i favorizojnë këto kërcënime. Shqipëria ndodhet larg kufirit gjeografik dhe në periferi të  interesit gjeopolitik rus. Nga ana e kërcënimit prej krizës së refugjatëve, vendi ynë për arsye të vështirësive dhe zhvillimit ekonomik, nuk është parajsa e kërkuar për refugjatët, por mund të jetë vetëm një rrugë tranziti kalimi drejt perëndimit.

Nga (3R) kërcënimet, gjykoj se (R) radikalizmi është ai kërcënim me të cilin mund të përballet Shqipëria në rrafshin kombëtar, pasi janë faktorët e duhur të këtij kërcënimi, që e favorizojnë.

Interesi që një organizatë terroriste të ketë ‘target” Shqipërinë, është i lidhur ngushtë me impaktin që do të krijohej duke sulmuar vendin tonë. Sulmet në Francë, SHBA, Turqi, Gjermani, Indonezi etj., tregojnë se objektivat që kërkon terrorizmi, janë më të mëdha, më spektakolare, më sfiduese, më mediatike.  Kjo për arsye sepse kështu tregohet më shumë fuqia dhe dëgjohet më shumë zëri, përhapet më shumë frika dhe jehona e kësaj organizate. Goditjet në Bruksel treguan se ISIS kërkon objektiva spektakolare dhe domethënës. Goditja e Brukselit do të thotë se është goditur fuqia politike të Europës që është BE dhe zemra ushtarake të botës që është NATO. Vetëm arsyeja se ne jemi anëtarë të alencës më të madhe ushtarake NATO, e cila i ka hapur luftë ISIS, mund ta bëjë këtë organizatë të hakmerret ndaj NATO-s, duke goditur Shqipërinë.

Kërcënimi nga  radikalizmi për Shqipërinë vlerësoj se ekziston, pasi siç kemi ndjekur nga media shqiptare dhe ajo ndërkombëtare, që prej 2 vitesh pamje dhe deklarata të eksponentëve radikalë të ISIS që kërcënojnë drejtpërdrejt Shqipërinë. Këto elementë radikalë janë aktivë si në Shqipëri ashtu edhe në të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri dhe Irak.

Së fundmi me datën 5 nëntor 2016, një grup prej 4 të dyshuarish për rekrutim në drejtim të ISIS, arrestohen ne Shkodër. Një numër jo i vogël luftëtarësh në krahasim me popullsinë tonë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare vazhdojnë të vriten dhe të  luftojnë në Siri.  Në fillim të muajit nëntor 2016,  ISIS hap edhe agjencinë e parë të lajmeve “Hilafeti”, në gjuhën shqipe.  Në videot e  publikuara në shqip, persona radikalë të paidentifikuar i dërgojnë mesazh Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, dhe të tjerëve se do të “digjen në flakët e luftës”. Në këto video janë postuar flamujt e 60 shteteve të koalicionit kundër ISIS-it dhe aty shihet edhe flamuri i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.  Megjithëse këto deklarata tregojnë qëllimet politike të ISIS në përgjithësi për të gjithë botën, ata shpallin si qëllim të specifikuar dhe të drejtpërdrejtë edhe luftën kundër Shqipërisë.

Xhihadistët me etni shqiptare kanë zënë sot postet më të larta në forcat e Kalifatit të Bagdadit ku flitet shqip dhe kërcënohet në gjuhën shqipe.  Nga ana tjetër Kosova dhe Maqedonia kanë numrin më të lartë të shqiptarëve etnikë, në rajon të luftëtarëve xhihadistë në Siri në raport me numrin e popullsisë.  Rreth 300 luftëtarë janë në Siri dhe 200 shqiptarë të Kosovës janë vënë nën akuzë, për terrorizëm dhe mbështetje të ISIS, në Kosovë.  Me datën 5 nëntor  në arrestimet e fundit ishin bashkë në Shkodër shqiptarë nga trojet tona nga Kosova dhe Maqedonia.  Mbi 100 shqiptarë etnikë janë vrarë për këtë luftë dhe disa qindra të tjerë pritet të kthehen më të radikalizuar, më të rrezikshëm, më me shumë eksperiencë dhe më të nënshtruar, ndaj kësaj ideologjie.  Vendosja para drejtësisë e disa imamëve radikalë në gjykatën e krimeve të rënda në Tiranë, dhe kërkesa e për ofro 150 vjet burgim për të akuzuarit, e ka vendosur Shqipërinë si “target” përballë sulmeve të mundshme hakmarrëse nga elementët radikalë.

Mundësia për të zotëruar befasinë e goditjes , e bën radikalizmin  të ketë shumë avantazhe në krahasim me sistemin e sigurisë të çdo vendi, jo vetëm të Shqipërisë.  Elementët radikalë mund të godasin “kurdo” dhe “kudo” duke  zgjedhur vetë kohën, objektivin, sulmuesin edhe mënyrën e sulmit.  Sulmuesi për fat të keq ka shumë gjasa se mund të jetë  një shqiptar i radikalizuar,  ndoshta dhe që nuk është i dyshuar asnjëherë nga organet e sigurisë.

Historia e  radikalizmit në Shqipëri është një tjetër faktor që duhet konsideruar, pasi njeriu i ri dhe ateist i propaganduar nga regjimi komunist, dështoi dhe në vitet 90 u zëvendësua me njeriun e lirë, të pa orientuar, dhe të pa informuar ndaj besimit fetar. Por nga grupe dhe kategori të ndryshme personash kryesisht nga vendet e gadishullit arabik, kjo situate e re u shfrytëzua, për të zhvilluar aktivitetet e tyre extremiste radikale dhe ilegale.

Mundësitë që radikalizmi ka për të goditur Shqipërinë, mbart shumë elementë në favor të këtij kërcënimi, të cilët janë grumbulluar në vite.  Qysh nga vitet ‘90, duke shfrytëzuar infrastrukturën e dobët të kontrollit të kufijve të Shqipërisë, kushdo i huaj mund të hynte në vite dhe te dilte lirisht nga vendi.   Të mbështetur me para, radikalët  përdorën varfërinë dhe patën mbështetje midis të rinjve të rrënuar nga varfëria. Në fillim të aktivitetit të tyre NGO-të ishin humanitare, por nën këtë mbulesë ato hodhën farën e radikalizmit në Shqipëri, duke rekrutuar të rinj dhe fëmijë, me anë të ofrimit të bursave të studimit dhe ndihmave në fusha të ndryshme. Mohimi i besimit prej vitit 1967 në Shqipëri, bëri të mundur shpërthimin e ndërtimit pa kriter dhe pa kontroll të objekteve të kultit, Medrese dhe Kolegje në të gjithë vendin.  Varfëria ekstreme e fundviteve ‘90, çoi në pranimin e çdo ndihme dhe fondacioni, pa verifikuar, pa menduar dhe pa paragjykuar qëllimin e tyre.

Shpërndarja e ndihmave ushqimore  dhe monetare për të varfrit çoi dalëngadalë në rritjen e numrit të mbështetësve të këtyre individëve dhe organizatave, derisa sot kemi një numër të konsiderueshëm djem dhe vajza të diplomuar në Jemen, Iran, Egjipt, Malajzi, Arabi Saudite, Pakistan etj.

Djemtë dhe vajzat e mitura të viteve ‘90, të cilët filluan të mësonin dhe zbatonin ritet fetare janë sot 30- 35 vjeçarë, grupmoshë e cila aktualisht ka më shumë elementë të radikalizuar dhe luftëtarë në Siri dhe Irak.  Sot askush nuk jep dot një përgjigje të saktë sa ka qenë dhe sa është numri tyre, çfarë studiojnë dhe me çfarë janë aktivizuar gjatë kohës së studimeve?  Organet ligjzbatuese shqiptare aktualisht kanë pak mundësi për të bërë një “veting” të kontrollit të pastërtisë së figurës, së këtyre studentëve në vendet myslimane, ku ata studiojnë pa ndihmën e vendeve pritëse.

 Mjedisi i brendshëm i sigurisë që nga shembja e komunizmit ka qenë në favor të radikalizmit, për arsye të mosnjohjes së këtij kërcënimi. Shërbimi i vetëm i inteligjencës në vend pas viteve ‘90, kur u shfaqën për herë të parë OJQ-të radikale myslimane, ishte thjesht një polici sekrete. Përvoja e shërbimit inteligjent (Sigurimit të Shtetit) dhe policisë në diktaturë, në fushën e luftës kundër radikalizmit ndërkombëtar dhe terrorizmit, ishte zero. Asnjë bashkëpunim midis shërbimeve inteligjente tona dhe të huaja, nuk ishte vendosur apo nënshkruar, qysh nga koha e goditjes se grupeve divesioniste me ndihmën e KGB sovjetike në vitet ‘50.  Shërbimet e inteligjencës së viteve ‘90 kishin në platformën e tyre,  fobi dhe mungesë të besimit tek bashkëpunimi,  pasi ata ishin të ideoligjizuar, indoktrinuar dhe trajnuar për të punuar të vetëm.

Sot mjedisi i sigurisë është totalisht ndryshe, ne jemi anëtarë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake NATO, Shqipëria ka firmosur të gjitha konventat e luftës kundër terrorizmit, dhe trupat tona ushtarake, vazhdojnë me sukses pjesëmarrjen në operacionet antiterror në Afganistan, pas Irakut dhe Bosnjë Hercegovinës.

Ky pozicionim e bën Shqipërinë  një vend “target” përballë radikalizmit në përgjithësi dhe ISIS në veçanti. Aleanca në NATO dhe pjesëmarrja në luftën kundër terrorizmit në Irak dhe Afganistan, si dhe gatishmëria për të qenë jo vetëm konsumatorë por edhe kontribuues të sigurisë,  e vendos Shqipërinë  “target”  të “R” “Radikalizmit”, si shumë nga vendet e tjera të Europës.

Të menduarit si terrorist na ndihmon të gjykojmë se rekrutimi i individëve, në mes të forcave tona paqeruajtëse që shërbejnë apo stërviten në operacione me NATO-n, do të ishte një objektiv i “kënaqshëm” për organizatat terroriste.  Të godasësh një objektiv të NATO-s nga brenda saj, do të ishte një sukses për ISIS, pasi tregohej forca, përçahej aleanca dhe humbte besimi tek aleatët në mes njëri-tjetrit. Fakti që në mes të të arrestuarve të fundit në Shkodër, ishte edhe një ish komando pjesëmarrës në Bosnjë dhe Irak, duhet të na bëjë vigjilentë në drejtim të përzgjedhjes se kontingjenteve stërvitore dhe paqeruajtëse, duke bashkëpunuar me të gjitha strukturat inteligjente vendase, rajonale dhe NATO-s.

Duke analizuar faktorët  (3R) të kërcënimit,  nuk do të thotë mohojmë apo mbivlerësojmë  njërin nga këto kërcënime, por kjo na detyron të  përgatitemi dhe të vendosim prioritete.  Bashkëpunimi ndërmjet strukturave arsimore, ushtarake, emigracionit, klerit mysliman, medias, shoqërisë civile dhe të shërbimeve inteligjente shqiptare dhe të të gjithë vendeve të tjera; Ndarja në kohë e informacionit që lidhet me këtë kërcënim; Analiza koherente e faktorëve të kërcënimit, është çelësi i suksesit në këtë luftë të re.  Pra gjykoj se vendi ynë nuk është jashtë kërcënimit nga Rusia dhe Refugjatët,  por jemi shumë më të ekspozuar ndaj radikalizmit në përgjithësi dhe ISIS në veçanti.

SHKARKO APP