KLSH zhvillon planin e auditimeve të vitit 2017  në bashkëpunim me ekspertët e SAI-t Polak

Në vetvete regjistri i riskut i shërben ndërgjegjësimit të menaxhimit të lartë për risqet me të cilat përballet institucioni, duke adresuar veprimet që duhet të ndërmerren. Ai gjithashtu shpërben për të rritur cilësinë në punën e tij audituese, duke përmirësuar procedurat e planifikimit të procesit të auditimit dhe të përqasjes së subjekteve të audituara….

Nga Dr. Edvin Stefani*

 KLSH ka kristalizuar Strategjinë e Zhvillimit 2015-2017, në përputhje me Misionin dhe Vizionin e saj, të detajuar në një pemë zhvillimi. Pjesë e këtij plan veprimi është modernizimi dhe zhvillimi i kapaciteteve audituese në përputhje me kërkesat që shoqëria dhe Parlamenti ka ndaj saj. Për këtë, çdo vit KLSH, zhvillon një analizë të subjekteve që do të auditohen në vitin pasardhës dhe përpilon planin auditimeve në përputhje me këtë përqasje. Kjo analizë bazohet në metodat e vlerësimit me risk te shprehur në dokumente të karakterit udhëzues. Strategjia e Menaxhimit të Riskut në KLSH, një dokument i tillë, është hartuar mbështetur në ISSAI 9130 “Udhëzues për Standardet e Kontrollit të Brendshëm për Sektorin Publik”si dhe në strategjinë e institucionit të rishikuar 2015-2017. Në përputhje më këtë strategji është zhvilluar regjistri i riskut institucional. Ky regjistër reflekton vlerësimet për riskun jashtëm dhe të brendshëm. Elementët e këtij regjistri monitorohen periodikisht dhe përbëjnë bazën për planifikimin vjetor. Qëllimi i këtij monitorimi është marrja e masave nga KLSH, si institucioni më i lartë i auditimit publik, për të mitiguar risqet me të cilat përballet ai. Monitorimi përbën dhe një zhvillim të perceptimit se si është duke evoluar institucioni në marrëdhënie me palët e interesit si parlamenti, publiku dhe media.

Procesi i planifikimit vjetor rregullohet me anë të nenit 10 ‘Parimet, standardet dhe procedurat e Auditimit’ të Rregullores së Brendshme mbi Organizimin dhe Funksionimin e KLSH-së, miratuar me Urdhrin e Kryetarit të KLSH-së, Nr. 53 të datës 16 Prill, 2012, si dhe Udhëzimi Nr. 4 i datës 31.12.2015 “Mbi hartimin e programit vjetor të Auditimit të KLSH-së bazuar në vlerësimin e riskut”. Këto rregullime me karakter normativ zhvillojnë  një rrugëtim të ligjshëm dhe të bazuar në standardet e auditimit ISSAI si dhe bazohen në praktikat më të mira audituese. Plani vjetor i aktiviteteve hartohet nga të gjithë departamentet dhe drejtoritë e KLSH-së. Ky plan përfshin të gjitha detyrat dhe periudhën e plotësimit të tyre që secili departament ose drejtori duhet të zhvillojë gjatë një viti. Plani vjetor i KLSH-së hartohet për të mundësuar zbatimin e planit të mesëm 3-vjeçar dhe të planit strategjik të zhvillimit 4-vjeçar. Pjesë e planit vjetor janë dhe planet tre-mujore dhe mujore.

Në vetvete regjistri i riskut i shërben ndërgjegjësimit të menaxhimit të lartë për risqet me të cilat përballet institucioni, duke adresuar veprimet që duhet të ndërmerren. Ai gjithashtu shpërben për të rritur cilësinë në punën e tij audituese, duke përmirësuar procedurat e planifikimit të procesit të auditimit dhe të përqasjes së subjekteve të audituara. Informacioni që rezulton nga ky monitorim do të shërbejë edhe për partnerët tanë strategjik si SIGMA, Komision Europian dhe Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Bazuar edhe në moton expertia mutua omnibus prodest (eksperienca e përbashkët na shërben të gjithëve), në zhvillimin e planit të vitit 2017, morën pjesë ekspertë të SAI (institucionit të auditimit) të Polonisë. Ekspertët ofruan një përmbledhje të aspekteve kryesore mbi planifikimin, programimin dhe buxhetimin e çështjeve të auditimit të qeverisë dhe morën pjesë në planifikim që nga fillimi i procesit deri në përpilimin e planit të vitit 2017. Grupi i punës së përbërë nga stafi i KLSH-së dhe stafi Polak rishikoi dhe diskutoi rezultatet e vlerësimit paraprak të riskut si baza për planifikimin e mëtejshëm. Ata rishikuan draft-planin e parë të auditimit, programin e aktiviteteve dhe buxhetin e burimeve të auditimit. Më tej, u rishikua draft-planin i dytë dhe në vijim u diskutua lidhur me aspektet e zhvillimit të një moduli analize planifikimi të përhershëm. Metodologjia e përdorur ishte e ajo Gantt, e zhvilluar nga Henry Gantt, e cila përdoret gjerësisht në planifikim. Kjo metodologji ilustron datën e fillimit dhe të fundit të elementëve terminal dhe përmbledhës të projektit të planifikimit. Metodologjia përfshin zbërthimin  e strukturës së punës së planifikuar, në përputhje me kapacitet kohore dhe të burimeve njerëzore. Bashkëpunimi mes ekspertëve zhvilloi “parametrat”- ditët e mundshme për auditim dhe “Audit Cards”- të dhënat e për secilin subjekt të mundshëm për auditim. Këta elementë u ndërthurën për të zhvilluar tabelën e “balancës” – grafiku i planit vjetor. Si fryt i këtij projekti u krijua një lidhje funksionale mes Regjistrit të Riskut Institucional, RRI, dhe procesit të planifikimit të subjekteve për tu audituar. Me ndihmën e VBA, në versionin makro, u zhvillua moduli, për tù përdorur nga stafi i KLSH-së në proceset planifikuese, në të ardhmen.

Rëndësia e këtij aktiviteti lidhet me planifikimin më të mirë të forcës audituese si dhe gjetjen e subjekteve më të mira e të mundshme për tù audituar. Kjo ndërmarrje realizohet për të optimizuar performancën institucionale në funksion të 3 E –ve. Ku optimizim del jashtë kufijve statik duke krijuar përmirësime dinamike. Në këtë mënyrë KLSH jo vetëm që përmirëson procesin e planifikimit, por përmirëson procesin e përdorimit të burimeve audituese në dispozicion. Ky proces është pjesë e ndërgjegjësimit dhe përgjegjshmërisë  se maksimizimi i vlerës së parasë publike nis fillimisht nga përpjekjet për të maksimizuar performancën institucionale. Zhvillimi i kapaciteteve audituese dhe i cilësisë së auditimit përbën një kërkesë nga të gjithë palët e interesit. Shoqëria dhe publiku presin nga Ne si institucion që të përmirësojmë vazhdimisht cilësinë e auditimit në mbrojtje të interesave madhore të shoqërisë sonë. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, e datës 20 Tetor 2016, kërkon gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve audituese institucionale. E zhvilluar në katërmbëdhjetë objektiva, matrica e Rezolutës së Kuvendit, përmbledh një plan veprimi për zhvillimin e mëtejshëm institucional dhe mbështet fuqimisht veprimtarinë audituese të audituesit të jashtëm publik. Në përputhje me rekomandimin e gjashtë, që ka të bëjë me të vijimin me përmbushjen e objektivave për rritjen e kapaciteteve audituese të burimeve njerëzore dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, duke përqasur metodologji moderne për auditim, për t’iu përgjigjur nivelit të parametrave të kërkuar nga INTOSAI dhe rekomandimeve te dhëna nga kjo rezolutë, u zhvillua ky aktivitet planifikimi.

Kristalizimi në një rezolutë, me karakter mbështetës dhe inspirues, shpreh në mënyrë sintetike përqasjen e KLSH-së si një agjent i përgjegjshëm për rolin e tij kushtetues ndaj parlamentit dhe shoqërisë. Në përputhje me këto kërkesa planifikimi vjetor i vitit 2017 dhe në vijim do të përmbushë pritshmërinë e këtyre palëve.

*Drejtori i Metodologjisë dhe Zhvillimit, KLSH

SHKARKO APP