“Konsumatorët të mos blejnë masivisht vetëm në fundvit”

A kanë kursyer shqiptarët për të shpenzuar për festat e fundvitit? Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi e ftuar në emisionin “Ekopolitikë”, mendon se shqiptarët janë varfëruar më shumë gjatë këtij viti, ndërsa Silva Caka, deputete e LSI-së, shprehet se rritja ekonomike është 2.5% dhe nuk është e madhe.

Sipërmarrësja e markave, Ori Kuçi tha se për fat të keq, shoqëria shqiptare është bërë tejet materialiste dhe dëshiron çdo gjë që sheh.

Ajo tha se për biznesin e saj nuk ka ndryshime. Rudina Hoxha, drejtoreshe e Agjencise se Mbrojtjes se Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës tha se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që të mos blejnë masivisht vetëm në një ditë.

Pjesë nga biseda:

Caka: Edhe Kina edhe rritjen ekonomike e ka pasur më të ulët këtë vit. Nuk është çudi që edhe ne ta kishim më të ulët. Nuk është se vetëm Shqipëria nuk ka patur rritje. Le të themi se ngushëllohemi. Ka një rritje 2.5%. Nuk është e madhe por themi se ka pasur një rritje sepse mund të kishte edhe stanacion dhe mund të ishte fatale për ekonominë.

Çupi: Në vitin 2016, ka rënie të ekonomisë. Nuk ka pasur rritje pagash dhe rritje pensionesh. Shtimi i numrit të atyre që ikin dhe emigrojnë. Unë përfaqësoj qarkun më të varfër në Shqipëri, qarkun Dibër. Ne flasim për ato zona të varfra ku minimumi jetik është 16 mijë lekë dhe varfëria ka prekur fundin. Varfëria është shtuar dhe familjet e varfra janë shtuar.

Kuçi: Markat e luksit kur ka rënie ekonomie lulëzojnë më shumë. Unë kam zgjedhur të bëj një biznes me marka luksi. Në biznesin tim ka vazhduar gjithmonë klientela dhe shpenzimet nuk kanë ndryshuar. Shumë pak gjatë 11 viteve, por nuk ka diferencë të madhe. Kur u bë aksioni i tatimeve për të gjithë unë isha e lumtur sepse unë nuk isha e vetmja që paguaja taksa vazhdimisht. Si kryefamiljare edhe pse kam biznes luksi, më është dashur të kursej. Jetojmë në një shoqëri konsumatore dhe materialiste. Çdo gjë që shihet e duam. Kemi harruar vlerat e njerëzimit.

Hoxha: Konsumatori të kujtojë gjithmonë se dyqanet janë të hapura edhe me datën 2 dhe të mos blejnë sasi të mëdha. Konsumatori nuk ka pse blen sasi të mëdha pasi edhe tregtarin e nxit të rrisë çmimin ato.

Violeta Shqalsi, gazetare: Duke qenë se vijmë nga një sistem me pak të ardhura dhe me pak konsum, pak mallra në treg, normalisht hapja e tregut ka bërë që konsumatori të jetë më “agresiv” në fund të vitit. Duhet ta ketë një orientim më të drejtë për konsumatorit. Konsumatorët duhet të jenë më të “zgjuar”.

Çupi: Në vendet evropiane, qytetarët shpenzojnë vetëm 14 për qind nga paga e tyre për ushqim, ndërkohë ne në diktaturë konsumonim 70%, ndërsa tani 50% e pagës, e cila konsiderohet shumë, shtuar energjinë elektrike dhe ujin. 50% e pagës për ushqim është tipike e vendeve të varfra.

/Ora News/

SHKARKO APP