Kontrolli i cilësisë në KLSH dhe eksperienca evropiane

Nga Yllka Pulashi*

 Javën e fundit të marsit 2017, një grup prej 15 audituesish të KLSH-së zhvilluan një vizitë studimore mbi eksperiencën kroate në kontrollin e cilësisë në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, në kuadër të  projektit të binjakëzimit IPA 2013 për ngritjen e kapaciteteve të KLSH-së, i cili po zbatohet nga institucioni suprem i auditimit (SAI) i Polonisë (NIK), në bashkëpunim me SAI-n e Kroacisë.

Kontrolli i sigurimit të cilësisë, si një proces i cili synon të garantojë një përmirësim të vazhdueshëm të punës audituese në zbatim të standardeve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare ISSAI të auditimit suprem publik, ka qenë dhe mbetet në vazhdimësi një ndër objektivat kryesorë të veprimtarisë së KLSH-së. Sigurimi i cilësisë, bazuar në standardet ndërkombëtare, është i domosdoshëm, për të identifikuar objektivisht mangësitë dhe përcaktuar  masat efektive që duhen marrë për përmirësimin e punës në të ardhmen. Një cilësi sa më e lartë e punës audituese i shërben si ligjvënësit, ekzekutivit, ashtu dhe qytetarit për kontrollin dhe përgjegjshmërinë në përdorimin dhe administrimin e fondeve publike.

Në zbatim të ISSAI-t 40 “Kontrolli i Cilësisë”, gjatë periudhës 2012-2016, institucioni ka përfshirë në grupet e shqyrtimit të cilësisë audituesit e tij më me përvojë nga çdo departament auditimi, si dhe ka angazhuar ekspertë të jashtëm. Në veçanti, KLSH vlerëson kontributin e dhënë nga Prof. Dr. Jorgji Bollano, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, në udhëheqjen e një Mini-Peer Review (Rishikim mes Kolegëve) për kontrollin e cilësisë në institucion, dhe rekomandimet e tij për përmirësimin e punës kontrolluese. Raportet për sigurimin e cilësisë janë shqyrtuar dhe analizuar nga çdo departament auditimi.

Një nga faktorët që ka ndikuar pozitivisht në sigurimin e cilësisë të punës audituese është edhe përgatitja e programit vjetor të veprimtarisë së KLSH-së, bazuar në përcaktimin e prioriteteve të mundshme, argumentimin dhe përfshirjen në programin e auditimit të subjekteve të auditimit mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe përcaktimit të materialitetit, duke i kombinuar këto auditime edhe me detyrimet kushtetuese e ligjore që ka institucioni për auditimin periodik të njësive publike. Si tregues i qartë i rritjes së transparencës dhe  cilësisë, në hartimin e programit vjetor të auditimit të institucionit janë mbajtur parasysh ankesat dhe kërkesat për auditim të bëra nga qytetarët nëpërmjet letrave dhe denoncimeve të tyre, si edhe interesi i lartë i publikut dhe medias për subjekte dhe çështje të ndryshme të menaxhimit të aseteve dhe fondeve publike.

Takimi i fundmarsit 2017 në Kroaci midis audituesve shqiptarë dhe atyre kroatë synoi shkëmbimin e eksperiencës për funksionimin e sistemeve të kontrollit të cilësisë gjatë procesit të auditimit, sidomos të kontrollit elektronik, të bazuar në programet sofware kompjuterike. Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit, nënshkruar më datë 27 Nëntor 2012, në qytetin e Vlorës mes KLSH-së dhe SAI-t kroat, si dhe të objektivave ambiciozë të Projektit të Binjakëzimit, audituesit e KLSH-së u prezantuan gjerësisht me funksionimin dhe strukturat e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, në veçanti me strukturat dhe fazat e kontrollit të cilësisë. Çështjet kryesore dhe temat e trajtuara gjatë shkëmbimit të eksperiencës u fokusuan në rolin që ka kontrolli i cilësisë në të gjitha fazat e auditimit dhe sigurimi e menaxhimi i këtij kontrolli, gjatë gjithë procesit të auditimit.

Audituesit e KLSH u njohën me procedurat që audituesit kroatë ndjekin në sigurimin dhe menaxhimin e kontrollit të cilësisë nëpërmjet programit software të auditimit. Ky program ka filluar të zbatohet në vitin 2013 dhe SAI-t kroat i janë dashur thuajse dy vite që të implementojë programin dhe të arrijë ta përdorë nga të gjithë audituesit. Në fillim të vitit 2015, procesi i auditimit nga faza e planifikimit deri në atë të raportimit ka kaluar nga formati manual në atë elektronik. Sistemi i zbatuar ka qëllim sigurimin e pavarur të sistemeve të kontrollit të cilësisë dhe lehtësimin e punës audituese. Për ta bërë me konkret funksionimin e programit software, prezantimi u shoqërua edhe me shembuj nga praktika.

Duke qenë se SAI kroat është organizuar edhe në nivel të zyrave rajonale, gjithsej 20 të tilla, në ditën e tretë të vizitës, audituesit shqiptarë u njohën me Zyrën Rajonale të Kakovecit. Ekspertët e Zyrës prezantuan qasjen që ata kishin në lidhje me programin software për procedurat e sigurimit të kontrollit te cilësisë. Në ditën e katërt të vizitës studimore, audituesit e KLSH-së i përshëndeti Audituesi i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, z. Ivan Klešić, i cili theksoi bashkëpunimin e ngushtë të institucionit të tij me KLSH-në jo vetëm në kuadër të Projektit IPA të Binjakëzimit, por edhe si bashkëpunim i frytshëm dypalësh gjatë pesë viteve të fundit. Java e shkëmbimit të eksperiencës me ekspertë të një SAI shumë të zhvilluar evropian si SAI kroat, vijoi me bashkëbisedime ku të dy palët shkëmbyen praktikat me të mira audituese. Ekspertët kroatë sollën mënyrën se si hartohej programi vjetor i auditimit, kriteret dhe hapat që ndiqen për përzgjedhjen e subjekteve që bëhen pjesë e këtij programi. Praktika e ndjekur nga SAI  Kroat mbi hartimin e programit vjetor te auditimi është e njëjtë me praktiken e KLSH.

Në një nga prezantimet e tyre u paraqitën check list-tat e hartuara në lidhje me sigurimin e kontrollit të cilësisë. Aktualisht kanë përfunduar dy check list-at për auditimin e performancës dhe auditimin financiar. Në auditimet pilot që do të kryhen në kuadër të Projektit të Binjakëzimit, do të aplikohet edhe kontrolli i cilësisë nëpërmjet këtyre check list-ave, si risi e punës audituese të KLSH bazuar në eksperiencën e pasur kroate.  SAI kroat,  Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë është një partnere shumë e vlerësuar dhe aktive e Gjykatës Evropiane të Audituesve  (ECA). Janë të shumta auditimet e përbashkëta mes këtyre dy SAI-ve dhe eksperienca kroate në auditim reflekton praktikat më të mira evropiane.

*Drejtore Departamentin në KLSH

SHKARKO APP