Kreditë me probleme, kryesojnë Serbia dhe Shqipëria

Vendet e Ballkanit Perëndimor po arrijnë rezultate të mira në uljen e nivelit të kredive me probleme, por vetëm Shqipëria dhe Serbia ende bëjnë përjashtim.

Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, pikërisht vendi ynë dhe Serbia janë të vetmet vende ku raporti i kredive me probleme është mbi 20% dhe rënia e këtij treguesi është shumë e ngadaltë në raport me pjesën tjetër të rajonit.

Për vitin 2016, Serbia mbante sërish nivelin më të lartë të kredive me probleme, me 20.9%, e ndjekur nga Shqipëria me 20%. Vendet e tjera të rajonit kanë rezultate shumë më të mira në uljen e nivelit të kredive me probleme.

Nivelin më të ulët e mban Kosova, me 6.2%. Kjo lidhet me faktin që ekonomia kosovare është goditur më pak nga kriza, por edhe me faktin që sistemi bankar ka ruajtur një qasje mjaft të kujdesshme, për shkak të problemeve dhe rreziqeve të shumta politike dhe sociale me të cilat përballet vendi.

Por, edhe vendet që kanë pasur probleme më të theksuara me kreditë me probleme, tashmë kanë arritur rezultate mjaft të mira për uljen e tyre. Kështu, Bosnje Hercegovina i ka ulur kreditë me probleme në 12.1%, Mali i Zi i ka ulur kreditë me probleme në kufijtë e 10%, ndërsa Maqedonia në 7.2%.

Shqipëria arriti disa rezultate pozitive në dy vitet e fundit, kryesisht falë pastrimit të portofoleve nga kreditë e klasifikuara prej vitesh si të humbura, por, ulja e kredive me probleme ngelet e ngadaltë.

Bankat ende kanë pakënaqësi me procesin ligjor të mbledhjes së borxheve, të cilin e vlerësojnë ende të ngadaltë dhe problematik.

Raporti i kredive me probleme në Rajon

Serbi             20.9

Shqipëri       20

Bosnje   12.1

Mali i Zi      10.2

Maqedoni   7.2

Kosovë   6.2

/scan

SHKARKO APP