Kreditë me probleme, zbresin në 20.44%

Huatë me probleme kanë shënuar rënie në nëntor, pasi ishin rritur për disa muaj radhazi, sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Treguesi i huave të pakthyera në afat zbriti në 20.44% në nëntor, nga 21.35%  që ishte muajin e mëparshëm, por ai gjithsesi mbetet më i lartë se fillimi i 2016-s kur ishte 18.41%.

Ky është niveli më i ulët që nga qershori 2016. Pozitivisht ka ndikuar dhe rritja e stokut të kredisë në nëntor me rreth 2.5 miliardë lekë.

Në vlerë absolute, huatë që nuk janë kthyer në afat në fund të nëntorit ishin rreth 113 miliardë lekë (rreth 820 milionë euro), me një rënie prej 4% në raport me muajin e mëparshëm.

Edhe në fund të vitit të kaluar u konstatua e njëjta tendencë, ku treguesi i kredive me probleme u ul ndjeshëm për të arritur në 18.22% në dhjetor 2015. Më shumë se përmirësim real, ai erdhi nga fshirja e huave të këqija, që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, nga bilancet e bankave.

Më pas, përgjatë 2016-s, ky tregues vijoi të rritej me shpejtësi, teksa dhe kreditë e mira (ato deri në 90 ditë vonesë) filluan të bëheshin të këqija. Niveli më i lartë arriti në gusht prej 21.44%.

Ndikimin më negativ përgjatë e kishte shpallja e falimentit të Kurum për arsye ristrukturimi në shkurt 2016. Sipas të dhënave më të fundit, të bëra publike nga Gjykata, që po shqyrton falimentin e Kurum, nga 230 milionë euro borxhe që kishte në total kompania Kurum, rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare. Rreth 21 milionë euro është kredi tek Raiffeisen,  10.2 milionë eurosh tek BKT. Më pas janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe Pro Credit me 500 mijë euro.

Në vlerë absolute, në krahasim me fundin e 2015-s, stoku në total i huasë me probleme në sistemin bankar është rritur me rreth 100 milionë euro, pra krahas huasë së Kurum, sistemit i janë shtuar dhe rreth 60 milionë euro kredi të tjera, që janë vonuar në shlyerje më shumë se 3 muaj.

SHKARKO APP