Kriteret abuzive në përcaktimin e kërkesave kualifikues të operatorëve ekonomik

KLSH si institucioni i auditimit i jashtëm publik në misionin e tij ka “Llogaridhënien dhe transparencën” (Kongresi IX-të EUROSI-i, Majë 2014 në Hagë), ku një element i rëndësishëm në punën e tij është raportimi në publik i shkeljeve dhe abuzimit me fondet shtetërore dhe aksesi i publikut ndaj informacionit të dhënë…

Nga: Kristaq Gjurgjaj dhe Lolita Baholli

Korniza ligjore për prokurimin publik në Shqipëri është e zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse pasi ka avancuar në shërbimin proaktiv për prokurimin elektronik, edhe pse zbatimi dhe monitorimi i tyre mbeten sfiduese, pasi prokurimi publik mbetet një zonë që është veçanërisht i prekshëm ndaj korrupsionit. Procedurat konkurruese në prokurimin publik vlerësojnë masat për të frenuar korrupsionin nëpërmjet treguesve të prokurimit publik cilësor.

KLSH si institucioni i auditimit i jashtëm publik në misionin e tij ka “Llogaridhënien dhe transparencën” (Kongresi IX-të EUROSI-i, Majë 2014 në Hagë), ku një element i rëndësishëm në punën e tij është raportimi në publik i shkeljeve dhe abuzimit me fondet shtetërore dhe aksesi i publikut ndaj informacionit të dhënë. Në auditimet e kryera nga KLSH-ja, në zbatimin e procedurave të prokurimit publik janë evidentuar një sërë problematikash në hartimin e kritereve të veçanta për kualifikim në kontratat e furnizimit për punë civile. Në të shumtën e herës vihet re tendenca e përcaktimit të kritereve të tilla që nuk garantojnë konkurrencën dhe barazinë në tender, duke favorizuar operatorë ekonomikë, në një fare mënyre të parashpallur, kjo edhe për faktin se nga auditimet ka rezultuar se në njësitë e hartimit të dokumenteve të tenderit, janë punonjës jashtë profilit dhe që nuk kanë lidhje me detyrën e caktuar, duke vendosur kritere të diktuara apo apriori.

Në jo pak raste KLSH ka trajtuar probleme, ku i njëjti autoritet kontraktor në të njëjtën periudhë kohore në një procedurë prokurimi kërkohet të ketë në stafin e tij dhe të siguruar sipas legjislacionit “Mjekun e Shoqërisë”, kërkesë kjo e VKM-në nr. 741, datë 06.11.2003 (pasi mjekun e ka shoqëria që duhet të fitojë tenderin) dhe në procedurën tjetër nuk kërkohet (pasi shoqëria tjetër nuk e ka), ndërkohë që këto aktet ligjore duhet të zbatohet në çdo procedurë prokurimi, fenomene këto të konstatuara në auditimet e kryera në Bashkitë Berat, Devoll, Durrës etj.. Evidentohen kërkesa të paargumentuar për nivele të kategorisë së licencës së punimeve të ndërtimit shumë më të larta se volumet e punimeve të përcaktuara në preventiv apo përcaktimi i numrit të punonjësve dhe stafit teknik, kërkesë, e cila nuk argumentohet me volume pune. Vendosja në kriteret për kualifikim të mjete e makineri me specifikime të tilla, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e prokurimit dhe disponohen nga një numër shumë i kufizuar shoqërish.

Përcaktimi i kritereve të tilla jo në përpjesëtim dhe të palidhura ngushtë me aftësinë zbatuese, natyrën dhe vlerën e kontratës që do të prokurohet janë kritere diskriminuese, të fryra dhe me kufizime, duke lënë jashtë konkurrimit një pjesë të madhe të bizneseve dhe që bien ndesh me dispozitat e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar.

Në punën audituse, KLSH-ja ka evidentuar shumë raste se pavarësisht se janë kërkuar kriteret diskriminuese, të fryra dhe me kufizime në zbatimin e kontratave të furnizimit për punë civile, nga auditimi i ditarit të objektit ka rezultuar se për gjithë periudhën e kryerjes së punimeve nuk është numri i punonjësve, stafit, makineritë të deklaruara në kantier etj., fakte që flasin për përcaktimin e tyre sipas interesave të veçanta vetëm për të shpallur fitues shoqërinë e paracaktuar. Në disa raste kushtet e tenderit ndryshohen me fillimin e zbatimit të kontratës duke humbur kuptimin e kritereve të veçanta për kualifikim dhe duke e shndërruar në një tender me kritere të tjera, fenomene këto të konstatuara në auditimet e kryera në Bashkitë: Berat, Fushë Arrëz, Lezhë, Konispol, etj.

Vendosja e kritereve të fryra dhe të padrejta me qëllim kufizimin e pjesëmarrjes sjellin edhe arsyet e përjashtimit të operatorëve ekonomik nga një kontrate publike, pasi në të shumtën e rasteve operatorët ekonomikë nuk atakojnë kërkesat e dokumenteve të tenderit, por arsyet e s`kualifikimit të tyre. Problemet abuzive në prokurimet publike të dala nga auditimet, KLSH-ja i ka adresuar për investigime dhe hetime të mëtejshme në organet ligj zbatuese, fenomene këto të konstatuara në auditimet e kryera në Bashkitë Berat, Devoll, Skrapar, Pogradec, etj.

Kontrollit të Lartë të Shtetit i është besuar një mandat i qartë dhe ka burime të mjaftueshme për të siguruar një proces të kujdesshëm të prokurimit dhe me linja të qarta të përgjegjësisë, pavarësisht se sistemi i prokurimit elektronik në Shqipëri është i zhvilluar, sistem, i cili mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit, pasi proceset dhe kontratat e prokurimit publik nuk monitorohen nga afër dhe në mënyrë të mjaftueshme. Vetëm procedurat e prokurimit të sakta ndihmojnë në krijimin e shërbimeve civile të besueshme, në zgjatjen e jetëgjatësisë e tyre, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Vlen të theksohet se legjislacioni i prokurimit publik, si në vendet e BE-së dhe tek ne, është gjithnjë në evolucion për shkak të ndryshimeve legjislative dhe reformave të shumta (Direktivat e BE-së mbi Prokurimin Publik dhe Kontratat Koncesionare). Banka Botërore po bashkëpunon me Agjencinë e Prokurimit Publik për projektin “Përmirësimi i kontrollit të përputhshmërisë dhe nxitja e transparencës në Prokurimet Publike në Shqipëri”, në të cilin është përfshirë edhe KLSH-ja si përfitues dytësor i këtij projekti. Ky projekt do të ndikojë dhe do të jetë mbështetje për KLSH-në, në zhvillimin e ekspertizës profesionale në auditimin e prokurimeve me qëllim rritjen e cilësisë së auditimit. Synon sjelljen e akteve të plota ligjore për prokurimin publik të Shteteve Anëtare të BE-së, duke krijuar një vizion të qartë të funksionimit të rregullave të sotme dhe duke dhënë perspektivën e përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar drejt përmbajtjes së Direktivave të Parlamentit dhe të Komisionit Europian. Dëshira dhe vullneti i Institucionit Suprem të auditimit të Shqipërisë (KLSH) për të zbatuar kuadrin ligjor të BE-së dhe Direktivat e Acquis Communautaire në auditimin e prokurimeve publike në vend, krahas marrjes së eksperiencës më të mirë sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus Prodest”(Nga Eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë), reflekton njëkohësisht edhe aspiratat e palëkundura të gjithë shqiptarëve për integrim në familjen e madhe të Bashkimit Europian.

SHKARKO APP