Kriza dhe sfidat e ekonomisë botërore

Sipas shumicës së ekspertëve të ekonomisë, politikat makro-ekonomike vijojnë të jenë aktive dhe të hapura, me shpresën se ato do të gjenerojnë rritje ekonomike. Kështu, në shumicën e vendeve të zhvilluara, Bankat Qendrore kanë nxitur kredi-dhënien e lirë, por rezultatet mbeten tepër të ulëta, duke sjell panik dhe frikë, si për shembull në Kinë…

Nga Riva Goga

Diskutimi dhe, më në fund, miratimi nga Asambleja e OKB i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), si dhe Axhenda 2030 për zbatimin e tyre, përbëjnë në thelb jo vetëm programin e OKB dhe organizatave ekonomike në vartësi të saj si UNCTAD, UNEP, UNECE, ILO, etj për zhvillimet ekonomike, sociale, edukative, shëndetësore dhe mbrojtjes së ambientit, por njëherësh ato janë edhe program punë mbarë botëror në përgjigje e krizës së tejzgjatur financiare nisur që në vitin 2008. Në konferencat ministeriale të UNCTAD apo OBT masat antikrizë në nivel ndërkombëtare kanë zënë një pjesë të konsiderueshme të deklaratave të ministrave, bazuar te të cilat strukturat e tyre bashkë me përfaqësuesit e qeverive, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile diskutojnë dhe debatojnë për zgjidhjet më të mira.

Referues në këto organizata, ekspertë nga komuniteti i biznesit, nga FMN, Banka Botërore, si dhe nga bota akademike ndajnë mendime të ndryshme për projektet konkrete të daljes nga kriza në vijim të zbatimit të SDG dhe Axhenda 2030, por ata pajtohen në disa pika të analizës së situatës.

Borxhi publik:

Kanë kaluar 8 vjet nga fillimi krizës financiare, por dalja prej saj dhe sidomos rritja ekonomike është ende larg, dhe institucionet përgjegjëse si ato në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar mbeten në përçara në gjetjen e rrugëve të zgjidhjes. Në rajonet kryesore të botës ekonomike, mbetet i lartë kontrasti ndërmjet politikave makro-ekonomike dhe atyre mikro-ekonomike, ndërkohë që inovacioni, dhe teknologjitë e së nesërmes ecin me shpejtësi, por shoqëruar me sfida ekologjike, edukimit dhe shëndetit. Në këtë këndvështrim, FMN ka shpallur së fundmi një listë të gjatë me probleme shqetësuese të botë së sotme, ku veçohen borxhet publike të qeverive të cilat, të gjitha së bashku kapin shifrën 225% të Prodhimit të Përgjithshëm Botëror. Borxhi publik varijon dukshëm nga një vend në një tjetër. Për shembull, borxhi publik i Zvicrës është rreth 35%,  Francës 98%, SHBA deri 107%, Greqisë – megjithë mbështetjen ndërkombëtare mbetet në shifrën rreth 170%, për të arritur në atë të Japonisë me 249% të Prodhimit të Përgjithshëm. Sipas ekspertëve, një shifër e borxhit publik prej rreth 100% sjell pështjellime negative ekonomike e sociale me impakt tej-kombëtar, duke penguar funksionimin normal të ekonomisë globale.

Politikat makro-ekonomike:

Sipas shumicës së ekspertëve të ekonomisë, politikat makro-ekonomike vijojnë të jenë aktive dhe të hapura, me shpresën se ato do të gjenerojnë rritje ekonomike. Kështu, në shumicën e vendeve të zhvilluara, Bankat Qendrore kanë nxitur kredi-dhënien e lirë, por rezultatet mbeten tepër të ulëta, duke sjell panik dhe frikë, si për shembull në Kinë.  Ata konkludojnë se, “nëse recensioni vijon të shtrihet edhe më tej, asnjë vend nuk do të ketë mundësi as buxhetore, dhe as të ndërmarrë politika monetare për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe të tregjeve…”

Nga ana tjetër, rikapitalizimi i bankave është ende në proces, por që nuk dihet se kur do të përfundojë veçanërisht në Europë si në Itali. Banka qendrore gjermane ka sinjalizuar gjithashtu se, “… normat e kapitalit, që u janë imponuar institucioneve financiare për të përballuar krizën, në fakt i kanë paralizuar ato, ndërkohë që sektori që vepron jashtë këtyre rregullave është duke shpërthyer…”

Një klimë e tillë e paqartë dhe e tendosur është rënduar edhe më tej nga rritja e populizmit, që ka ndikuar jo pak në ndërmarrjen e vendime ekonomike jo adekuate. Shembulli më i plotë që ilustron këtë ndikim të populizmit është  Brexit, i cili po rezulton  me kosto si për Britaninë e Madhe ashtu dhe për vetë Europën. Prandaj dhe në skenë është duke dalë me shpejtësi një tjetër politikë- Proteksionizmi, duke filluar me SHBA. Nëse kjo politikë merr rrugën e zbatimit, atëherë do të vihen në pikëpyetje arritjet dhe negociatat që vijojnë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Disa analistë të kësaj fushë janë të mendimit se arritjet dhe negociatat, që zhvillohen prej vitesh në kuadër të OBT nga 164 delegacione, dhe që kanë për qëllim final liberalizimin e shkëmbimeve tregtare dhe shërbimeve, nuk mund të pengohen.

Një vështrim i përgjithshëm i politikave të qeverive për dalje nga kriza, si ato makro-ekonomike, gjykohen të pamjaftueshme. Sipas FMN, vendet e BRICS (Brazil, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), megjithëse kanë një performancë më të mirë ekonomike-financiare, ato duhet të përballojnë fluktacionet e uljes së ritmit të rritjes. Kështu, edhe në rast se çmimi i naftës dhe gazit do të rritet, sfida për këtë grup vendesh mbeten reformat strukturore, si dhe lufta ndaj fenomenit të korrupsionit, reformat në sistemin e edukimit, si dhe pasiguria e valutave të tyre. Në këtë linjë, mund të citohet Presidentja e FMN, Lagard e cila së fundmi ka deklaruar se “Shqetësimet (si më sipër) mund të frenojnë investimet, duke pasur një rritje ekonomike të dobët. Zgjidhja? Ajo është e njohur: Duhet një koordinim më i mirë i vendeve në fushën tregtare, fiskale, në atë të revolucionit dixhital dhe migracionin“. Përtej kësaj deklarate, analistët më me zë në fushën e tregtisë ndërkombëtare konkludojnë se “bota po ecën në drejtimin jo të duhur..madje edhe Europa, me një model ekonomik e financiar tradicional të suksesshëm, nuk po arrin të gjejë rrugët e zgjidhjes dhe daljes nga kriza.

Politikat mikro-ekonomike:

Në rrafshin mikro, ekonomia e vendeve kryesore të botës, duket se ecën më shpejt dhe më me siguri. Raportet dhe analizat e institucioneve më prestigjioze të sistemit të OKB, për shembull, ato të UNCTAD, apo vetë FMN dhe Banka Botërore informojnë për shtrirjen dhe thellimin e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit, të cilët kanë sjellë ndër të tjera uljen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kjo është më evidente për shembull në komunikacion, shkëmbimet tregtare, ato turistike, bankare etj, prandaj dhe analistët konkludojnë se, “përdorimi i teknologjive të reja nuk ka qenë asnjëherë me shtrirje kaq të shpejtë…më shumë se 40% e popullsisë së botës ka akses në internet“. Ose, brenda 20% të njerëzve që konsiderohen të varfër, 7 në 10 vetë posedojnë një telefonë celular. Raporti i Bankës Botërore thekson gjithashtu se “shtrirja e aktivitetit të biznesit bëhet me shpejtësi në të katër anët…pronarët e 122 ekonomive të botës kanë njohur një përmirësim të dukshëm edhe në kuadrin  tyre rregullues-legal. Por, nga ana tjetër, në botën tonë mbeten 4 miliardë njerëz pa akses në internet dhe ku kuadri rregullator në shumicën e vendeve lë shumë për të dëshiruar. Gjithsesi, tendenca është pozitive…”

Në këtë fushë, ato që po avancojnë më shumë janë teknologjitë e quajtura «të së ardhmes» si biologjia apo informatika. Prandaj, shkencëtarët më me zë kanë konkluduar se «Bota e së ardhmes sa ka nisur… ». Kushtet për zgjatjen e jetës dhe rritjen e cilësisë së saj po përmirësohen me shpejtësi. Por, nga ana tjetër, pikëpyetje të mëdha janë ngritur ndaj robotëve dhe inteligjencës artificiale,  ose për shtresat e mesme, që janë më të prekura nga globalizimi, të cilat ndjehen të prekura nga zëvendësimi i kapitalit të punës me automatizimin. Nga ana tjetër, analistët gjykojnë se frika nga robotizimi është e ekzagjeruar. Për shembull, në SHBA, ishte menduar se 40% e vendeve të punës mund rrezikoheshin nga robotizimi, por më realitet kjo shifër nuk është më e madhe se 10% (Analiza është kryer nga ekspertë të «France Stratégie »).

Revista e mësipërme franceze rekomandon gjithashtu se « detyra e qeverive mbetet parapërgatitja lidhur me kompetencat e nevojshme dhe përcaktimi i dispozitivave për të ndihmuar me kualifikime viktimat e robotizimit.., dhe se është nën përgjegjësinë e politikës që të përgatisë periudhën e tranzicionit të botës së vjetër në një botë të re.».

Në konkluzion të kësaj analize, citojmë se shumica e autorëve bie dakord se, në historinë e zhvillimeve ekonomike-sociale të dekadave të fundit, rrallëherë ka ndodhur që ekonomitë të kenë një gap kaq të madh ndërmjet infrastrukturës mikro dhe superstrukturës institucionale, si dhe që të marr kaq shtrirje pesimizmi i qytetarëve dhe mosbesimi i tyre ndaj qeverive dhe elitave politike. Së dyti, të gjithë janë dëshmitarë se «Shteti social i djeshëm po humbet dalëngadalë…», duke i lënë arritjet në dorë të një grupi njerëzish në formën e grupit monopol. Prandaj dhe kërkohet që njerëzit e shkencës dhe dijes të formatojnë politikat makro dhe mikro, duke dhënë siguri për një sistem të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Aktiviteti i dendur që OKB dhe organizatat rreth saj janë duke bërë në kuadër të SDG dhe Axhenda 2030, besohet se do të sjellin rezultatet e dëshiruara, duke siguruar qytetaret për një të ardhme progresive për të gjitha shoqëritë dhe kombet.

SHKARKO APP