Kush e gëzon fitimin e bankave shqiptare?

Banka e Shqipërisë i përkthen në lekë pasojat e këtij “eksodi” ekonomiko-financiar, sipas fjalorit të politikës. Në një njoftim zyrtar të para pak kohëve ajo theksonte, se “… gjatë këtyre dy viteve dolën nga Shqipëria rreth 295 miliardë lekë”. Edhe gjatë vitit 2014, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të Bankës sonë Qendrore

Nga Feti ZENELI*

Banka e Shqipërisë, mbështetur në standardet lokale GAP, ka publikuar para pak kohësh fitimet që kanë realizuar bankat e nivelit të dytë të vendin tonë përgjatë vitit të kaluar. Ndonëse në një ambient të vështirë të të bërit biznes, ku niveli i kredive të këqija u bë kohë që nuk po zbret nën 20 për qind dhe normat e interesit kanë prekur fundin, fitimi i sistemit bankar në vitin 2015, arriti në 15.7 miliardë lekë, që përbën një nivel rekord lidhur me normën e tyre të fitimit. Pjesa e luanit në këtë shumë fitimi ose 14.1 miliardë lekë u takon tri bankave me 100 për qind pronësi të huaj, që normat e fitimit para taksave i kanë përkatësisht 41 për qind, 26 për qind dhe 37 për qind. Krahas një uljeje më të shpejtë të interesave të depozitave se sa atyre të kredisë, si një element që ka ndikuar direkt në rritjen e marzheve për këto banka dhe për sektorin bankar në përgjithësi, ato kanë përfituar edhe nga rikthimi i provizioneve të bëra për një pjesë të kredive të këqija që kanë arritur të ekzekutojnë apo të ristrukturojnë në mënyrë të suksesshme, të themi, në vitin 2015. Parë në këtë këndvështrim, është mjaft domethënës fakti, se bankat, të cilat kanë realizuar fitimet më të larta për vitin e kaluar janë po ato që kanë pasur edhe përmirësim të treguesit të NPL-ve, siç është e vërtetë dhe e kundërta për ato banka, që  renditen nga fundi në listë, apo që kanë raportuar rezultat negativ.

Rritja e fitimeve apo konsolidimi i çdo biznesi, kushdo qoftë ai, është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, që çuditërisht vazhdojnë të jetojnë në kohën e mosbesimit qytetar në rritje dhe përballë sfidash të shumta ekzistenciale. Por fatkeqësisht, të ngrin buzëqeshja, kur dëgjon përsëri nga Banka e Shqipërisë se pjesa më e madhe e këtyre parave të fituara nga bankat e nivelit të dytë në tokën tonë janë investuar jashtë vendi ose si investim ose si kreditim për bizneset e huaja. Me rreth 3 miliardë dollarë investime jashtë, Shqipëria është një kreditor neto i botës, pasi detyrimet që bankat shqiptare kanë ndaj jorezidentëve, banka ose individë të huaj, janë vetëm 45 miliardë lekë ose pak më shumë se 400 milionë dollarë. Fakte të tilla tregojnë, se pavarësisht deklarimeve të forta politike që bëhen çdo ditë për rritje të të ardhurave si dhe rritje të investimeve, ky është një lajm i keq, madje shumë i keq, sepse ne kemi mjaft nevojë që këto para të investohen brenda vendit për të mbështetur ekonominë tonë rakitike. Dy vjet më parë, Banka e Shqipërisë mori një sërë masash për të dekurajuar daljen e kapitaleve jashtë vendit, duke ju kërkuar bankave të nivelit të dytë, që për çdo investim në tregjet e huaja të sigurojnë më shumë fonde rezervë në bilancet e tyre. Por ndonëse e kanë ngadalësuar disi ritmin e investimeve jashtë, këto ndërhyrje nuk kanë mundur ta frenojnë atë. Vetë bankat private thonë, se janë të detyruara t’i investojnë fondet e lira jashtë për shkak të mungesës së kërkesës për kredi në tregun e brendshëm, por edhe të mungesës së projekteve bindëse nga biznesi shqiptar.

Ndërkohë që qeveritarët u bien borive të reformave të suksesshme brenda dhe jashtë vendit, mjafton të kujtojmë se në mënyrë të veçantë, gjatë tre viteve të fundit; paratë, bizneset dhe qytetarët po marrin arratinë rrugëve të botës. Kësisoj, fjala “eksod” ose “dalje” sipas greqishtes, që është përdorur për të treguar një fenomen të dhimbshëm social me përmasa biblike, si për shembull, historinë e izraelitëve pas vdekjes së Jozefit, këto kohët e fundit tek ne, po përdoret rëndomtë edhe në fjalorin e sipërmarrjes dhe politikës shqiptare. Kësisoj është quajtur “eksod” jo vetëm ikja e disa dhjetëra-qindra shqiptarëve, kryesisht drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera perëndimore, për shkak të papunësisë dhe kushteve të vështira të jetesës në Shqipëri, por edhe fenomeni i shpërnguljes së biznesit për t’u vendosur në vendet e tjera të rajonit tonë apo i ai transferimit jashtë Shqipërisë të parave, prej bankave të nivelit të dytë.

Revista “Monitor” jepte para pak kohësh një pasqyrë të qartë të asaj që po ndodh me biznesin, përsa i përket tendencës së disa sipërmarrjeve të huaja, por edhe vendase për ta zhvendosur aktivitetin në vendet përreth nesh, me kushte tregu më të përshtatshme. Midis të tjerash kjo revistë sjell në vëmendje të lexuesit rastin e kompanisë së prodhimit të mobilieve “F.P.M” sh.p.k., që prodhimin e saj me destinacion eksportin në tregun amerikan, të cilin deri para pak muajsh e zhvillonte përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, tani e ka zhvendosur në një zonë të lirë në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë, sepse atje “…janë të përjashtuar për pesë vitet e para nga taksat dhe kanë marrë një kapanon në gjendje të mirë, kundrejt vlerës 1 euro”. Po kështu edhe kompania farmaceutike G.S.K (GlaxoSmithKline) ka publikuar vendimin për të kufizuar përfaqësinë në Shqipëri. Të njëjtën gjë ka bërë gjatë vitit të kaluar edhe një prej përfaqësive më të mëdha të tregtisë së cigareve. Nga ana tjetër tregun e huaj po e synojnë edhe kompanitë shqiptare. Kur sektori i ndërtimit filloi të përballej me një kërkesë të ngopur në tregun e brendshëm, disa prej kompanive të këtij sektori zgjodhën të investojnë në tregje të huaja, siç është rasti i ndërtuesit Hajredin Fratari në periferi të Romës, apo Fatos Pustinës që ndërtoi një kompleks të madh banimi në Sofje të Bullgarisë. Por daljet e sipërmarrjes së madhe private këto dy viteve të fundit, konsiderohen nga politikanët e opozitës si “eksod”, jo vetëm për shkak të numrit të lartë të tyre, por edhe për të përkeqësimit të klimës së biznesit dhe rritjes së ngarkesës fiskale në vend. Fjala vjen, vetëm numri i sipërmarrjeve italiane ka rënë aktualisht në 872 nga 1643 që ishte në fund të vitit 2013. Shumë domethënës ishte në këtë drejtim edhe një studim i biznesit gjerman në Shqipëri. Ky studim tregonte se në vitin 2013, 80% e investitorëve gjerman ishin të kënaqur me klimën e biznesit në vendin tonë, ndaj do t’i investonin këtu fitimet e tyre, kurse vitin e kaluar 67% e sipërmarrësve gjerman ishin të pakënaqur me klimën e biznesit në Shqipëri, duke menduar për t’i transferonin jashtë këto fitime. Po kështu edhe shumë profesionistë të spikatur nga komuniteti i ekonomistët vërejnë, se kompanitë vendase dhe ato të huaja po preferojnë t’i investojnë jashtë fitimet e tyre.

Banka e Shqipërisë i përkthen në lekë pasojat e këtij “eksodi” ekonomiko-financiar, sipas fjalorit të politikës. Në një njoftim zyrtar të para pak kohëve ajo theksonte, se “… gjatë këtyre dy viteve dolën nga Shqipëria rreth 295 miliardë lekë”. Edhe gjatë vitit 2014, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të Bankës sonë Qendrore, flukset dalëse të Investimeve të Huaja Direkte u rritën me 245% në raport me një vit më parë. Sipas statistikave të këtij bilanci, zëri “Mjete në Investimet Direkte”, i cili nënkupton flukset dalëse të investimeve direkte arriti në 76 milionë euro, nga 22 milionë euro një vit më parë. Bazuar në metodologjinë përkatëse të Bankës së Shqipërisë, në këtë zë përfshihen investimet e kompanive shqiptare jashtë ose huatë e ndryshme që bankat “bija” në Shqipëri mund t’u kenë dhënë bankave të tyre “mëma”.

Viroza e “eksodit fizik”, duket se ka kapur së fundi edhe vetë bankat. Opinioni publik është i njohur me ngjarjen në kthesën e Kasharit, ku një bandë grabitësish prej katër personash vodhën rreth 10 thasë me para, që mbanin brenda tyre plotë 3.8 milionë euro, të destinuara për jashtë vendit.  Një vit më parë e njëjta ngjarje ndodhi me një bankë tjetër të nivelit të dytë, ku u grabitën rreth 3 milionë euro për t’u nxjerrë jashtë Shqipërisë. Pyetja më shqetësuese në këtë rast nuk është pse nuk sigurohen, por pse dalin jashtë shtetit këto para? Nga ana tjetër, bankat po “i zbrazin” edhe vetë depozituesit, të cilët kanë humbur jo vetëm interesin, por edhe besimin ndaj këtyre institucioneve të rëndësishme të ekonomisë së tregut. Brenda 2 viteve të fundit janë tërhequr plotë 500 milionë euro kursime nga bankat e nivelit të dytë. Politika e normave të ulëta të interesave që po ndjek e Banka e Shqipërisë vetëm se po ndihmon uljen e kostove të financimit të qeverisë, ndërkohë që ndikimi në sjelljen e sektorit privat mbetet shumë kontrovers, duke goditur kursimet, pa arritur të stimulojë investimet. Në një situatë të tillë, bankat po zbatojnë në praktikë postulatin: “Secili për vete, Zoti për të gjithë”!. Por pavarësisht situatës që po përjeton biznesi, fitimet e bankave vijnë duke u rritur nga njeri vit në tjetrin. Konkretisht në fund të vitit 2014, fitimi para tatimit i bankave në nivelit të dytë në Shqipëri u rrit 30% më shumë se në vitin 2013. Përveç të tjerash, këto fitime sigurohen edhe nga “eksodi” i parave, duke dhënë kredi për bizneset e vendeve të rajonit. Bëhet fjalë për 2,5 miliardë euro kredi të dhëna për këto biznese.

Në fund të fundit, bankat, ndonëse kryejnë një veprimtari disi të ndryshme nga sipërmarrjet e tjera private janë një biznese tregtare, që merren me shitjen e shërbimeve financiare për individët dhe subjektet e biznesit. “Lënda e parë” e çdo banke, është paraja. Në këtë mënyrë ajo merr para “hua” nga depozituesit dhe jep hua për kredimarrësit. Duke u pozicionuar midis depozituesit dhe huamarrësit, banka shërben si një kanal për qarkullimin e parave, duke luajtur rolin e ndërmjetësit. Parë në këtë këndvështrim, edhe banka nuk është gjë tjetër, veçse një lloj i veçantë biznesi, ku si qëllim final ka fitimin. Ndaj, nuk është çudi, që banka të vuaj nga po e njëjta sëmundje që ka kapur biznesin e madh në përgjithësi. Këto lloj sëmundjesh vijnë për shkak të klimës së papërshtatshme, që dikton herë pas here një qeverisje jo fort e suksesshme. Por në këtë rast, më shumë se sëmundja, shqetëson mungesa e besimit për ta kuruar atë në klinikat e realitetit tonë politiko-ekonomik, gjë që i detyron pacientët e kësaj kategorie të kërkojnë shërim në vendet e tjera të rajonit.

Mbi të gjitha, agjentët ekonomik vazhdojnë të mbeten shumë pesimistë nga pikëpamja psikologjike. Siç dëshmohet nga një numër vëzhgimesh dhe treguesish real, me firma dhe biznese të cilat po rialokojnë investimet e tyre në vendet e tjera të rajonit, daljet e kapitaleve jashtë vendit po bëhen shqetësuese. Përveç klimës së përkeqësuar të krijuar nga keqqeverisja, janë dhe bankat që nuk po ngjallin shpresë dhe optimizëm tek biznesi në përgjithësi. Zgjidhja sa më studiuar e këtij ngërçi duhet të jetë me përfitime për të gjithë palët, prandaj nuk duhet pritur për të vepruar me shpejtësi dhe në një kohë sa më të shkurtër. Duhet ndalur sa më shpejt ky “eksod” apo kjo hemorragji e parasë dhe kapitaleve jashtë vendit, kryesisht për të mos u përballur me zgjidhje të lodhshme, por të qëndrueshme në realitetin shqiptar, sado “armiqësore” apo “diktatore” qoftë klima e biznesit në vendin tonë.

______________________________________________________________________________

*Ish-Drejtor i Përgjithshëm e Agjencisë së Trajtimit të Kredive

SHKARKO APP