Legalizimet e ndërtimeve informale në fokusin e KLSH
Nga Artan Mirashi dhe Hysen Metko/Në ditët e sotme, shqetësimi më i madh i gjithë opinionit është se si administrohet procesi i legalizimit të ndërtimeve informale të bëra në vitet e tranzicionit. Pra si kryhet ky proces, si përdoret paraja publike, a mblidhet ajo sipas ligjit? Çdo njeri shtron pyetjen se cilat janë institucionet që e kontrollojnë këtë para, kush e auditon qarkullimin e saj si në të ardhura, por dhe në shpenzime. Në këtë shkrim do të paraqes disa probleme se si KLSH po punon për të ruajtur paranë publike, si një institucion i pavarur kushtetues.
Një ndër institucionet që KLSH ka për objekt auditimi është dhe Agjencia e Legalizimit Urbanizim Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) si dhe Drejtoritë e rajonale të ALUIZNI-t, për vetë rëndësinë që ka, pasi ka një funksion sa të rëndësishëm por dhe delikat në marrëdhënie me publikun, kjo e ka bërë tepër të nevojshme që KLSH të fokusohet periodikisht në auditimin e ALUIZNI-t.
Me miratimin e ligjit për krijimin e Agjensisë Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimin të Zonave/Ndërtimeve Informale në vitin 2006, për herë të parë filloj një proces legalizimi për ndërtimet informale, sigurisht mungesa e përvojës dhe marrja shabllon e përvojave nga vende të tjera në tranzicion, pa e përshtatur atë sipas specifikave që kishin këto ndërtime informale në vendin tonë, krijoj një situatë jo të pranueshme tek qytetarët. Problematikat e konstatuara ishin: Paqartësi e statusit të pronave ku janë ndërtuar objektet për legalizim, pasi harta e statusit të pronave është problemi “gangrenë” i shoqërisë tonë. Identifikimin dhe verifikimi në terren i ndërtimeve informale që kryen ish komunat dhe Bashkitë nuk ishte afër realitetit, si nga mungesa e përcaktimit të të dhënave teknike, por dhe nga interesa korruptive të punonjësve të rekrutuar pa kritere të caktuara.
Me ndryshimet ligjore të mëvonshme kompetencat për identifikim dhe verifikimin në terren të ndërtimeve informale deri në lëshimin e lejeve kaluan ALUIZNI-t me një organizim në rrethe, ku verifikoheshin e identifikoheshin objektet informale, plotësohet dosja me dokumentacionin e kërkuar ligjor dhe lëshimi i lejeve bëhej i përqendruar në Drejtorinë e Përgjithshme të ALUIZNI-t. Ndryshimet e kryera në vijim, duke decentralizuar kompetencat nga Qendra në Drejtoritë Rajonale, filluan të japin një impakt më të mirë tek qytetarët, pasi filluan të kryheshin specializime e trajnime të stafit, kjo solli dhe rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve njerëzore.
Për ndërtimet pa leje të cilat legalizohen në radhë të parë identifikohet pronësia e parcelës ndërtimore të okupuar nga poseduesi i ndërtimit pa leje. Në çdo rast poseduesi parcelën ndërtimore për pjesën deri në tre fishin e ndërtimit e merr me çmim favorizues, për pjesën mbi tre fishin e blen me çmimin e tregut përcaktuara në ç’do rast me Vendim të Këshillit të Ministrave në vitin kur aplikohet ky çmim. Në legjislacionin e ri pas Qershorit të vitit 2014, është përcaktuar që për vetëdeklarimet e periudhës 2006-2014 të kryhen procedurat e kalimit në pronësi pavarësisht pronësisë së parcelës ndërtimore shtet apo ish-pronar, ndërsa për vetëdeklarimet e mëvonshme pranohet fillimi i proceduarve të legalizimit vetën nqs poseduesi i ndërtimit pa leje ka në pronësi parcelën ndërtimore. Megjithëse në legjislacion është përcaktuar se për shkak të përmasave ose plan vendosjes së parcelës ndërtimore, krijohen sipërfaqe të lira që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me VKM. Kalimi i së drejtës së pronësisë për këto sipërfaqe, kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.
Në auditimet e ushtruara nga KLSH për periudhën para e gjatë vitit 2014, është konstatuar se nga Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t nuk është vepruar me shitjen e pjesëve të parcelave të okupuara (që kalon trefishin e sipërfaqes së ndërtimit dhe në çdo rast brenda vijës së verdhë jo më shume se 300 m2 dhe jashtë vijës së verdhë jo më shumë së 500 m2), megjithëse këto parcela janë në përdorim nga okupuesit. Dëmi i shkaktuar është tepër i madh dhe kjo ka sjellë pasojë në uljen e nivelit të vlerës së parasë për shpërblimin e pronarëve. KLSH ka evidentuar në auditimet e kryera se si rrjedhojë e mos shitjes së këtyre parcelave aktualisht të pa frutshme për tu përdorur nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore për shitje apo për qëllime publike për shkak të përmasave dhe konfiguracionit, është i konsiderueshëm dhe ka shkaktuar mungesë të ardhurash në buxhetin të shtetit për fondin e kompensimit të ish-pronarëve konkretisht: në Qarkun e Lezhës për vitet para vitit 2014 janë konstatuar në 30 raste me sipërfaqe totale 14157 m2 llogaritur në vlerë 161,729,059 lekë; në Qarkun e Elbasanit, në 20 raste, me një sipërfaqe totale prej 4117.76 m2 me një vlerë të përgjithshme prej 32,488,221 lekë; në Qarkun e Korçës në 23 raste një sipërfaqe totale prej 8207 m2 (në total), në shumën totale prej 18,468,003 lekë, etj.
Në të gjitha rastet me Vendimet e Kryetarit të KLSH, janë rekomanduar dëmshpërblimi i parcelave ndërtimore të okupuara me çmimin e tregut që për shkak të përmasave dhe konfiguracionit nuk mund të përdoren për ndërtime të tjera ose për qëllime publike.
Për periudhën nga Qershori i vitit 2014 e në vijimësi në auditimet e ushtruar nga KLSH, është konstatuar se kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore dërgohet zyrtarisht për miratim nga Këshilli i Ministrave, pasi janë lëshuar Lejet e Legalizimit. Leja e Legalizimit dërgohet edhe në Zyrat Vendore të Regjistrimit Pasurive Paluajtshme për regjistrimet e ndërtesave pa marrëdhënie me truallin, duke krijuar një hapësirë kohore të pa nevojshme dhe një procedurë të përsëritur për qytetarët dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të pa luajtshme.
Në legjislacionin e legalizimit për periudhën para Qershor 2014 lëshimi i lejes së legalizimit kushtëzohej pasi paguheshin më parë pagesat e Taksës Vendore “Për ndikimin në infrastrukturë” si dhe pagesa e parcelës ndërtimore sipas kontratës së kalimit të pronësisë lidhur midis poseduesit të parcelës ndërtimore dhe Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t si përfaqësues i shtetit llogaritur nga Drejtoritë e ALUIZNI-t në rrethe.
Në auditimin që KLSH, ka kryer në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t Qarku Lezhë, Tirana 2 dhe Qarkut Korçë është konstatuar se në zbatimit të procedurave të legalizimit të objekteve/shtesave anësore dhe në lartësi pa leje, ka rezultuar se pasi kanë lëshuar lejet e legalizimit, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, kanë dërguar pranë Njësive të Vëtëqeverisjes Vendore vetëm shkresën me të dhënat për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë më parë konfirmimin e kryerjes së kësaj pagese, duke ju referuar VKM-së nr. 860, datë 10.12.2014 “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”. Taksat vendore të ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, duhet të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga NJQV. Për zbatimin e kësaj pike, Drejtoritë e ALUIZNI-t, duhet të vënë në dispozicion të NJQV, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi.
Në këto kushte dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e ndërtimit informal, përfshin vërtetimin për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha rastet, kur subjekti nuk përjashtohet nga pagesa e taksës sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi, por kjo ka sjellë një paqartësi kompetencash në të drejtën ligjore se kush duhet ta mbledhë këtë të ardhur. Por anashkalimi i kësaj takse ka sjellë mos arkëtimin nga Bashkitë dhe mos përfitimin e kësaj takse për ta kthyer në shërbime ndaj publikut. Vetëm Bashkia Kamëz ka mbledhur 100 % këtë taksë dhe e ka kthyer në shërbime publike, kryesisht për infrastrukturën e zonës së tij, ndërsa në bashkitë tjera kjo taksë jo vetëm nuk mblidhet, por për paaftësi menaxheriale ajo nuk njihet dhe presin vetëm nga ALUIZNI, ndërkohë që Njësitë e Vetëqeverisjes vendore duhet ta mbledhin vetë atë dhe ta kthejnë në të mira publike.
Konkretisht në auditimet e ushtruara është konstatuar se megjithëse të dhënat për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë janë dërguar nga 6 muaj e deri në 1 vit më parë në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore nuk janë arkëtuar të ardhurat nga kjo taksë përkatësisht: në Drejtorinë Rajonale e ALUIZNI-t Qarku Lezhë në të gjitha rastet në kualifikimin e objekteve informale, megjithëse ALUIZNI ka dërguar pranë Njësive Vendore të Qarkut Lezhë shkresat për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, nuk ka asnjë konfirmim mbi pagesën e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për dalje me vendim kualifikim; nga auditimi i ushtruar në ALUIZNI Tirana nr. 2, në 1660 raste në kualifikimin e objekteve informale, ALUIZNI ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin vendor në vlerën 32,385,690 lekë, ( 89,376,641 lekë total për gjithë objektet që mbulon Bashkia Tiranë), ndërsa në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI Qarku Korçë, në 375 raste në kualifikimin e objekteve informale, ALUIZNI ka dërguar pranë Bashkive vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin vendor në vlerën 38,506,651 lekë.
Në vlerësimin maksimal, të këtij problemi u mor iniciativa nga KLSH për rekomandime për përmirësimin ligjor, pra është kërkuar që të bëhen përmirësime kryesisht në ndryshimin e përcaktimeve të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006,“Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar për: a- Për zbatimin e kësaj pike, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore të dhënat e ndërtimeve që do të pajisen me leje legalizimi, b- Në momentin e lëshimit të lejes së legalizimit të administrohet në dosjen e objektit informal vërtetimi mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Ky propozim për përmirësim ligjor është një domosdoshmëri, pasi konsiston ne rregullimin e situatës financiare të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore dhe arkëtimin në kohë reale të të ardhurave nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë, për një dobishmëri sa më të madhe në shërbim të publikut, duke përmbushur detyrën e KLSH, për të qenë shërbestarë të një qeverisje të mirë dhe për rritjen e efektivitetit të përdorimit të parasë publike në mirëqenien e komunitetit.
*Auditues të lartë, KLSH