Liria dhe flamuri, kryefjalë të shenjta të popullit shqiptar

Nga Safet Ramolli/Kur vjen Nëntori, krejt natyrshëm çdo shqiptari i shkon mendja tek 28 Nëntori i vitit 1912, kur Plaku i urtë Ismail Qemali me mëmëdhetarë të tjerë, shpalli në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë. Me këtë akt të zgjuar diplomatik, por edhe të lartë patriotik e burrëror, ata konkretizuan ndjenjën e fuqishme të lirisë, e cila e ushqyer me gjak, ka hedhur rrënjë të thella në zemrën e popullit shqiptar. Ai gjithherë lirinë e ka çmuar, e ka vlerësuar dhe e ka mbrojtur si gjënë më të shenjtë. Filozofë, krijues dhe personalitete vendas e të huaj, këtë cilësi të lartë morale e kanë evidentuar dhe e kanë theksuar në kohë dhe vende të ndryshme. Që në lashtësi filozofi grek Demosteni, përveç të tjerash shprehet: “…Përsa i përket ilirëve, për ta është e kënaqshme të jenë të pavarur e të lirë se sa të nënshtruar…”. Por dihet fare mirë se ilirët janë paraardhësit tanë, të cilët me trimërinë dhe guximin e tyre, u kanë dhënë nder e lavdi, për rrjedhojë edhe shenjtëri këtyre trojeve, duke përballuar me përkushtim hordhitë barbare të ardhura nga lindja a nga perëndimi, nga jugu apo veriu. Mandej, pasardhësit e tyre u qëndruan ballas të gjitha furtunave që polli e krijoi historia, duke na vënë për fatin tonë të keq, edhe midis fqinjësh shovenë e të pabesë. Nuk e ndanë stërgjyshat tanë shpatën nga kënga; trimërinë nga dituria; luftën nga puna; vdekjen nga jeta; gëzimin nga hidhërimi …Por me shpatë mbi kokë u kënduan të rënëve; me krismat e pushkëve ushqyen trimërinë, me lotin e dhembshëm rritën shpresën e mirë, me gurin e strallit ndezën zjarrin e lirisë, nën dritën e pishës mprehën armët e bardha, me bajonetën e armëve mprehën lapsin e dijes … E kështu, përjetësisht nga pushkët lindën këngët; nga këngët u shtuan krismat; nga pushkët e këngët u ushqyen formacionet e luftëtarëve të lirisë…

Nderi dhe krenaria kombëtare, thirrja e të rënëve për Atdhe e liri, ka shërbyer përgjatë gjithë rrjedhës së historisë së shqiptarit, si një kushtrim i zjarrtë … Kështu, Gjergj Elez Alia, “… që nëntë vjet, nëntë varre në shtat m’i ka …”, i thirrur nga detyra ndaj Atdheut dhe nga nderi i familjes, si një hero mitik, përleshet me Bajlozin e Zi, i ardhur ky nga përtej deti si pushtues e dhunues, dhe e mposht atë. Si ky Gjergj ngrihet i gjithë populli sa herë që e ka kërkuar nderi i kombit, dhe ka luftuar për idealin kombëtar i udhëhequr nga Bardhyli, Teuta, Genci, Pirroja…Më pranë në histori, në shekullin XV, populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut, për 25 vjet i bëri ballë ushtrisë turke, më e madhja e kohës, duke i dhënë liri dhe lavdi vendit të tyre, por edhe duke shpëtuar krishterimin europian. Gjithsesi, të gjithë ata që kanë luftuar për trojet arbërore, kanë shkruar historinë me gjak e lavdi …

Duke qenë Flamuri i tillë, pra me përmbajtje të lashtë, të thellë dhe të madhërishme sa edhe vetë kombi, Ai ka edhe një “HYMN”, fjalët, tingujt dhe solemniteti i të cilit, janë një thirrje e magjishme për çdo shqiptar. Nga fjalët dhe vargjet e kësaj Vjershe-Hymn, ai që e ndien se është Shqiptar, preket atje ku burojnë mendimet e ndjenjat; mobilizohet atje ku fillojnë veprimet; vepron praktikisht me mjetet që konkretizojnë ndjenjat e mendimet, duke iu dukur vdekja, “..si me le …”, sikurse shprehet më se një herë personaliteti me vlerë të padiskutueshme i letrave shqip, Gjergj Fishta. Hymni i Flamurit shpreh qëndrimin ideoemocional të popullit ndaj simbolit më sinjifikativ të tij, simbolit të përbashkët dhe gjithëpërfshirës, i cili ka shërbyer dhe mbetet faktor uniteti, bashkimi, mobilizimi dhe veprimtarie të gjallë, të të gjithë anëtarëve të komunitetit shqiptar. Në çështjen e përbashkët për ruajtjen e interesave të larta të kombit, shqiptarët kanë gjetur forca, “ … të lidhin besën për shpëtim …”, të damkosin me njollën më të errët të turpit ata, që i qëndrojnë larg apo të papërkushtuar çështjes kombëtare, duke i deklaruar e denoncuar ata: “ … të lindur tradhëtorë …’’. Po ashtu i kanë bërë thirrje dhe kanë evitencuar praktikisht cilësinë morale mbarëshqiptare, Burrërinë, e cila vjen nga thellësia e shekujve dhe është gatuar e veshur me akte heroizmi të pashoqe deri në vetëmohim, si kompensim i fjalës së dhënë dhe i besës së lidhur para Flamurit Kombëtar. Himni i Flamurit është një akt i lartë dhe i shenjtë, sepse ka të bëjë me fjalën e dhënë dhe besën e lidhur nga “… buri i Shqipërisë …’’, para shenjës më të lartë të kombit. Ky akt për shqiptarët ka qënë dhe mbetet një çështje nderi, krenarie dhe dinjiteti. Nga qëndrimi ndaj këtij akti është vlerësuar edhe vetë shpirti patriotik e atdhedashës i shqiptarit. Në bazë të këtij akti të lartë moral, shqiptari e ka ndjerë dhe e ndjen si detyrim të shenjtë, çështjen e shërbimit ndaj Atdheut me përkushtim deri në sakrificën sublime.

Por “Hymni i Flamurit” është edhe fjala e dhënë përpara Gjykatësit më të lartë, përpara Gjykatësit të gjykatësve, përpara ZOTIT, i cili nga ana e vet, duhet pranuar me bindshmëri, se për hir të atdhetarizmit të poetit i ndezur prush, Shqipërinë e veçon nga një e keqe e madhe, sikurse është shpërbërja e kombit, kur shprehet edhe “… po Shqipëria do të rrojë …’’, sepse për atë luftojnë nga më i madhi deri tek më i vogli. 28 Nëntori magjishëm i ka ardhur si i shenjtë dy herë Shqipërisë: më 1443 dhe 1912. Në të dy rastet është luftuar për një Flamur dhe nën një Flamur: e kuqe fusha, e zezë shqiponja me dy krerë. Në të dy rastet ky Flamur është mbuluar me lavdi, ashtu sikurse është shenjtëruar me gjakun e martirëve. Në të dy rastet është inspiruar për një Shqipëri në Ballkan dhe në Evropë, dhe për të ecur në krah dhe bashkë me fqinjët. Por, po kaq  i magjishëm ka ardhur edhe 29 Nëntori i vitit 1944. Pas një beteje legjendare të bijve dhe bijave më të mira të popullit tonë me bishën nazifashiste për gati 5 vjet, në Shqipëri u ngrit i lirë Flamuri Kombëtar. Populli shqiptar është krenar sepse, edhe në këtë kohë (7 Prill 1939-29 Nëntor 1044 S.R u luftua me dinjitet dhe vendosmëri për Atdhe dhe popull, për liri e prosperitet. Në të tre këto periudha të historisë së kombit, bijtë dhe bijat e tij, të cilët e ndjenin përgjegjësinë përpara Atdheut, luftuan me heroizëm të pashoq. Në të tre këta Nëntor, magjishëm ka prirë një Flamur, është luftuar për një Flamur, dhe është fituar me një Flamur: Flamuri Kombëtar Shqiptar, simbol i lartë dhe i shenjtë.

Por Flamuri Kombëtar Shqiptar, nderohet dhe respektohet si i shenjtë, si simbol nderi dhe krenarie të lartë, kudo ku jetojnë shqiptarë, sepse ata, atdheun e të parëve, por edhe të tyren dhe të pasardhësve që do të vijnë ndër shekuj, e kanë të shtrenjtë, të dashur dhe të çmuar. Është kjo arsyeja që ata ndër shtëpitë e tyre mes gjërave më të çmuara ruajnë dhe shpalosin edhe Flamurin Kombëtar Shqiptar. Ja pse Liria dhe Flamuri Kombëtar janë kryefjala e shenjtë e popullit tonë!!! Ja pse ato i kujtojmë veçanërisht në 28-29 Nëntorin e Flamurit Kombëtar: ditën e Ngritjes së Flamurit në Krujë, të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, dhe Ditës së Çlirimit nga pushtuesit !!!

SHKARKO APP