Liria e shtypit në Shqipëri për vitin 2016

 Ka pak shpresë se gjendja mund të përmirësohet, për sa kohë që BE-ja nuk ua bën të qartë vendeve të Ballkanit se mediat e lira dhe të pavarura janë kusht për perspektivën e anëtarësimit në BE…

Nga Mentor Hoxha

Në Raportin e BE-së për Shqipërinë, Liria e Shtypit dhe e Shprehjes paraqitet shqetësuese. Ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha në Forumin e Media-s të organizuar më 22.11.2016 nga Prezenca e OSBE në Tiranë se “Raporti i këtij viti i Komisionit Evropian vinte në dukje se “Kapitulli për Lirinë e Shprehjes ishte një ndër kapitujt e paktë ku nuk është vënë re progres nga viti i kaluar. Vitin e kaluar asnjë progres nuk është bërë për lirinë e medias dhe kjo nuk është gjë e mirë”. BE kërkoi në raportin e tij vjetor për Shqipërinë në fund të 2015 më shumë pavarësi për radiotelevizionet publike dhe një zbatim më të mirë të ligjeve të lirisë së shtypit”. Sipas “Human Rights Watch”, qeveritë e përdorin shpërndarjen e buxheteve të reklamave shtetërore për të kufizuar raportimin kritik. E ngarkuara e OSBE-së për lirinë e mediave, Mijatoviç, – tha në maj të vitit 2015 se “politikanët dhe pronarët e bizneseve duhet të ndalojnë manipulimin e mediave dhe institucioneve si, “AMA”, dhe t’i lënë gazetarët dhe profesionistët ta bëjnë në mënyrë profesionale dhe në mënyrë të pavarur punën e tyre, në përfitim të publikut shqiptar”. Në raportin për lirinë e shtypit për vitin 2015 të organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Reporterët pa kufi” të publikuar më 20.04.2016, Shqipëria renditet me media “pjesërisht të lirë”. Drejtori ekzekutiv i saj, Christian Mihr, gjatë një interviste në “DW”, – thotë se “Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërhyrje politike e jo transparencë në pronësi mediatike. Kushtetuta garanton lirinë e shtypit, por shumë kompani radiotelevizive janë në pronësi të sipërmarrësve me shumë ndikim, të cilët përcaktojnë një linjë të qartë politike. Këtë shqetësim e shprehu më 10 nëntor 2016 edhe Federata Europiane e Gazetarëve duke cituar pushimin nga puna të drejtoreshës së lajmeve në “A1 News”, Alida Tota, përshkak të një investigimi, si dhe dështimin e qëllimshëm të seancës dëgjimore të saj në Komisionin Parlamentar të Media-as nga mazhoranca. “Komisioni i BE-së shprehet rregullisht i shqetësuar për gjendjen e lirisë së mediave në Ballkanin Perëndimor, por sipas organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Human Rights Ëatch” kritikat nuk formulohen qartë dhe janë të përgjithshme”. Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Johan Ndisi, në artikullin me titull “50-vjetori i lirisë së shtypit të Suedisë”, të botuar tek gazeta “Mapo” (2 dhjetor 2016), ndër të tjera shkruan: “Sipas Amnesty International”, të paktën 113 shtete e kanë kufizuar në mënyrë arbitrare lirinë e të shprehurit dhe të shtypit në vitet e fundit. Shumë shoqëri po bëhen më pak të hapura dhe liria e shtypit më e kufizuar. Fatkeqësisht, një gjë e tillë është e vërtetë edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mungesa e progresit në fushën e lirisë së shtypit ka vazhduar dhe në disa raste edhe është përkeqësuar. Pengesat përfshijnë ndikimin e padrejtë politik, mungesën e transparencës në financimin e medias dhe kanosjen e gazetarëve”. Gazeta “East Journal”, një rrjet kushtuar çështjeve të Ballkanit dhe Lindjes në artikullin e saj me titull “Albania: La Liberta Di Stampa E In Pericolo? (“Shqipëria, liria e medias është në rrezik?”, 7 dhjetor, 2016) citon “Reporterë pa kufij” që e renditin Shqipërinë me media “pjesërisht të lirë”, si dhe raportin e fundit të Komisionit Europian që nënvizon se nuk është shënuar asnjë progres vitet e fundit. “Reporters Uithout Borders” dhe “Freedom House”, thonë se shumë media në Shqipëri i nënshtrohen influencave të vazhdueshme politike dhe ekonomike. Në një hetim të vitit 2015 nga “Balkan Investigative Reporting Netëork” (BIRN), 85% e gazetarëve të intervistuar pranojnë se të paktën një herë gjatë karrierës së tyre kanë hequr dorë nga një lajm pasi mund të dëmtonte lidhjet e punës. “East Journal” përfundon shkrimin duke thënë se hetimi i “BIRN” tregon se si autocensura po kthehet në një faktor kulturor në Shqipëri”. Në Raportin Vjetor mbi Ballkanin të “Human Rights Ëatch” të publikuar më 03.12.2016, gazetarët përshkruhen si armiq të shtetit në Ballkanin Perëndimor. “Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, mbretëron një klimë armiqësore ndaj gazetarëve. Por as qeveritë e këtyre vendeve dhe as BE nuk ndërmorën hapa konkretë kundër kësaj gjendjeje”.

Viti 2016 ka qenë një vit i vështirë për gazetarët kritikë dhe investigativë që kanë zbuluar afera korruptive. U pushua nga detyra e kryeredaktorit një gazetar i njohur dhe një drejtoreshë lajmesh për shkak se dolën nga linja editoriale. Ka patur gazetarë të ofenduar, të shoqëruar në polici, të rrahur brutalisht apo të kërcënuar me jetë. U tentua të miratohet në Kuvend neni 13 i Projektligjit në paketën e Reformës në Drejtësi  (gusht 2016) dhe neni 13 i Projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” që rikthenin censurën në media dhe parashikonin burg për gazetarët që “mund të ushtrojnë influencë ndaj prokurorëve për çështje të caktuara”. Pas protestave të shumta të shoqatave të gazetarëve dhe të opozitës, Maxhoranca e qeverisë u tërhoq nga miratimi i këtyre neneve, por jo nga lufta verbale me mediat. Bashkkryetari i Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, futi këto ditë në Kodin Zgjedhor, nenin 10, një nen mjaft i diskutueshëm. Me këtë nen, PS, partia në pushtet, kërkon që portalet online që nuk janë të regjistruara në Shqipëri, gjatë fushatës zgjedhore në qershor të 2017-ës të mbyllen ose të regjistrohen. Kjo tentativë e qeverisë është kundërshtuar nga portalet dhe mediat online të njohura për opozitarizmin ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë, si “Lapsi.al”, “Syri net”, “Hashtag”, “360 gradë”, “City news”, “BoldNeës”, “Veritas” etj. Gjatë një interviste në “Opinion” të Blendi Fevziut, kryeministri Rama, i quajti mediat “plehra” dhe “një kërcënim të madh për shoqërinë”. Sulmi i kryeministrit ndaj mediave të “kazanit” siç i quan ai mediat që nuk i pëlqejnë u përsërit edhe gjatë një takimi që pati më 20 dhjetor 2016 me pensionistët. Këto dëshmojnë qartë se viti 2017 do të jetë akoma më i vështirë për mediat dhe gazetarët kritikë dhe investigativë, pasi janë edhe zgjedhjet parlamentare. “Në një kohë kur në Ballkanin Perëndimor nevojitet urgjentisht gazetaria e pavarur, ajo ndodhet me shpinë pas murit”, -kritikon ekspertja përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor në “Human Rights Watch”, Lydia Gall. Ajo ka pak shpresë se gjendja mund të përmirësohet, për sa kohë që BE-ja nuk ua bën të qartë vendeve të Ballkanit se mediat e lira dhe të pavarura janë kusht për perspektivën e anëtarësimit në BE. “Në kuadrin e realpolitikës pragmatike disa përfaqësues të BE-së duket se i mbyllin të dy sytë”, -shkruan gazetarja nga Beogradi dhe themeluesja e rrjetit gazetaresk “BIRN”, Gordana Igric.

SHKARKO APP