Lojërat e fatit 40 milionë euro në vit detyrime ndaj shtetit

Për të zbardhur prapaskenat e kërkesës për shtyrjen e ligjit dhe impaktin që do të ketë në ekonomi zbatimi i tij në rast se nuk pranohet kërkesa e deputetëve një panel ekspetësh të ftuar mbremjen e djeshme në emisionin “Të bësh ekonomi” kanë shpjeguar kushtet në të cilat zhvillohet kjo industri mjaft fitimprurëse. Deri tani buxheti i shtetit arkëton nga bizneset e lojrave të fatit 40 milionë euro.

Në lidhje me funksionin e kësaj industrie u fokusuan debatet gjatë emisionit. Masat që janë marrë deri tani për rregullimin e tregut nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Gazetari Artan Hoxha u shpreH se nga aksioni “Fundi i marrëzisë” u penalizuan kompanitë e vogla, u forcua monopoli, u deklaruan punonjësit që ishin në të zezë. “Aksioni fundi i marrëzisë la të njëjtët operator në treg për kazinotë dhe lojrat elektronike.

Gjatë operacionit pati një interes të madh, por ku jemi sot, a janë zvogluar pikat e basteve? Jo, janë shtuar madje janë dyfishuar”- tha Hoxha. Ndërkohë përfaqësuesi i bizneseve të lojrave të fatit pohoi se ligji i ri që pritet të zbatohet ka disa përcaktime, siç është ajo e distancës, që nuk i shërbejnë rregullimit të tregut.

“Përcatkimi i distancës 100 m në vijë ajrore nuk është rregullator për tregun. Ka kushte të tjera që janë të zbatueshme siç është ndalimi i hyrjes në baste për moshat nën 21 vjeç, apo i personave që familja ka bërë kërkesë që të mos lejohen në këto pika.”- tha përfaqësuesi i shoqatës së basteve sportive, Artan Shyti.

Ligji i ri parashikon masa të forta shtrënguese janë parashikuar edhe në planin financiar dhe për kushtet për pajisjen me licencë dhe rinovimin e lejes. Sipas ligjit të ri janë rritur detyrimet për organizatorët e basteve sportive, të cilët duhet të paguajnë tatim për lojërat e fatit, 25% mbi fitimin për çdo lojë.

Ndërsa organizatori i lojërave për kazino elektronike duhet të paguajë tatim mujor mbi lojërat e fatit 4% mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve. Vlera e tatimit s’mund të jetë më e vogël se 400 mijë lekë dhe rritet progresivisht deri në 100 milionë lekë.

Organizatori duhet t’u kthejë lojtarëve, në formën e fitimit, jo më pak se 80% të shumës së vënë në lojë. E njëjta logjikë është përdorur edhe për bingot dhe Lotarinë Kombëtare. Por duket se këto masa shtrënguese do të kërkojnë edhe dy vite të tjera kohë për t’u realizuar.

Pak ditë më parë, gjashtë deputetë të mazhorancës që qeveriset nga Edi Rama kanë kërkuar shtyrjen e afatit për zbatimin e ligjit edhe me 2 vite të tjera, deri në fund të vitit 2018.

Ata i janë drejtuar me një kërkesë Kuvendit për shtyrjen e afatit, me argumentin se, nëse ligji zbatohet, përfshirë afatin, do nxisë informalitet dhe evazion, e theksohet fakti se zbatimi i tij do të ketë pasoja sociale për 1.800 të punësuarit në industri. Ndërkohë që, përfaqësues të lojërave të fatit pranojnë se 11% e popullsisë, pra më shumë se 250 mijë shqiptarë, luajnë në këto lojëra.
/BW

SHKARKO APP