Marrëdhëniet me Kinën dhe nisma 16 plus 1

Serbia ka përfituar dhe është përfshirë nga ndërtimi i rrugës së mëndafshit,  hekurudhën e shpejtësisë madhe Beograd-Budapest 1, 5 miljard euro, por dhe nga projekti i inaguruar më 18 dhjetor 2014 i urës Pupin mbi Danub që lidh dy zona në Serbi e cila ka kushtuar 170 miljon euro, gjithashtu është financuar me një vlerë 600 miljon euro ndërtimi i centralit në Kostalac me kapacitet prej 350 megavat.

Nga Sadedin Çeliku

Nuk ka si ndodh ndryshe.  Republika e Kinës tashmë është shteti më i fuqishëm ekonomik dhe natyrshëm ajo renditet e dyta në Botë. Rritja ekonomike atje ka qenë dinamike, e qëndrueshme dhe përmanente. Kur të gjitha vendet u përfshinë nga kriza ekonomike-financiare, Kina jo vetëm që s’u prek nga kriza, por ishte i vetmi vend përfitues i asaj krize. Nuk gabojmë të themi se Republika e Kinës është shndërruar në një superfuqi ekonomike botërore si kurrë ndonjëherë më parë.

Të gjitha vendet e globit duke njohur këtë realitet, po përpiqen të përfitojnë nga investimet kineze dhe në mënyrë të veçantë vendet e europës qendrore dhe lindore.  Kriza e eurozonës dhe problemet ekonomike në Ballkan mund të perceptohen si arsye për rritjen e interesit të shteteve të Europës qendrore e lindore në zhvillimin e bashkëpunimin e tyre me Kinën, e cila për shkak se ka sufiçit të madh miliardash kërkon më shumë hapësira në Europë. Kina, problemet gjeopolitike e gjeostrategjike i shikon të lidhura ngushtë me ekspansionin ekonomik, pra politikat globaliste zënë vend të rëndësishëm për ta dhe nga ana tjetër ajo po i hap një dritë jeshile 16 vendeve që janë të interesuara për zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Sigurisht që kjo histori bashkëpunimi ekonomik do të realizohet në bazë të interesave të ndërsjellta,  madje bashkëpunimi Kinë – CEEC ( 16+1) është në përputhje të plotë me marrëdhëniet Kinë-Bashkimi Europian e cila riafirmon angazhimin e tyre për të thelluar më tej partneritetin e tyre për paqë, stabilitet, reforma e zhvillim ekonomik.  Për të përvijuar këtë bashkëpunim, janë organizuar disa takime të nivelit lartë si në Bukuresht, Varshavë, Pekin, Beograd dhe së fundi në Riga, ku bie në sy pjeëmarrja e kryeministrit kinez dhe kryeministrat e 16 vendeve që përfshin ky projekt. Për këtë qëllim në prill 2012 është krijuar enkas agjencia e investimeve kineze.  Përmes këtij programi Kina inkurajon rritjen e koordinimit dhe bashkëpunimit me vendet e Europës qendrore e lindore për çështjet rajonale e ndërkombëtare, kjo sidomos në fushat si klima,  ekonomia,  mjedisi,  energjia,  transporti,  infrastruktura,  dhe siguria etj.

Po Shqipëria a ka përfituar nga ky projekt dhe nga investimet kineze apo ka dilema e probleme të tjera që nuk bëhen me dije ? Dua të bëj me dije se rruga e mëndafshit e cila do të sjellë rrjetet rrugore e hekurudhore nga Kina deri në Europë, përfundimisht nuk do të kalojë nga Shqipëria por nga vëndet e rajonit sepse jemi treguar shumë pasiv në këtë sipërmarrje. Po kështu vërejmë një apati dhe javashllëk në marrdhëniet me Kinën. Kjo ka bërë të humbasim besimin dhe përfituesit de facto të jenë vëndet e tjera të rajonit.

Shqipëria dhe qeveria e saj ende nuk ka projekte afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, të qarta, e të besueshme për investitorët strategjikë. Por mesa duket s’ka dhe vullnet. Shikoni mesa seriozitet e vlerësim e ndjekin vëndet e tjera dhe çfarë kanë përfituar Beogradi, Shkupi, Bukureshti, Varshava, Kroacia, Maqedonija, Bosnjë & Hetzegovina dhe vëndet e tjera.

Serbia ka përfituar dhe është përfshirë nga ndërtimi i rrugës së mëndafshit,  hekurudhën e shpejtësisë madhe Beograd-Budapest 1, 5 miljard euro, por dhe nga projekti i inaguruar më 18 dhjetor 2014 i urës Pupin mbi Danub që lidh dy zona në Serbi e cila ka kushtuar 170 miljon euro, gjithashtu është financuar me një vlerë 600 miljon euro ndërtimi i centralit në Kostalac me kapacitet prej 350 megavat.

Me Malin e Zi pritet të financohet projekti i autostradës Bar-Boljare, 164 km e llogaritur të shkojë rreth dy miljard euro ndërsa në Maqedoni po ndërtohen dy autostrada me vlerë rreth 600 miljon euro. Po kështu aktualisht po punohet me intensitet të madh për ndërtimin e hekurudhës nga Vrashava në Kinë me një vlerë maramëmndëse miljardash. Edhe Bosnja& Hetzegovina nuk mbetet prapa. Atje po ndërtohet termocentrali termik me vlerë 350 miljon euro dhe me një kapacitet të admirueshëm.  Në Rumani po ndërtohen dy reaktorë shtesë të cilat do rrisin kapacitetet energjetike me 20 %. Ky projekt mendohet të shkojë 7 miljard euro. Por,  qeveria rumune po negocion aktualisht dhe për një numër të madh projektesh të tjera.

Aktualisht pala Serbe po negocion për një projekt gjigand,  ndërtimin e një kanali lundrues nga Beogradi në Selanik të Greqisë e cila do të ketë një kosto prej miljardash dollarë. Pra përfundimisht Serbia do të sigurojë më së fundi një dalje në detin Egje të cilën se ka patur më parë, ndërkohë që hapet dhe një koridor i rëndësishëm për eksportet kineze. Ndërsa qeveria kroate ka negociuar me palën kineze për ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë madhe Rijeka-Budapest, me gjatësi 300 kilometra. Kostoja e këtij projekti do të jetë 2, 5 miljard dollarë.  Gjithashtu bëhet me dije se është rënë dakort dhe për ndërhyrjen në terminalin e kontainerëve në portin e Rijekës me vlerë një miljard dollarë të tjera. Ky investim së bashku me Pireun, Selanikun, Beogradin dhe Budapestin, bëhet në kuadrin e programit e cila është quajtur “ një brez, një rrugë “ ku parashikohen të investohen gjithsej 1, 8 trilion dollarë nga ku do të përfitojnë rreth 40 shtete të Botës.

Nga ana jonë u bënë disa përpjekje të dëshpëruara për tu dhënë rrugën e Arbërit por të gjithë e dimë mirë se ai investim nuk riciklohet për pak vite sepse lëvizjet parashikohen të jetë të kufizuara dhe studimi i fiziblitetit nuk duket se është real.  Qeveria shqiptare ka gabuar ose nuk e kupton mirë se kush duhet të quhet partner strategjik. Deri tani me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kemi patur investime nga investitorë strategjikë. Strategjik ju themi të gjithëve sepse mendojmë se bëjmë politikë të mënçur. Kështu ju themi Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Turqisë,  Italisë, Greqisë, Gjermanisë pse jo dhe vëndeve që kemi marrdhënie simbolike.

Kjo është një arsye më shumë që ekonomia jonë ka patur rritje të papërfillshme e cila nuk i ka dhënë shtysë problemeve të shumta që ka vëndi dhe populli shqiptar.  Kjo,  është pikërisht arsyeja e braktisjes së vëndit nga rinia, e emigracionit masiv dhe e rrudhjes së moshës së aftë për punë. Lidhur me çështjet ekonomike dhe plagët e mëdha sociale që kemi krijuar deri tani,  na ka mbajtur gjallë politika,  politikanët,  gënjeshtra, mashtrimi,  dhe kësisoj në se vazhdohet kështu pasojat do të jenë fatale për të gjithë ne,  përfshirë dhe brezat e ardhëshëm.

 Reformat që po bën qeveria nuk mbajnë parasysh rritjen e prodhimit, punësimin reduktimin e plagëve sociale dhe as efektivitetin aq i rëndësishëm për gjëndjen që kalon sot populli shqiptar. Pa dyshim që i njohin vështirësitë, momentet dhe treguesit makroekonomikë me të cilën e mori pushtetin, por po vërejmë disa gabime elementare dhe retorikat e mburrjet me dhe pa vënd e dëmtojnë proçesin.  Kur flasim dhe shkruajmë kështu pa dashje na rrjeshtojnë në rradhët e opozitës ose na quajnë keqdashës, armiq e kudi unë çfarë tjetër. Të bësh një tender një nga pikat kryesore është të kesh eksperianca të mëparshme, pra të jesh marrë me atë zanat e aktivitet më parë. A më thotë kush çfarë eksperiancash ka firma që merret me chuck up që merret me tregëtinë e cigareve dhe me kioskat e marketet ? çfarë eksperiencash kanë firmat që konçensionuan rrugën e kombit ? ato me dializën apo të tjerë që mendohen të merren me laboratorët mjekësorë,  ? Kështu do ta mbrojmë shëndetin e njerzëve ? Po portin e Karpenit që po përvijohet të jepet me konçension kujt do ti besohet ? Unë nuk dua të merrem me teknikën profesionale se porte kemi boll aq sa 50 % e kapaciteteve përpunuese janë të pa shfrytëzuara dhe nuk na duhet port tjetër.  Mbetet për tu parë çfarë mallrash do përpunohen dhe kush,  se që ta kemi të qartë aeroportet bëhen për tu ulur-ngritur avionë, portet për të përpunuar anijet tregëtare, rrugët për kamjonë,  autovetura,  ciklomotorë e njërëz. Pra asgjë nuk bëhet kot pa i menduar mirë se ndryshe dështon sipërmarrja dhe njëherësh dhe ekonomia.

A nuk ka vënd për ti besuar më shumë Republikës së Kinës e cila ka portenciale të mëdha tekniko-ekonomike për fabrika, uzina,  porte, aeroporte, hekurudha, vepra madhështore arti, me potenciale financiare e gjithëçka tjetër. Duhet të jemi të sinqertë për atë që jemi në gjëndje të bëjmë. Kemi 7 vjet që nuk bëjmë dot as 30 km rrugë (Tiranë-Elbasan) nuk përfundojmë dot lotet e papërfunduara të rrugës kombit, nuk bëjmë dot rrugën Korçë-Qafplloçë-Pogradec dhe as akse të tjera mjaft të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Duam, s’duam ky është realiteti që kemi.

A ka vënd të përdorim me rentabilitet fondet publike në sektorë të tjerë dhe veprat e mëdha strategjike t’ia besojmë Kinës ? Sigurisht që ka,  por më parë duhet të bëhemi serioz, të bëjmë politikë të mënçur, të fitojmë besimin e tyre dhe të flasim me ta sinqerisht. Kjo është më e pakta që duhet ta bëjë qeveria, jo vetëm me Kinën por dhe me partnerë të tjerë. Nisma e qeverisë partneritet publik+privat nuk ka gjasa ti rezistojë kohës sepse nuk i jep asnjë shtysë ekonomisë, as shëndetit publik përveçse krijon disa plagë që si kemi patur kurrë më parë.

Këto dhe të tjera probleme që lidhen me investimet kapitale,  fjalën e parë dhe të fundit do duhet ta japin ekspertët dhe institucionet studimore dhe jo njerëzit që s’kanë haber nga ato punë.

Nuk është vonë të reflektojmë, të bëjmë me kujdes rivlerësimin e nevojave për investime strategjike të riciklueshme, të jemi serioz në marrdhëniet me partnerët e rëndësishëm dhe ti hapim rrugë zhvillimit ekonomik që aq shumë e dëshirojmë të gjithë,  ndryshe koha nuk pret sepse ajo kalon shpejt dhe bashkë me të dhe brezat të cilët ende besojnë tek ne.

SHKARKO APP