Mbështetja financiare e BE për auditimin e jashtëm në Shqipëri

Nga Alma Shehu/Me pranimin e kandidaturës së Shqipërisë nga BE si vend kandidat në vitin 2014, aspiratat e shqiptarëve dhe Shqipërisë për tu bërë pjesë e familjes së madhe evropiane janë tashmë më të prekshme se kurrë. Marrja e statusit të vendit kandidat për në BE e ngarkon qeverinë shqiptare dhe institucionet e pavarura me përgjegjësinë që në bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane të punojnë për përafrimin e legjislacionit vendas dhe të veprimtarisë së tyre me standardet dhe rregullat e BE. Kjo nënkupton çeljen e negociatave për 35 kapituj të acquis communautaire.  Në kapitullin 32 “Kontrolli financiar” përfshihet edhe veprimtaria e KLSH-së, si Institucioni i Auditimit të jashtëm publik në Shqipëri. Është evidente se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në shumë fusha falë dhe ndihmës financiare që Bashkimi Evropian i ka ofruar Shqipërisë, që prej hyrjes në fuqi në prill të vitit 2007 të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Prej vitit 2007 Shqipëria ka përfituar prej Instrumentit të Para Aderimit (IPA), që mbështet vendet kandidate dhe para-kandidate të përfshira në Procesin e Stabilizim-Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE). Ky instrument i unifikuar financiar pasoi programin CARDS dhe një sërë instrumentesh ekzistuese dhe është i organizuar në 5 komponentë. Ky proces ndihmon vendin duke e përgatitur për të përfituar fondet europiane dhe mbas anëtarësimit. IPA I fokusohet në zbatimin e prioriteteve kryesore të partneritetit evropian dhe në mënyrë të veçantë ajo përfshin investime dhe masa që synojnë ndër të tjera ngritjen e kapaciteteve të institucioneve. Prej vitit 2007-2013 në Shqipëri janë implementuar dhe po vazhdojnë të implementohen rreth 101 projekte të financuara nga fondet IPA.

Në këtë kuadër edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit është përfitues i një fondi prej 2.1 milion euro i cili synon ngritjen e kapaciteteve të auditimit të jashtëm në Shqipëri. Ky projekt binjakëzimi ka filluar të implementohet prej marsit të vitit 2016 në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kroacisë. Objektivat kryesore të këtij projekti janë: implementimi i kornizës legjislative për auditimin; zhvillimi i metodologjive të auditimit dhe kapaciteteve audituese, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të KLSH-së dhe përmirësimi i impaktit  të rezultateve të auditimit. Projekti i binjakëzimit, i cili do të implementohet në KLSH për një periudhë dy vjeçare parashikon kryerjen e 92 misioneve të ndara në: 8 misione që synojnë përmbushjen e objektivit të parë, 59 misione që synojnë përmbushjen e objektivit të dytë dhe 25 misione për përmbushjen e objektivit të 3.

Një bazë shumë të rëndësishme për përmbushjen e objektivit të parë përbën ligji i ri Kontrollit të Lartë të Shtetit, miratuar në 24 nëntor 2014, i cili u hartua me mbështetjen dhe përkrahjen e DG Budget, SIGMA-s dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ligj i cili është në përputhje të plotë me standardet e INTOSAI-t dhe me praktikat më të mira të BE.

Në këtë kuadër, prej marsit 2016, në 5 misionet e realizuara deri në fund të muajit nëntor ekspertët polakë kanë punuar ngushtë me kolegët e KLSH për hartimin e akteve nën-ligjore lidhur me implementimin e ligjit të ri të KLSH. KLSH po vijon të ndjekë praktikën e mirë për prezantimin e ndryshimeve ligjore dhe atë të bashkëpunimit me prokurorinë për hetimin e rasteve të mashtrimit dhe korrupsionit. Duhet theksuar se numri i kallëzimeve penale të bëra nga KLSH për periudhën janar – shtator 2016 është 39 me 137 persona te kallëzuar penalisht, të cilët janë drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë.

Zhvillimi i metodologjive të auditimit dhe kapaciteteve audituese, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të KLSH-së është objektivi i cili lidhet me punën konkrete audituese që prej planifikimit vjetor të institucionit për auditimin e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, shoqërive në të cilat shteti ka mbi 50 % të aksioneve dhe auditimin e investimeve dhe projekteve me fondet e huaja; planifikimin konkret për çdo subjekt duke u bazuar në analizën e riskut; zhvillimin e auditimit bazuar në metodologjitë e veçanta për auditimet e përputhshmërisë, auditimet financiare dhe auditimet e performancës; hartimin e projekt raportit, trajtimin e observacioneve dhe hartimin e raportit përfundimtar.  Në periudhën mars – nëntor 2016, në 20 misionet e zhvilluara, ekspertët polakë dhe kroatë në bashkëpunim me departamentet përkatëse në KLSH, ndër të tjera kanë punuar për rishikimin e  përditësimin e manualit të auditimit të performancës, hartimin e manualit të auditimeve IT, hartimin e metodologjive për kontrollin dhe sigurimin e cilësisë, hartimin dhe paraqitjen e një qasje bazuar në risk në planifikimin strategjik për auditimet e përputhshmërisë dhe ato financiare.

Duhet theksuar se në bashkëpunim me ekspertët, nga KLSH po punohet për rishikimin e Manualit të Auditimit të Performancës, për krijimin e një Help Desk-u për auditimet IT dhe për planin vjetor të auditimit, për të cilin, departamentet e auditimit në KLSH kanë punuar sipas matricës së propozuar nga ekspertët polakë. Duke qenë se pjesë e përmbushjes së objektivit të dytë është dhe rritja e kapaciteteve institucionale, drejtues dhe auditues të KLSH janë përfshirë në trajnimet për auditimet e performancës, trajnimet për luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit, trajnimet për modulet e auditimeve IT, në të cilat numri i pjesëmarrësve ka qenë rreth 80 punonjës. Përmirësimi i impaktit të rezultateve të auditimit lidhet ngushtë me planifikimet në menaxhim, rekrutimin e burimeve njerëzore, komunikimin e brendshëm dhe përdorimin efecient të kanaleve të jashtme për publikimin e rezultateve të auditimit.

Gjatë periudhës mars – nëntor 2016 departamentet dhe drejtoritë e ndryshme të KLSH kanë punuar së bashku me ekspertët për identifikimin e mangësive në këto fusha, me qëllim përmirësimin e tyre. Komunikimi i rezultateve të auditimit tek Parlamenti dhe tek publiku është një nga detyrat thelbësore të Institucioneve Supreme të Auditimit pasi i shërben informimit mbi përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të fondeve publike. Misionet e zhvilluara për këtë çështje synojnë shqyrtimin e politikave aktuale për komunikimin, përcaktimin e objektivave, detyrave dhe mjeteve për strategjinë e komunikimit.

Zbatimi aktual i projektit IPA për ngritjen e kapaciteteve audituese të KLSH evidenton faktin se tashmë, që prej vitit 2012, ky institucion po ecën drejt modernizimit dhe zhvillimit sipas standardeve më të mira të vendeve më të përparuara të Bashkimit Europian. KLSH po përfiton nga eksperiencat e ekspertëve polakë dhe kroatë, të cilat do të reflektohen në përmirësimin e cilësisë në auditim dhe në rritjen e profesionalizmit të audituesve të KLSH-së, duke përmirësuar në këtë mënyrë impaktin e punës së tij në publik, në përfitim të së mirës së përbashkët, përmirësimin e qeverisjes në Shqipëri.

SHKARKO APP