Më pranë real politikës

Nga Jorgji Kote/Vizita e trefishtë 29 -orëshe e Presidentit amerikan Donald Trump në Bruksel u prit me interes të jashtëzakonshëm. Edhe si vizita e parë, por kryesisht sepse Belgjika, BE dhe NATO u sulmuan ashpër gjatë fushatës së tij presidenciale. Vetëm se më 24 Maj Presidenti Trump zbriti në Bruksel me pozita të dobësuara ndjeshëm, si brenda dhe jashtë vendit, çka diktuan dhe qëndrimet e nevojshme prej tij. 4 muajt e tij të parë në krye të  Shtëpisë së Bardhë janë trazuar rëndë nga kundërshti dhe tallaze politike qw pas pwrshkallwzimit tw dyshimeve mbi rrethin e tij të ngushtë për lidhje me rusët rrezikon të kthehet në ciklon politik dhe juridik me pasoja serioze për Presidencën e tij. Kurse në Evropë, prirja BREXIT për shpërbërjen e BE-së nuk vijoi, siç parashikoi Trump ; populistët dhe ekstremi i djathtë humbën  ndjeshëm në Austri/Holandë dhe tani së fundi edhe në Francë. Kurse në Gjermani fitorja e sigurt e Merkelit ose social-demokratëve në zgjedhjet e reja të shtatorit u ka hequr atyre çdo shans. Vizita në Bruksel përfshiu takimet miqësore me çiftin  mbretëror, drejtuesit më të lartë të qeverisë dhe diplomacisë belge, vizitat e Zonjës së Parë në pika historike dhe kulturore, etj. E panë se Brukseli, i cilësuar prej tij si «rathole» në fakt është «Brussels, the place to be» d.m.th themelues i BE-së dhe NATO-s, vend demokratik i tolerancës dhe kompromisit, aleat i besueshëm në luftën kundër terrorizmit.

Edhe me më shumë interes u përcollën takimet e tij me drejtuesit më të lartë të BE-së dhe me Presidentin e ri francez Makron.

Megjithë përbashkësitë në disa pika, në marrëdhëniet SHBA – BE ka një mori problemesh dhe divergjencash me karakter politik, parimor dhe vizioni, duke filluar nga qëndrimet ndaj Rusisë e deri te tregtia e lirë, proteksionizmi tregtar, multilaterizmi, klima  etj. Ndaj kurrsesi nuk mund të pritej me shumë  nga ky takim i parë. Por pozitive ishte se të dyja palët shprehën gatishmërinë për vijimin e dialogut në forma të ndryshme, kurse Trump, i detyruar dhe nga rrethanat e lartpërmendura të disfavorshme për të u tregua i përmbajtur dhe i moderuar.

Pa hyrë në detaje, shqetësues mbetet vizioni i Trump mbi BE-në, thjesht si grupim shtetesh ose ndërqeveritar. Mbi këtë bazë ai ka deri tani ka qenë në favor të bisedimeve veç e veç me vendet anëtare, duke lënë mënjanë karakterin supranacional të BE-së të përfaqësuar kryesisht nga Komisioni Evropian, etj. Gjithsesi, sidomos pas kësaj vizite, duke iu afruar dhe më shumë realpolitikës, besohet se Administrata e lartë amerikane do ta kuptojë se është në interesin strategjik të vetë SHBA-ve që të ketë një BE të fortë jo thjesht me numra, as vetëm për interesa ekonomike dhe tregtare dypalëshe; por siç e theksoi gjatë takimit Donald Tusk, një Europë me bashkësi të fuqishme vlerash dhe parimesh.

Aspekt tjetër pozitiv i kësaj vizite ishte tërheqja e Trump nga deklarimet e tij të mëparshme për NATON, si një aleancë jashtë kohe ose “obsolete” me rastin e inaugurimit të godinës së re moderne të saj. Vetë se kjo tërheqje nuk ishte e plotë dhe publike. Në fjalimin e tij të shumëpritur Trump nuk konfirmoi publikisht mbështetjen politike për NATON. As nuk iu referua Nenit 5 të saj që detyron vendet etjera antare të kundërpërgjigjen kur sulmohet një vend tjetër anëtar. Në fakt, ai kritikoi ashpër dhe pa zhargonin e duhur diplomatik, sidomos për një rast të tillë solemn 23 vende anëtare që nuk kanë realizuar kuotën prej 2 për qind të GDP- për NATON.

Natyrisht që Trump ka të drejtë në parim dhe ky problem njihet mirë me shkaqet dhe arsyet e tij bindëse. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, natyrshëm vendet anëtare shtuan shpenzimet për arsimin, shëndetësinë, mjedisin, etj. Vetë Gjermania u angazhua në ribashkimin e vendit që i kushtoi 5 për qind të GDP-së vjetore.

Në vitin 2006 NATO vendosi kuotën 2 për qind, por, pas vitit 2007 Evropa u trondit nga kriza e paparë financiare, duke bërë të pamundur realizimin e këtij vendimi. Në vijim, Samiti i Wellshit në vitin 2014  vendosi që ky objektiv të realizohet shkallë -shkallë deri në vitin 2024. Por fill pas tij lindën problemet me luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krizën e azilit, që çuan në shtimin e ndjeshëm të shpenzimeve përkatëse.

Ndërkohë, buxhetet e vendeve anëtare u janë nënshtruar kritereve të rrepta të kontrollit nga FMN-ja dhe BE-ja, në një kohë kur dhe kërkesat sociale e për siguri  janë shtuar së tepërmi. Belgjika, p.sh, gjatë 5 viteve të fundit ka shkurtuar fonde në shumën prej 25 miliard Euro!

Ndaj kjo kritikë e tepruar sidomos për momentin por që i vlen në SHBA nuk gjeti jehonë dhe përkrahje nga homologët e tij, duke e kaluar pothuajse me heshtje.

Gjithsesi, këtu  është vendi të theksojmë ndihmesën e jashtëzakonshme të SHBA-se si kudo dhe në sponsorizimin e NATOS. Pa kontributin dhe mbështetjen e saj, jo vetëm NATO pordhe organizma të tjera të rëndësishme nuk do të kishin mbijetuar. Vetëm se përvoja tregon qartë se shpenzimet amerikane  për NATO-n që janë sa 64 për qind e buxhetit të kësaj të fundit  ia vlen dhe se nuk janë asgjë krahasuar me shpenzimet në rastin e një konflikti ose lufte qoftë dhe rajonale.

SHËNIM

Duke filluar nga sot, në këtë rubrikë të përjavshme do të botohen shkrime të shkurtra mbi ngjarjet më të rëndësishme diplomatike të ditës shkurt, me gjuhë të qartë e të kuptueshme për këdo. Autori i tyre, Dr. Jorgji Kote, është diplomat karriere me përvojë 40 vjeçare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në 20 vitet e fundit, ai ka qenë diplomat në Ministrinë e Jashtme, Këshilltar dhe Ministër Këshilltar në Përfaqësinë tonë në  Berlin dhe dy herë në Bruksel deri në daljen e tij në pension 2 muaj më parë. Është autor i dhjetëra shkrimeve dhe i disa librave me këtë temë, si«Berlini pa Mure» (2009) “ Diplomacia për të gjithë» (2014) dhe «True Stories from Red Albania » (2016).                

SHKARKO APP