Më shumë respekt e mirënjohje për figurën e mësuesit

Nga Fran Gjoka/Dikur mësuesi ishte një person me shumë autoritet në shoqëri, ishte një figurë e nderuar dhe e respektuar nga mbarë opinioni publik, por sidomos nga masa e rinisë, prindërit dhe nga nxënësit e shkollës. Ndodhte kjo, pasi ai quhej misionar i kulturës dhe diturisë, personi që përhapte dije dhe kulturë në mbarë vendin, Këtë mision mësuesit e kanë përfunduar me sukses në kohë të ndryshme, duke punuar gjithmonë me përkushtim për të realizuar me sukses detyrat dhe misionin e tyre fisnik. Po nëse respektohej nga shoqëria në të kaluarën, mësuesi nuk vlerësohej nga shteti, sepse veç punës mësimore, përgatitjes ditore, aktivitetit me nxënësit, mësuesi i duhej shtetit në fuqi për të përçuar vijën politike të partisë-shtet. Në këtë pikëpamje, mësuesi qe një shërbëtor i sistemit në fuqi, dinjiteti i tij qe i nëpërkëmbur, pasi emërohej, shkarkohej dhe madje edhe kontrollohej nga njerëz inkopetentë pushtetarë dhe partiakë të asaj kohe .
Unë si mësues i vjetër dhe me përvojë e kujtoj mjaft mirë atë kohë të vështirë, kur mësuesi, pasi kishte ecur disa orë rrugë në këmbë, kryente gjashtë orë mësim, shkonte në brigadë ose kolektiv punonjësish për të referuar një temë politike ose sociale pa asnjë lloj vlere, përgatiste dhe zhvillonte format e edukimit në parti dhe kthehej në shtëpi i sfilitur për të kryer përgatitjen e ditarit për të nesërmen. Ndërsa për detyrime shoqërore apo familjare nuk diskutohej fare dhe as që mendonte njeri se mësuesi i gjorë kishte detyrime të tilla, siç kanë të gjithë njerëzit në shoqëri.
Më e keqja është se edhe sot po ndodh pikërisht kështu. Figura e mësuesit sot jo që nuk vlerësohet, por për më tepër duket se urrehet. Mësuesit sot i duhet të përballojë një stres të jashtëzakonshëm, që i vjen nga të gjitha anët. Ai është objekt kritikash nga shoqëria, ministria, Drejtoritë Rajonale, ZA, Drejtoritë e shkollave, dhe bashkitë, prindërit, madje edhe nga vetë nxënësit, të cilët tani e përçmojnë hapur mësuesin. Asnjë shoqatë, asnjë institucion, asnjë ligj nuk kemi deri tani që të mbrojë dinjitetin e këtij intelektuali të mjerë. Kush hyn dhe del në shkollë, kërcënon vetëm mësuesin, e kërcënon drejtori me pushim dhe ndëshkim financiar, e kërcënon inspektori, kontrolluesi, i bën presion psikologjik prindi pse nuk ka vlerësuar nxënësin, madje dhe nxënësit si pa të keq e kundërshtojnë,e kërcënojnë dhe debatojnë me mësuesin e gjorë, sepse nuk u pëlqen kultura, mësimi dhe edukata që mësuesi u sugjeron atyre në forma të ndryshme. Dhe përsëri heshtja vazhdon. Hesht shteti, hesht shoqëria, hesht drejtoria, hesht prindi, por nuk hesht nxënësi, i cili nuk pyet fare se shkolla është vendi ku mësohet dhe edukohet njeriu, por bën ç’të dojë, madje edhe në orën e mësimit. Ndodh kjo, sepse nuk kemi ligje për të ndëshkuar fajtorët pra, nxënësit që bëjnë veprime antipedagogjike, antishoqërore, ndërsa mësuesin një gabim të vogël po të bëjë e “kap” ligji. Nxënësit sot shkojnë në shkollë për t’u dëfryer, sepse shumica prej tyre nuk mësojnë, nuk lexojnë fare, nuk e dëgjojnë mësuesin, nuk aktivizohen në mësim apo në diskutime mësimore, nuk shkruajnë detyrat që u rekomandon mësuesi, ata janë të prirur pas zhurmës, pas anomalisë, përdorimit të telefonit në procesin mësimor, lojërave dhe diskutimeve të pavlera, largohen pa leje për në pabe, ku konsumojnë alkool, duhan, në mos përdorin edhe lëndë narkotike, stimulojnë grindje etj. Shpesh, në këto aktivitete të prapta, ata ndihmohen edhe nga familja dhe shoqëria. E ç’mund të bëjë mësuesi në kushte të tilla? Ai është totalisht i paaftë të veprojë, sepse nuk ka në dorë një rregullore, udhëzim apo ligj që në këto raste të ndëshkohen fajtorët. Në shkollat e mesme dhe të larta ky problem është i zgjidhur, megjithëse pak masa merren, po problemi qëndron tek arsimi parauniversitar, ku nuk mund të marrësh asnjë masë disiplinore. Në këto kushte, gjendja është e vështirë të ndryshojë.
Probleme të tilla ka kudo në vendin tonë dhe për çudi as shoqëria jonë nuk e ngre zërin kundër këtyre fenomeneve negative dhe as institucionet shtetërore nuk marrin masa për të parandaluar këto dukuri. Është totalisht e dhimbshme të shohësh një brez të ri që nuk përgatitet për jetën sot kur është momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë, të shohësh një mësues, intelektual, pjesëtar i kësaj shoqërie të civilizuar në këtë gjendje shoqërore, psikologjike dhe ekonomike, siç është katandisur kjo figurë e nderuar e shoqërisë sonë, vërtetë është e dhimbshme.
Më thonë se profesioni i mësuesit është bërë tepër i bezdisshëm për shumë arsye, sidomos për mësuesit me klasa kolektive në arsimin parauniversitar, të cilët detyrohen të bëjnë 12 orë mësimi dhe të përgatisin edhe 12 orë përgatitje ditore në ditë, një punë e mundimshme për vendosjen e së cilës mbi baza metodike dhe pedagogjike nuk mendon askush. Nga ana tjetër, mësuesi detyrohet të hartojë plane, të përgatisë tema shkencore dhe sociale, të hartojë projekte ekstra, të redaktojë tekstet shkollore, të hartojë skenare për aktivitete të ndryshme, të plotësojë relacione informative, të përgatisë informacione për prindërit, të ndjekë kurse të detyrueshme dhe të blejë kredite profesionale me paratë e rrogës së tij të vogël. Besoj, nga sa thashë më sipër, nuk mund të gjesh institucion më të ngarkuar dhe më të vështirë dhe për më tepër as reforma nuk po i  prek këto çështje, megjithëse thuhet se mësuesi do të shkarkohet nga çështjet burokratike, megjithatë po tregohet e kundërta. Për këtë arsye, sot sheh mësues të lodhur, të stresuar, të dërrmuar, për të cilët askush nuk po interesohet.
Këtë vit shkollor u miratua udhëzimi për të mos përdorur celularin gjatë kohës së punës në shkollë dhe u bë shumë mirë. Po nëse nuk duhet të përdorë mësuesi për asnjë lloj arsye telefonin, sepse për të mund të merret edhe masë ekstreme, si do të veprohet me nxënësit, sidomos në arsimin parauniversitar, që e përdorin masivisht, madje edhe brenda orës së mësimit dhe mësuesi nuk ka asnjë bazë ligjore për të marrë masa ndaj këtij fenomeni shumë të përhapur në shkollat tona. Mendoj se ashtu siç mund të ndëshkohet mësuesi, duhet të merren masa edhe ndaj nxënësit, pasi ai është një mjet që dëmton rëndë normalitetin e orës së mësimit.
Si pjesë e kësaj shoqërie, edhe mësuesit meritojnë vëmendje më të madhe jo vetëm në përmirësimin e pozitës sociale dhe shoqërore, por edhe në trajtimin ekonomik. Kam shumë shokë dhe miq mësues dhe të gjithë ankohen, të gjithë kanë marrë kredi nëpër banka të ndryshme për të jetuar, sepse mësuesit tanë nuk janë mësuar me salltanete, por vetëm me punë, me vështirësi.  Akoma në shoqërinë tonë shqiptare nuk u vu re një ecuri në vazhdim të reformave të nisura nga njëra forcë politike tek tjetra, sipas rotacionit politik, por po ndodh ajo më e keqja që secila forcë politike që vjen në pushtet prish dhe shkatërron arritjet e forcës tjetër dhe fillon nga fillimi gjë që dëmton jashtëzakonisht shumë vendin dhe arsimin, për të cilin po flasim. Niset reforma arsimore që prej 25 vjetësh demokraci dhe gjithmonë mësuesi mbetet “fajtori”, ai kthehet në një robot apo instrument i “lojës”, me të cilin luan politika, pa i dhënë forcë aftësive të tyre dhe shkon fyerja deri aty sa bëhet testim kombëtar, sikur reformat të kishin ngecur vetëm tek faktori mësues, duke mos marrë fare parasysh vitet e tyre plot sakrifica, lodhjen, mundimin, “lojrat” e politikës dhe dëmet që u ka sjellë ajo atyre, vihet të testohet si mësuesi që dje mbaroi shkollën dhe mësuesi që ka kaluar të tre kualifikimet dhe që sot i ka flokët e bardhë dhe është në prag të pensionit. Unë mendoj që testimi duhet të bëhet vetëm për një moshë të caktuar, siç janë ata që kanë 5 – 10 vjet punë në arsim. Gjithashtu unë ngulmoj që mësuesit të gjithë pa përjashtim duhet të testohen vetëm për përdorimin e gjuhës së folur dhe të shkruar letrare.
I ngrita këta probleme me qëllim që reforma arsimore që është nisur dhe po vazhdon, t’i ketë parasysh, pse jo, mund të propozohet edhe një ligj që rregullon marrëdhëniet e ndërsjellta prindër-mësues-nxënës, ku fajtori të ndëshkohet, ndryshe anomalitë nuk mund të eliminohen dhe puna mësimore dhe edukative në shkollat tona do të jetë e mangët. Kërkohet të merren masa edhe në trajtimin financiar të mësuesve, përshtatjen e kushteve të rrugëtimit dhe mësimit në parametra optimale, vlerësimin e punës dhe përpjekjeve të tyre me stimuj moralë dhe materialë që puna të kryhet në nivelin e duhur. Nuk është e mjaftueshme të flasim vetëm dy herë në vit për ta në rang institucional, vetëm në shtator, kur fillon viti i ri shkollor dhe me 7 Mars, ku i mbushim me lëvdata dhe fjalë të mira, po të marrim masa që të ndryshojmë jetën e tyre me qëllim që kjo shtresë e shoqërisë sonë të jetë në nivelin e detyrave që shtron sot koha. Në këto kushte, nëse nuk ndryshohet shpejt pozita e tij shoqërore, problemet në shkollat tona mund të përshkallëzohen dhe gjendja të përkeqësohet akoma më shumë.

SHKARKO APP