Na plasi trampi!

Nga Alfred Lela /Blendi Fevziu u rrëfente të ftuarve të ‘Opinion’, në një nga pushimet e mespjesëve, mbrëmjen e së enjtes, se e kish patur të vështirë të formonte një panel për temën e asaj nate. Ata që kundërshtonin idenë e Trumpit si President i Amerikës, tashmë, pasi ai kish fituar, gjenin ‘arsye’ për t’iu shmangur studiove. Për të mos qenë aq klintonianë sa më parë. Se interesit nuk i kishte lezet.

Këta janë një palë krushq.

Të dytët janë ‘trampistët e vërtetë’, të cilët e çonin jetën e tyre në kahun e kundërt. Ata ishin të druajtur deri të martën në mesnatë dhe triumfatorë të mërkurën në mëngjes. Trumpi i deri së martës ishte pak i çuditshëm edhe për shijet e tyre: shumë gjestikulacione, shumë fryrje, shumë mujshari, shumë skandale të së shkuarës, e më shumë batuta të së tashmes se sa qartësi idesh. Nuk ishin fare të sigurt se do të fitonte, edhe pse, thellë-thellë do të donin. Në një farë mënyre, kur Trump shante meksikanët, ishte duke i bërë jehonë sentimentit të tyre lokal për tropojanët ‘e padurueshëm’ apo tepelenasit që i zëvendësojnë; kur linçonte gratë ishte duke ‘shtypur’ të gjitha gratë që s’ua kishin varur apo ‘dhënë’ trampistëve tanë; kur fliste për ngritjen e një muri izolacionist, në sytë e nostalgjisë u shfaqej Enveri ‘i dashur’ që e mbylli Shqipërinë me gardh dhe paranojë.

Trump u ligjëronte trumpistëve tanë me terma të familjares; i fuste në territore të dëshirës dhe frustrimit; u krijonte një ekuilibër të ri; i jepte forcën dhe fuqinë e Trump Tower pezmit të tyre që në ditë të grisë së zakonshme derdhej te x, 1,2 i skedinës së një loje që luhej gjithmonë për fitimet e dikujt tjetër.

Te këta krushq të shkrirë të së mërkurës në mëngjes e mbrapa, mund të fusësh edhe ata që u bënë me Trumpin ngaqë Kryeministri Rama doli kundër tij. Pozicionimi i Ramës ishte një protagonizëm i kërkuar, që e vendosi më vonë në një pozicion të parehatshëm. A nuk mjaftonte kaq? Me sa duket jo. Kundërshtarët politikë imagjinonin një ndeshje keçi Rama-Trump ku amerikani e zgërlaqte shqiptarin dhe i merrte pushtetin duke ia dhënë beniaminit të tyre.

Ajo që vlen për autorin e këtyre radhëve, i cili voton dhe mundi të zgjidhte mes Trumpit dhe Clinton-it, ishin rrafshi ideologjik dhe ai strategjik i kandidatëve. Asnjë prej kolumnistëve të rëndësishëm, që mbrojnë idetë e së djathtës republikane nuk rreshtoheshin me Trumpin dhe idetë e tij. Që nga më brilanti mes tyre George F. Will, e me radhë. Kjo zgjidhte dilemën e parë. E dyta ishte një bast më i lehtë, duke e ditur qëndrimin proshqiptar të Hillary dhe Bill Clinton. Nuk do të ndryshonte asgjë në këtë kuptim. Paranoja me Soros apo gargarat e çegevarave me Facebook, që ligjërojnë majtas e thonë se janë djathtas, nuk janë argumente për zgjedhje amerikane.

Dilema shndërrohet në: ky Trumpi i panjohur, kur të vijë në pushtet, do të nxjerrë Amerikën dhe botën nga status quo-ja, apo do të prishë ekuilibrat. Në një botë të pasigurt si kjo postmodernja ata pak ekuilibra të mbetur janë të shenjtë.

Trump diti, megjithatë, të jetë po aq mahnitës në tri ditët e tij si President i zgjedhur sa ç’ishte edhe gjatë fushatës. Pikërisht duke përmbysur retorikën e vet. Kur dëgjoje fjalimin e fitores të dukej se ishte teksti i Hillary Clinton: plot me harmoni fetare, racore e gjinore. Në takimin me Presidentin Obama të enjten ai e kish futur veten brenda një kornize presidenciale, ku nuk munguan fjalët e mira për paraardhësin si ‘burrë i shkëlqyer’ etj. Në telefonatat me kryeministrat e Koresë së Jugut dhe Japonisë ai dha siguri se asgjë nuk do të ndryshonte në partneritetin ushtarak me këto vende, krejt ndryshe nga deklaratat e fushatës.

Kështu që kandidati republikan i dha fund rolit të prestidigjitatorit të fushatës për t’u bërë Presidenti Trump. Në fjalët e Hillary Clinton ‘i detyrohemi atij një mendje të hapur’, ndërsa në ato të Presidentit Obama ‘suksesi i tij është edhe i Amerikës’.

Ata amerikanë që votuan për të, gjysma e votuesve, mund të zhgënjehen nëse ai nuk qeveris sipas retorikës së fushatës. Por do të gëzohet gjysma tjetër. Dy gjysmat shqiptare i ndajnë motive të tjera.

Nëse Presidenti i zgjedhur amerikan ruan ekuilibrin e deritashëm të politikës së jashtme të Washington-it, të partneritetit strategjik me shqiptarët, dhe nëse ai qeveris si Republikan, dhe jo si i çmerituri i fushatës, për të tjerat…

Kujt i plasi trampi! MAPO

SHKARKO APP