Ndërtimi i rrugës “Tiranë-Elbasan” dhe problematikat e konstatuara nga auditi i KLSH

Nga Artan Topjana*/Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të ligjit i cili përfshin edhe auditimin e projekteve me financime të huaja, ndër të tjera ka përfshirë në planet e auditimit dhe ka auditur projekte të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. KLSH në zbatim të programit vjetor për vitin 2016, auditoi zbatimin e projektit “Ndërtimit i rrugës Tiranë-Elbasan” për periudhën e zbatimit nga data 30.06.2014 deri më datë 30.06.2016, nga ku rezultuan një sërë shkeljesh dhe mangësish. Për periudhën nga fillimi i punime, ky projekt është audituar në vitin 2014, auditim i cili ka evidentuar po ashtu shkelje dhe mangësi, kryesisht në zbatimin e kontratave të punimeve civile. Segmenti  rrugor Tiranë-Elbasan është parashikuar të ndërtohet me 4 korsi me një gjurmë të re, me gjerësi 28.2 m, karrexhatë dyfishe dhe e destinuar për trafik të lirë.

Objektivi kryesor i Projektit është sigurimi i një rrjedhe të pandërprerë të trafikut, uljes së kostos operative të qarkullimit të automjeteve, uljen e aksidenteve rrugore, kursimi i kohës së udhëtimit dhe realizimi i rritjes ekonomike në zonën e projektit. Gjithashtu projekti do të zvogëlojë kohën e udhëtimit midis dy qyteteve dhe numrin e aksidenteve, si dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik. Ndërtimi i rrugës është ndarë në tre segmente konkretisht segmenti 1 “Sauk-Tuneli i Krrabës”, segmenti 2 “Ndërtimi i tunelit të Krrabës” dhe segmenti 3 “Tunel i Krrabës-Elbasan”.

Tuneli i Krrabës ka përfunduar në muajin mars të vitit 2013, segmenti 3 “Tunel i Krrabës-Elbasan” në muajin gusht të vitit 2015, ndërsa për segmentin 1 “Sauk-Tunel i Krrabës”, punimet nuk kanë përfunduar akoma. Arsyet kryesore për mos përfundimin në afat të segmentit nr. 1, kanë të bëjnë kryesisht me ndryshime të shumta të projektit origjinal, por edhe me probleme rrëshqitje të skarpateve kryesisht në zonën e Ibës. Ndryshimet e projektit të zbatimit kanë afektuar një gjatësi të konsiderueshme të këtij segmenti rrugor por më thelbësoret janë ato që kanë të bëjnë me zonën e Mulletit dhe rrëshqitjet për zonën e Ibës.

Ky segment rrugor duhet të dorëzohej në muajin gusht të vitit 2013, por edhe pas kalimit të një periudhë të konsiderueshme nuk është bërë i mundur përfundimi i tij, për arsye të problematikës së mësipërme, por edhe për angazhim të dobët të kontraktorit në realizimin e punimeve. Për dy vitet e fundit janë realizuar punime në masën 20 % të totalit të punimeve të parashikuara, ndërkohë që periudha korresponduese për përfundimin e kontratës (rreth 16 muaj) është 150 %. Mos përfundimi në afat i këtij segmenti sjell mos realizimin e objektivave të parashikuara të projektit, mos vënie në eficiencë në periudhën e caktuar si dhe mos ulje të shpenzimeve të parashikuara për qarkullimin e automjeteve. Parashikohet që 85 % e punimeve të këtij segmenti rrugor të përfundojë në fund të vitit dhe pjesa e mbetur në fund të marsit 2017. Nuk është vetëm ky faktor negativ që ka shoqëruar ndërtimin e këtij segmenti dhe Projektit në tërësi. Është ana ekonomike, ose thënë thjesht kostoja e ndërtimit të tij, e cila është rritur ndjeshëm nga parashikimet duke rënduar buxhetin e shtetit me vlera të konsiderueshme.

Gjatë këtij auditimi, KLSH ka konstatuar shkelje dhe parregullsi në zbatimin e kontratave të punimeve civile, kryesisht për segmentin e parë Sauk-Tunel i Krrabës, në rishikimin e projektit për Kodrën e Mulletit dhe zonën e Ibës, për të cilat janë miratuar ndryshime duke rritur ndjeshëm vlerën e punimeve dhe të kontratës në tërësi. Punimeve që po realizohen në Kodrën e Mulletit sipas propozimit të kontraktorit kanë rezultuar difektoze. Edhe pse këto punime kanë filluar të zbatohen sipas propozimit të vetë kontraktorit, veprim i cili sipas modelit të këtyre kontratave është i lejueshëm në rastet kur pa ndryshuar objektivat e përcaktuara realizohet me kosto më të ulët se projekti origjinal, punimet janë ndërprerë, është kërkuar ndryshim tjetër i projektit, por në këtë rast me rritje të konsiderueshme të fondeve për përfundimin e punimeve. Miratimi i këtij ndryshimi nuk është shoqëruar me zbritjen e vlerave siç parashikon kontrata për këtë rast, por me rritje çmimi, madje pa zbritur punimet që janë shkatërruar si pasojë e ndryshimit të pjerrësisë së skarpateve, ulje të tabanit të rrugës etj., duke rritur vlerën e kontratës me 1.6 milionë USD. KLSH ka rekomanduar dëmshpërblimin, duke kërkuar që kjo vlerë të zbritet nga pagesat e kontraktorit.

Në kundërshtim me përcaktimet e kontratës, njësia e zbatimit të projektit ka likuiduar dy pagesa për shpenzime të konsideruara të realizuara në periudha të mëparshme, që kanë të bëjnë me furnizim vendosje shenja trafiku të përkohshme, përbërës rrugorë dhe sinjalistikë horizontale të përkohshme, për rritjen e sigurisë rrugore gjatë procesit të inaugurimit të segmentit 1 dhe marrjes në dorëzim të segmentit 3. Për këtë qëllim, KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit me vlerë 316 mijë USD, duke e zbritur vlerën përkatëse nga pagesat e kontraktorit.

Gjatë zbatimit të kontratës, kontraktori nuk i është përmbajtur përcaktimit të kontratës sa i takon sasive të punimeve që realizon si dhe respektimit të specifikimeve teknike. Është konstatuar shmangie e përcaktimeve të mësipërme me vlerë rreth 493 mijë USD, vlerë e cila është rekomanduar për t’u zbritur nga pagesat e kontraktorit.

Pavarësisht shkeljeve të mësipërme, në ndryshimet e projektit dhe preventivave, në kundërshtim me përcaktimet kontraktore është përfshirë vlera rreth 4 milionë USD, e cila i përket vetëm kodrës së Mulletit dhe Rrëshqitjes së Ibës. Në këtë vlerë përfshihet shtesë transporti, studim gjeoteknik dhe pagesë për realizimin e projektit të zbatimit. Nga verifikimet në zonën e zbatimit të kontratës rezulton se dherat që dalin nga gërmimi hidhen anash rrugës, pra duke mos shpenzuar për transportimin e tyre. Gjithsesi, edhe në rastin e largimit të dherave në venddepozitime që duhet të miratoheshin, pa krijuar probleme mjedisore, shpenzimet për transportin e tyre ishin të parashikuara në çmimin e kontratës. Krahas vlerës së parashikuar për transport në kundërshtim me kontratën, hedhja e dherave në këto zona, ka krijuar probleme të konsiderueshme mjedisore, të cilat janë ngritur herë pas here edhe nga mediat dhe shoqatat mjedisore. KLSH për këtë qëllim ka rekomanduar zbritjen nga preventivat të vlerave si më sipër, si dhe marrjen e masave të menjëhershme për rehabilitimin e mjedisit.

Deri në këtë fazë, për segmentin 1 që përfshin punimet nga Sauku deri në Tunelin e Krrabës, vlera e kontratës është rritur me rreth 26.5 milionë USD dhe pritet të rritet, sepse akoma nuk janë realizuar zgjidhjet për zonat me rrëshqitje nga kilometër 12 deri 14, që përfshin zonën afër tunelit. Për zbatimin e këtij segmenti rrugor dhe rrugës në tërësi KLSH ka rekomanduar masat përkatëse për minimizimin e kostos, përshpejtimin e punimeve dhe rehabilitimin e mjedisit. Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara nga ky auditim, janë rekomanduar masa disiplinore si dhe është bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për Drejtorin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit.

 *Auditues, KLSH

SHKARKO APP