Ninullat e reja

Fejton nga Thoma Goga/Kronikani i ri kishte rënë në hall. Shefi i kishte dhënë si detyrë të gjente variantet e ninullave të reja. Dhe mbase kishte të drejtë. Kemi nja 600 e ca vjet me ca nina-nana qe s’të zë as gjumi. Na janë mbushur librat dhe antologjitë me ninulla të tipit:

Nina-nana more bir,/Të bëhesh si degë e lisit,/T’i ngjash Bajos e Çerçizit.

Ose ajo e zakonshmja:

“Nina-nana, burri dheut,/Se të pret Skënderbeu…/”

E thënë dhe e shkruar kështu, i bie që vogëlushi të rritet shpejt si “ujqërit e dëborës” se e pret “Skëndërbeu” i Korçës… Dhe kronikanin e mbërtheu një dhimbje koke. Ku t’i gjente këto të shkreta ninullat e reja? Në çast i shkoi mendja tek parku Rinia. Aty nën hijen e pemëve nënat apo gjyshet e reja nxjerrin fëmijët. Aty, duke kënduar i ushqejnë, aty fëmijët flenë. Iu afrua njërës që e kishte marrë shtruar- shtruar. Duket i këndonte vogëlushit në karrocë.

“Nina – nana, o lolo,/Topemadhi nënës-o…”./

Kronikani u bë dhe kureshtar. Ndaj si me terezi u afrua dhe e pyeti nënoken e re.

– Më fal, nëno, ç’kuptim ka vargu i dytë? Do ta bësh topçi?…

Dhe nënokja e re, si shfreu thellë, pa asnjë rezervë i tregoi “sekretin” e vargut të dytë.

– Eh, mor bir. Ka lindur i rritur… Kishim qejf edhe ne si të gjithë gjyshërit t’i thoshim: “Të hënksha rrushin, ta puth pak rrushin”, po ç’e do…

– Po mirë, puthjani, ç’të keqe ka?

– U, u të keqen nëna, se të kam si çunin tim. Ato që ne i themi “rrush” janë bërë si patate. “Dega e rrushit” i ngjan kastravecit.. .

Kronikani iku duke vënë buzën në gaz. Nga ana tjetër shfrynte inatin se nuk po gjente ninullat e reja. Pak më tej një tjetër gjyshe. Edhe ajo i këndonte me zërin e saj të ëmbël:

“Fli e rritu vogëlush/Që të rritet ai rrush…”

Kronikani shkoi te shatërvani dhe hodhi ca ujë mbi kokë…E po,si s’na u ndanë këta “rrushat”! Edhe unë që po shkruaj këto rreshta, “fap” ma bëri truri. Më erdhi në mend një çift pensionistësh që kisha gjiton. Një ditë të bukur pranvere kishin dalë në ballkon e ushqenin nipin. Edhe unë në ballkonin tim po pija kafenë e mbasdites. Duke qenë ballkonet të ndara me një kompesatë,

vetëm të zëmë veshët me tapë. Zëri i gjyshit me diksion aktori:

– Ha të keqen gjyshi, që të rritet bibilushi…

– Kur e di që të rritet,- ia priti plaka, – pse nuk ha dhe ti, o qyq?! Rrite për vete…

E shkreta plakë, kushedi ku i vajti mendja… Që ta merrni vesh ju që s’e dini, ninullat janë këngët e djepit. U këndohet vogëlushëve që t’i zërë gjumi. Po ka raste që më parë gjumi zë gjyshin ose gjyshen. Ndërsa vogëlushi syrin filxhan. Pastaj, s’kanë dhe faj. Ku ta mbajnë mendjen më parë?! Harruan lodrat shumëngjyrëshe. Harruan topin. Të shkretët ne të brezit tonë; sa gëzonim kur bënim një top me lecka! Tani që në karrocë duan nga një celular apo lap-top me video. Po edhe ninullat kanë ndërruar destinacion.

E harrova fare edhe kronikanin. Sikur të më takonte, me këto që di unë, do kishte shumë punë. Po nejse. Mirëpo tani kanë dalë ninulla jo vetëm për gjumë. Siç duket paska ninulla edhe për të ngrënë. Nuk e hap gojën vogëlushi po nuk ia mori gjyshja këngës. Në vend të parë është top-hiti i kalamaqërve ”Qengji i vogël”. Po nënat i përshtasin vargjet sipas oreksit të kalamaqërve. Ja për shembull: “Hajde dalim bashkë në arë/Unë ha pshesh e ti ha bar,/be, be, ba…”

Po këta fëmijët e sotëm nuk mbahen. Kanë lindur në moshën e internetit. Po keni parë që me këngë shkojnë edhe në banjë. Nuk më besoni mua, mo? Po ore, po. Ma ka treguar gjyshe Nexhmije, një tjetër komshije.

– E që thua ti, e çova mbesën në banjë. E ula te vendi dhe po rrija. Ca nga lodhja, ca nga pleqëria, gati po dremisja. “Hë nëna, bërtiti mbesa, fillo”. E shkreta unë, kisha harruar detyrën. Ç’të bëja, fillova:  “Macja ime ka që mbrëmë/Me maçokun është zënë…”.

Po atë çast, o të keq, ma futi mbesa me pëllëmbë sa ma nxori dremitjen. Më çuan sytë xixa. Pastaj bërtiti: “ Jo këngën e çiçit moj, po këngën e…”. Siç duket kisha ngatërruar “pllakën”. Aty për aty e ndërrova edhe unë pllakën:

“Nëna jote mbrëmë për darkë,/Nisi kek e doli kakë…” Kjo këngë i erdhi për shtat se mbesa po lirohej rehat-rehat. Në shtëpinë tonë, çdo gjë ka këngën e saj… Dhe unë atë çast doja të bërtisja: “Hajde ninulla të reja! Ku je o kronikan, t’u bëfsha kurban!…”.

SHKARKO APP