Pak supë nëse mundesh

Një rracion supe. Në ato pjata të thjeshta me bazë ricikluese. Prej letre kryesisht. Pasi bota e madhe amerikane. E konsideron ricklimin prioritet. Mjaft i vodhëm tokës ato që nuk ia kthejmë dot më. Ato që do i duhen me mijra vjet për t’i rikrijuar. Veçanërisht mineralet…

Nga Ilir Levonja

-Të jap edhe 5 dollarë?
-Pak supë zotëri, pak supë nëse mundesh….
1)Një i njohuri im më tha se, ishte dita ku ai duhej të shërbente ushqim në mencat e të varfërve. E bënte këtë për vite me radhë. Punë e besimit të tij kristian. Aq sa kur ulemi ndonjëherë bashkë, më vë në siklet me lutjen e tij për bukën dhe Zotin. E bën kaq natyrshëm, kaq njerëzishëm…, sa më duket vetja një masiv guri, karshi këtyre
xhesteve të imta njerëzore. Shoh së gjalli një sinqeritet të qënies njeri, në raport me frutet e punës së tij. Atë krijesë që duket qartazi se e gëzon vërtetë çdo minutë e ditës. Dhe se ushqimi më përpara se një lëndë stomaku. Eshtë një mundësi për të të qënë mirënjohës.
2)Këto mencat shërbesë janë të përditshme. Kanë ca tabela të mëdha mbi krye, Ushqim për të varfrit.Veç në ditë të shënuar si ajo e falenderimeve. Apo e krishtlindjes…, mbipopullohen. Edhe për faktin e shërbestarëve. U shtohen kontigjente administratash. Nga shteti dhe privati. Kontigjent nga hirearkitë e larta. Njerëz të politikës, besimeve etj. Edhe shërbejnë, por edhe hanë.
Një rracion supe. Në ato pjata të thjeshta me bazë ricikluese. Prej letre kryesisht. Pasi bota e madhe amerikane. E konsideron ricklimin prioritet. Mjaft i vodhëm tokës ato që nuk ia kthejmë dot më. Ato që do i duhen me mijra vjet për t’i rikrijuar. Veçanërisht mineralet…
Nga ana tjetër ata që presin me pjata, janë një moral më vete. Edhe pse hallexhinj me shumicë. Kush ka humbur shtëpinë, kush punën…
kush vjen nga bota e drogës, alkolit. Nga ajo e vujatjes së dënimit. Plot të tjerë nga rruga, nga semaforët ku lypin me një copë kartoni, ku shkruajnë arsyen pse janë në rrugë. Me një moral tjetër, aq sa ajo kënga. Ti nuk din me ma lyp…, këtu stonon si pjesa më e madhe botës sime. Pasi dinjitetin e një lypsi këtu, nuk e ka aspak ai që vishet firmato. Apo vozitë rrugëve me një Porsche Cayenne.
Ndaj dhe ky i njohuri im, kur i tha njërit prej tyre se dëshironte të t’i jepte edhe 5 dollarë. Nga që e njihte. Në të kaluarën e largët e kishte patur fqinj. Ai i tregoi tasin e thellë prej kartoni.
-Pak supë zotëri, pak supë nëse mundesh…
Ndofta aty nuk ishte vendi, për shkak të respektit karshi urisë.
Presin dhe pasi u mbushet pjata. I falen Zotit. Hanë në heshtje dhe po ashtu pastrojnë tavolinën vet. Megjithëse hirearkia i lutet, u shërben. I prek supet etj.
3) Kjo pikëpjekje botësh, hirearki, varfëri, Zot…, është ora ku njëra palë pranon atë, që, sa kohë ka të varfër. Të pastrehë, fatkeqër. Dhe viktima të veseve. Puna e shtetarit dhe e Zotit nuk është bërë siç duhet. Ndaj tjetra palë shfaq mëshirë me shumicë. Por edhe dinjitet.
Dhe dinjiteti i lypësit, i të varfrit vret më shumë se firmë kostumi.
4)E gjitha kjo mu kujtua nga një bëlbëzitje në shtypin tonë. Kisha e Shqipërisë, ditën e krishtlindjeve, ka vendosur të shërbejë ushqim për të varfërit. Thonë se është inisiativë e një prifti të ri, që Zoti e bekoftë. Për këtë punë të paqme. Duke i sjellur shqiptarët e hallakatur në rrugën reale të shoqërive simotra.

Duke hequr atë butaforinë e festave fetare. Kur hirearkia dhe njerëzit e besimeve. Ndanin përqafime publike. I shtronin darka shesheve, shoqi shoqit. Deklamonin madhështinë e rreme, karshi vobektësisë apo derteve. Duke mos u ngopur kurrë me faktin që po mundnin njerëz përditë. Një shkëlqim veladonësh dhe kollaresh, aq sa sot, ata që i janë futur rrugës së zotave që u besojnë. Janë me shumicë xhihadistë se sa besimtarë.

Ndofta atë ditë, gjithë kontigjenti i atyre që duan strehë, punë. Kontigjenti i nismës bëje të mirën dhe hidhe në lumë. Kontigjenti i periferive do dali nga guacka e ndrojes. E turpit që është i varfër. Eshtë lypës. Eshtë njeri pa shtëpi. Pasi tek ne të pranosh se je i varfër, është më e rëndë se të shkosh në burg. Do dalin e të ballafaqohen. Për të kuptuar se cili është ndryshimi midis një faqeje burri shtetar përshembull, të parruar për qejf dhe për modë. Dhe asaj faqeje burri që nuk ka para as për një pako brisqe. Për të kuptuar dallimin midis shkëlqimit të Zotave dhe mëshirës së shenjtë të të varfërve. Eshtë e gjitha një botë e padrejtë…, edhe pse flasim papushim për arritje. Një botë që e verteton një tas supe. Mëshira dhe dështimi i njeriut karshi njeriut.

SHKARKO APP