Partia dhe e dashura

Nga Ilir Levonja/Sot është njëzetë e gjashtë vjetori i Partisë Demokratike. Që për shqiptarët është partia e studentëve të dhjetorit 1990. Por sapo shkon në webin e kësaj force politike, gjen vetëm një emër të tillë. Atë të Azem Hajdarit. Dhe ky sot, tashmë i vrarë. Të tjerët janë grupi i intelektualëve që fillimisht shkuan si dialogues në ambjentet e studentëve. Dhe dolën që andej si shefa seksionesh të partisë. Që nga ajo kohë, megjithë rrokapjekjet, deri ndarjen nga njëri-tjetri, deri në shpalljen armiq për njëri-tjetrin. Dhe pajtimin publik me njëri-tjetrin, sidomos në kohë qeverisjesh. Ky grup intelektualësh, në masën 85% është edhe sot e kësaj dite, një forcë dominante në parti.
Studentëve u kanë lënë kurbetin, vitrinat e muzeut të partisë dhe pluralizmit shqiptar. Që meritojnë plotësisht fjalët e atij prefekti komik nga Tirana. Se kur zdryp katunaria në qytet, mjerë vendi. Studentët janë zogj shtegtarë. E kam thënë dhe në një shkrim tjetër, ku nuk i kam gjetur, deri në Kanada. Shërbejnë kafe dhe ngasin kamiona,apo trailera nga ato që u ngjajnë anijeve në rrugë.
Dhe ajo që është më e trishtueshmja, një lloj mjaftueshmërie nga vetë studentët. Një mjaftueshmëri me kaq. Mjaft që disa të shkojnë atje në ditë përvjetorësh. Mjaft që të shpërndajnë ndonjë statut fb me foto nga koha. Si relike tradicionale militantësh karshi derës së të dashurës.
Sa herë që vjen kjo ditë, e përvjetorit. Më shkon mendja tek një poezi e Orhan Veliut, poetit turk. Puna e një kostumi, e rrobave shik etj. Puna e tij me të dashurën. Ai e dashuronte shumë një vajzë, por i druhej vetvetes, veshjes. Vinte nga shtresat e varfëra.
Dhe i thotë midis të tjerave se nuk po blinte dot një kostum për shkak të borxheve. Pasi të lante borxhet, do ta blinte edhe ai një. Do vishej shik. Por në fund i thotë se mos mendo se kur të vesh atë kostumin, do të çmoj ty më shumë se tani, që jam si një zhelan.
Kështu e shikonim edhe ne shqiptarët, Pd-ën, e, atyre viteve gri. Dhe nuk besoj se tani, veshur shik, me kostume firmato etj. Me marka makinash nga hollet luksoze, ta duam siç e donim atëhere.
Tani prezenca tek dera e saj është aritmetikë Olimbi. Jo dashuri e një njerëzimi të lodhur që deshi vërtetë rilindjen kombëtare.
Mirëpo kur themi si parti e studentëve, parti e dhjetoristave. Një parti e lirisë gabojmë. Nuk ka liri brenda një force politike kur krerët e saj, nuk çlirojnë së pari vetveten. Çdo gjë tjetër është demagogji.
Lulëzim Basha ka disa ditë që flet për një rioarganizim të PD-ës.
Edhe pse vonë, është lëvizja më e domosdoshme. Madje në këtë dhjetor opozitar. Ku situatat krahason me 90-ën, duhej të ishin të parët studentët. Mundësisht ashtu me pantallona doku. Me flokët (kujt i kanë ngelur) pa brilantinë. Thjeshtë për të kuptuar devijimin nga aspiratat e rilindjes kombëtare në vitet 90-të.
Për të kuptuar se sa bajate është politika klanore e denoncimit të krimit, korrupsionit, varfërisë, kurvërisë etj…, nga foltorja e hollit të selisë. Duke mos u dhënë shqiptarëve mundësinë për të patur, pas 26 vjetëve pluralizëm, sikur një institucion, qoftë një… i cili të jetë po aq i fortë sa vet qeveriu. Dhe se çfarë do të thotë program politik, çfarë do të thotë masë, çfarë do të thotë ndryshim. Për të ardhur në pushtet me këmbë të mbarë siç e do edhe bota e demokracisë.
Për të kuptuar dhe pranuar dështimin. Ashtu sikur trumbetojmë arritjet. Për të balancuar raportet, forcat. Dhe për tu thënë xhaketave të vjetra, se koha e astarit, e kthimit të teritalit ka mbaruar. Nëse PD duhet të festojë edhe shumë e shumë përvjetorë të tjerë. Nëse PD duhet të qeverisi që, tua bëj jetën shqiptarëve më të mirë. Jo për inat të mullixhiut. Por thjesht se ata e meritojnë. Ky është edhe misioni i një force politike. Ky është misioni i PD-ës, dallandyshes së demokracisë shqiptare.

SHKARKO APP